F A N    S.   N O L I: JEPNI PËR NËNËN

06
Aug
2026
Zgjodhi për botim. Dilaver Goxhaj
Ç’thotë ajo e ve e gjorë,
—- Mbretëreshë pa kurorë
Faqeçjerur, leshlëshuar,
Shpirt e zemër përvëluar,
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,
Nëns mos ia bëni varrë!”
           Mbahu, Nëno, mos ki frikë
           se ke djemtë në Amerikë!
Qan e lutet Nën’ e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do Lirinë dhe Atdhenë,
Siç e pat me Skëndërbenë.
Bijt’ e besës thërret pranë.
Ku i thirri dhe s’i vanë?
                        Mbahu, Nëno, mos ki frikë
Cilët jan’ ata tiranë
Që të pren’ e që të vranë
Që të thrrrë bij e bija,
Dhe t’u nxi, t’u mbyll shtëpia?
Derthni plumba, o Shqiptarë,
Gjak’n Nënës për të marrë!
                        Mbahu, Nëno, mos ki frikë
Cilët bij të tradhëtuan
Dhe të ndoqnë dhe të shuan
Dhe të lan’, o shkab’ e ngratë
Pa fole, pa zoq, pa shpatë?
Këta qena, o shok’ i mbytni,
Mbushni gjyle që t’i shtypni!
                             Mbahu, Nëno, mos ki frikë
Sa kërkon e sat ë duhen?
Burrat nga detyra s’ndruhen!
Trim’ i mirë do të japë,
S’kursen jetën as paratë,
Hithni, hithni tok dollar,
Të mos mbetemi të sharë!
                                  Mbahu, Nëno, mos ki frikë
Do të ndihim pa kursyer
Për Ty, Nëna jon’ e vyer,
Që me drit’ e nder të thurresh
Dhe me bijy’ e tu të mburresh.
Cila Nënë lyp paranë?
Cilët bij me shpirt s’i dhanë?
                                Mbahu, Nëno, mos ki frikë
Armë dhe fishekë mblithni,
Qesen edhe shpirtin hithni:
Për Lirin’ e vëndit tonë,
Sot – se nesër është vonë –;
Jepni, Nënën të shpëtoni,
Komp e vatra të nderoni!
                              Mbahu, Nëno, mos ki frikë

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 06/08/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk