Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!
Në jetën e njeriut ka plot ngjarje, ndodhi, detaje dhe çaste të cilat i mbesin në kujtesë për një kohëtë gjatë. Këto çaste të rikujtohen nga shkolla, nga puna, nga sporti ose veprimtari të ndryshme. Meqenëse kohën më të gjatë dhe të bujshme të jetës e kam kaluar në Minierën e Qymyrit në Bellaqevc (tani Bardhi i Madh) për plot dyzetë vjet, kujtimet e asaj kohe më përcjellin edhe tani në moshën e shtyer.
Përpos drejtorëve të nderuar Sami Kusari dhe Engjëll Mazreku të cilët njeriu me vetëdije nuk mund t’i harroi kurrë ( sepse janë të papërsëritshëm), ndër dymijepesëqind punëtorët që kanë punuar me vetëmohim në minierë, ka pasur edhe punëtorë të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyer në prodhim dhe në mbarëvajtjen e punës dhe rendit shoqëror në Minierë.
Njëri nga këta ka qenë edhe elektrotekniku Aziz Bajqinca për të cilin kemi detyrim të shkruajmë disa fjalë për angazhimin e tij në prodhim dhe në mbarëvajtjen e marrëdhënjeve shoqërore në atë kolektiv të vyer prodhues të asaj kohe.
Në fillim nuk njiheshim mes veti. Për herë të parë u takuam diku në fillim të vitit 1971, kur u punësua, pas kryerjes së shkollës së mesme të Elektroteknikës në Prishtinë. U punësua në minierën e qymyrit në Bellaqevc ( tani Bardhi i Madh) më 30 dhjetor të vitit 1970 në cilësinë e elektroteknikut fillestar. Nuk e di a ka qenë bursist i Kombinatit (KXEMK, Kombinati xehëtar, energjetik, metalurgjik “KOSOVA”) por e di se ka pasur detyrim moral Kombinati t’i pranojë në punë banorët e fshatrave përrreth Kombinatit, sepse trupi i kombinatit ishte i shtrirë, krejtësisht, nëpër tokat e tyre. Punuam për disa vite bashkë, në të njejtin shërbim. Shpejt u hetua se kemi të bëjmë me një djalë të ri, por i “pjekur” para kohe, si i thonë fjalës. Punëtorët e minierës, dhe udhëheqja e saj, kishin dëgjuar për Isa Bajqincën, shkecëtarin e njohur të gjuhës shqipe. Dhe u vinte mirë kur dëgjojnin se Azizi ishte i vllai i Isa gjuhëtarit të njohur në përmasa kombëtare. Azizi fitoi autoritet në saje të Isa-it. Por shumë shpejt ai doli në sipërfaqe duke e ndërtuar personalitetin e vet.
Personalitetin e vet e ndërtoi me punë të palodhshme dhe me sjellje të shembullore. U bë i dashur me të gjithë, aq sa të gjithë shefat e shërbimeve e kërkonin t’a kishin pranë vetes, në shërbimin e vet. Engjëll Mazreku (më pas drejtor i minierës së Bellaqevcit nga viti 1973-1980, drejtor i Institutit “INKOS”, e në vitet 2000 dhe 2001 Kryetar i KEK-ut të pas Luftës Çlirimtare) e mori Azizin pranë vetes në Shërbimin e Pregatitjes Teknike. E kur Engjëll Mazreku shkoi në një pozitë më të lartë, në Bashkësinë e atëhershme të Qymyrit, Aziz Bajqincën e mori me vete. Në Bashkësi të Qymyrit punuan afësisht dy vjet. Pasi u kthye Engjëlli prap në MInierë, por tani në cilësinë e drejtorit në minierën e Bellaqevcit, Azizin e mori me vete, sepse ia paska ditur cilësitë njerëzore dhe profesionale.
Kur duhej të montohej sistemi “tre” i djerrinës nga prodhuesi polak, vet projektanti i shiritave transportues (me sa më kujtohej ishte ingjinieri Levandovski), u ankua se nuk do të mundeshin t’a montonin sistemin në kohën e kontraktuar, por do të vonoheshin për disa muaj. Engjëll Mazreku, drejtori i minierës, e angazhoi (dhe e autorizoi) Aziz Bajqincën që t’a formoi shpejt një ekip prej dhjetë mjeshtrish, nga më të mirët në minierë dhe duhej që sa më shpejt të fillonin punën në montimin e shiritit të ri në systemin tre të djerrinës. Punën në montimin e shiritit duhej t’a udhëhiqte Aziz Bajqinca. Të gjithë u befasuam nga besimi që pati drejtori Mazreku në Aziz Bajqincën. Drejtori, Engjëll Mazreku kishte besim të madh në profesionalizmin dhe në aftësitë organizative të Aziz Bajqincës. Dhe ai nuk e zhgënjeu drejtorin e vet. Shiriti i Palosësit tre, NT3 quhej ai shirit në dokumentacionin teknik, është montuar para kohe dhe ishte shiriti më i mirëmontuar deri atëherë në minierë. Këte nuk e vlerësuan vendorët, por vetë konstruktori polak Levandovski. Për këtë sukses mori mirënjohje Aziz Bajqinca nga polakët.
