Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!
1. LIRIA
Si quhet fjalia “Lirinë nuk na e fali askush, e fituam me gjak”? – e pyeti arsimtari i gjuhës nxënësin.
Fjali patriotike, arsimtar, – u përgjigj nxënësi në vend se të thoshte fjali e zgjeruar.
2. KATEGORIA
Në cilën kategori bien gojëkëqijtë që e shajnë kryeministrin e Kosovës? – e pyeti gazetari analistin politik.
Të them në kategorinë e majmunëve, fyhen paraardhësit tanë, prandaj po them në kategorinë e rrugaçëve, – u përgjigj analisti politik.
3. ARGATI POLITIK
Baba, Ramush Haradinaj po thotë “Kush e voton qeverinë Kurti, është argat i Serbisë”, – tregoi e bija.
Këtë akuzë që po ia bën Ramushi Albinit, të njëjtën do t´ia bënte edhe Adem Demaçit, po të ishte gjallë, – tha babai.
4. SËMUNDJA DIPLOMATIKE
Çka ndodhi me Vuçiqin në Amerikë? – e pyeti ministri i BE-së kolegun e tij.
Në Amerikë shkoi për t´u sëmurë, ndërsa në Rusi shkoi për t´u shëruar, – u përgjigj i dyti.
5. DEMOKRACIA
Demokrati serb thotë që me ardhjen e tij të gjithë banorët e vendit do të kenë të drejta të barabarta kombëtare, çetniku serb thotë që vetëm serbishtja do të flitet, cili prej tyre është më i keq? – e pyeti gazetari analistin politik.
Ky i fundit është më i mirë, pasi që me kohë po tregon që është i rrezikshëm për popujt tjerë, – u përgjigj analisti.
6. FEUDALIZMI
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron ta vizitojë Drenicën, mirëpo ministri i PDK-së nuk e lejon, – tha prishtinasi.
Shumë keq, duket se feudalizmi qenka vonuar në trevën e Drenicës, – ndërhyri tjetri.
7. BESIMI
A më shpejt po rritet përqindja e korrupsionit apo plaçkitja? – e pyetën ministrin e arsimit dhe kulturës.
Janë duke shkuar paralel, pasi që u mungon vetëdija kombëtare, – tha kryetari i sindikatës.
8. PËRCAKTIMI
Në pyetjen e tiktokut zgjidh numrat që të duhen: familja, lekët, dashuria, shëndeti, ushqimi dhe karriera, në dallim me babanë që përcaktoi familjen, ushqimin dhe shëndetin, i biri përcaktoi lekët dhe karrierën, – tregoi pensionisti në mesin e miqve.
Me siguri që i biri e ka fjalën për lekët e babait, – ndërhyri një tjetër.
9. KËNGËTARJA
A e dini kush është Leonora Jakupi? – i pyeti arsimtarja e muzikës nxënësit në klasë.
Është akademike e shkencave natyrore, – u përgjigj një nxënëse.
Gabim, Leonora Jakupi është këngëtare, përndryshe si shkencëtare kurrë nuk mund të blinte shtëpinë luksoze në Prishtinë, – ndërhyri nxënësi tjetër.
10. ORIZI PLASTIK
Flitet që prodhuesi më i madh i orizit plastik është Kina, – e hapi bisedën tiranasi.
Prodhuesi më i madh është Kina, ndërsa blerësit më të mëdhenj janë ballkanasit, – ndërhyri tjetri.
11. UJKU I SHARRIT
A kanë dallim ujku i Sharrit me ujkun e Karpateve? – e pyeti gazetari biologun.
Patjetër, ujku i Sharrit babë e nënë i ka shqiptarë, kurse ujku i Karpateve babanë e ka rus, ndërsa nënën rumune, – u përgjigj biologu.
12. ELEFANTI
Kur arsimtari i biologjisë e pyeti nxënësin sa kilogramë peshon elefanti, nxënësi me hamendje përgjigjet që peshon 10 mijë kilogramë, atëherë arsimtari e qortoi:
Pak të duket që kjo kafshë gjigante peshon gjashtë kilogramë, ndaj ia shton dyfishin.
13. QENTË
A kanë ndonjë të metë qentë, – e pyetën shkrimtarin amerikan, Mark Tven.
Patjetër, e meta e qenve është që nuk mund të flasin, përndryshe do të ishin të sinqertë, – u përgjigj Mark Tveni.
14. ZEMËRIMI
Zot më falë, kam bërë mëkatin më të madh në jetën time, kam ndërruar fenë! – kërkoi falje një burrë.
Oh, jo nuk ke bërë mëkat, ti mos e ndërro kombin dhe gjuhën, sa për fenë zoti nuk zemërohet, – e qetësoi veterani i arsimit.
15. EUFEMIZMI
“Ndërroi jetë anëtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nesër përcillet në banesën e fundit”, – kështu shkruante në shtypin ditor.
Çudi, anëtar i Akademisë së Shkencave të ndërrojë jetë dhe të përcillet në botën tjetër, në vend se të shkruhet shkencërisht “Vdesë dhe përcillet në varrezë”, – shtoi i dyti.
16. KASHTA DHE BANKA
A di pse gjykatësi hajdutin që ka vjedhë bankën e dënon një muaj, ndërsa hajdutin që ka vjedhë një karrocë kashtë e dënon një vit?
Për shkak se hajduti që ka vjedhë para, mund ta shpërblejë gjykatësin, ndërsa hajduti që ka vjedhë kashtë nuk mund ta shpërblejë gjykatësin. Nuk thonë kot… se gjykatësi nuk e ha kashtën, që të kujton bishtin e sakicës me larën.
17. PRINCI
Çka do të thotë shprehja metaforike “Po pres një princ të ma vjedh zemrën”? – e pyeti arsimtari nxënësin në klasë.
“Tezja ime pret një burrë të martohet”, – shpjegoi nxënësi, pastaj qeshën të gjithë.
18. MENDJELEHTËSIA
Edukatore, e di që vidhen vezët e pulës, por nuk di si mund të vidhet dashuria e vajzës? – e pyeti njëri edukatoren e vjetër.
Eee, siç ka hajdutë që vjedhin mall e para, ka djem, që me anën e sheqerkave vjedhin dashurinë e vajzave mendjelehta.
19. GJURMËT
Kur disa njerëz e pyetën Diogjenin modest pse po ecte zbathur, ai tha:
Po ec zbathur për të lënë gjurmët e shputës, me anën e së cilës pasardhësit tanë do të dinë madhësinë e këmbëve tona.
20. BRITMA E TIGRIT
Nuk po kuptoj pse tigri bërtet në dyluftim me buallin, kur dihet që kjo kafshë është e rrezikshme, – e pyeti turisti banorin vendës.
Po bërtet, sepse duke dashur ta sulmojë buallin, bualli në vetëmbrojtje ia ka ngul bririn në barkë, – tregoi afrikani.
Suedi, 21.06.2025
Lexues të nderuar, për 25 vjet me radhë kam arritur të shkruaj 3000 anekdota të kohës. Së shpejti do t´i botohen në tri pjesë. Ju dëshiroj lexim të këndshëm!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!