Vetë polakët thonin se ishte kënaqësi t’a shikoje këtë shirit të montuar me kaq kujdes dhe pedantëri. Kjo ishte natyra e punës së Azizit. Ishte i ngadalshëm në punë. Azizi e gjente mënyrën e vet origjinale se si t’a angazhonte ekipin dhe t’a motivonte për të punuar. Kur, një ditë ishin duke e bartur shiritin e palosjes në një pozicion tjetër, Aziz Bajqinca me ekipin e punëtorve dhe mjeshtërve ishin duke ngrën drekën,nën hijen e palosësit. Një ekip i drejtorëve të KEK-ut vjen për vizitë në punishte dhe e ndëgjon Azizin, bashkë me shokë, duke e kënduar këngën “ Buzë adriatikut rreze lëshon Shqipëria”. Mbeten të habitur ekipi i drejtorëve. Njëri nga ata të ekipit përpiqet t’u bënë vrejtje punëtorve që po këndojnë por Rizah Sapunxhiu, atëherë Drejtor i Përgjithshëm i KEK-ut e ndalon ate duke i thënë: punëtori e ka kohën e bukës dhe të pushimit…Por a po e dëgjon se çfarë kënge po e këndojnë, i thotë ai. Punëtori e ka kohën e vet të pushimit dhe e këndon këngën që e don vet. Më vonë e kuptuam që ai që deshi t’ia ndalonte këngën Azizit dhe ekipit të tij, kishte qenë nxënës i shkollës së Kumrovcit…..
Aziz Bajqinca, përveçse ishte punëtor shembullor, kishte edhe drejtim shoqëror shumë të përparuar për kohën. Të gjitha proqeset përparimtare të kohës Aziz Bajqinca i përkrahte dhe u vihejnë shërbim të plotë.
Për aktivitetin e tij shoqëror dhe për orientimin që kishte ndaj proqeseve në Kosovë, e të cilat reflektoheshin edhe në Minierën e Qymyrit, Aziz Bajqinca propozohet, dhe bëhet, Kryetar i Këshillit të Punëtorve për një mandat. Sa ishte Azizi në krye të Këshillit, u kryen shumë punë me rëndësi për Minierën.
Idetë që i kishte Engjëll Mazreku për pavarësimin e MInierës nga Instituti i Xehëtarisë të Beogradit u realizuan nëpërmjet Këshillit të Punëtorve vetëm sa ishte në krye të Këshillit Aziz Bajqinca. Projekti për zhvillimin e Minierës së Bellaqevcit ishte punuar në Beograd nga Instituti i Xehëtarisë. Ai projekt kishte të meta të theksuara për zhvillim normal të MInierës. Engjëll Mazreku, si njohës i mirë i profesionit, kishte hetuar mjaft të meta në projekt. Sipas Engjëll Mazrekut, ato të meta në projekt ishin të qëllimshme dhe do të kishin pasoja për Minierën dhe për fshatrat përrreth. Ato të meta mund të hetoheshin vetëm nga profesionisti i mirëfilltë dhe largpamës. Defektet ishin të atilla që ato nuk vëreheshin leht, por do të kishin pasoja pas disa vjetësh. Kur Engjëlli i dërgon vërejtjet me shkrim në Institutin e Beogradit, ata bien në kurth dhe, prej atëherë, përpiqen me çdo kusht që t’a heqin Engjëllin nga drejtori i Minierës. Në pamundësi të ndikimit të drejtpërdrejt për shkarkimin e Engjëllit Mazrekut nga drejtori i Minierës, Instituti, nëpërmjet rrjetit të vet partiak, ndikon në Komitetin Komunal të LK të Prishtinës kur asokohe kryetar i Komitetit Komunal në Prishtinë ishte Dushan Ristiqi, t’a hjekun Engjëllin nga drejtori. Në atë kohë Azizi ishte kryetar i Këshillit të Punëtorve, dhe pa kaluar nëpër këshill nuk mund të shkarkohej drejtori para kalimit të mandatit zyrtar.
Aziz Bajqinca e dinte lojën që po luhej në prapaskenë. Me përpjekje të mëdha e hoqën Engjëllin nga drejtori me premtimin se pas tij prap do të bëhet drejtor një shqiptar. Zgjidhet në vend të Engjëllit një shqiptar i cili ishte pjesëmarrës në “dasmën” e Gjakovës dhe, për pjesëmarrje në atë dasëm ishte përjashtuar nga partia. Brenda javës i njejti u ripranua në parti dhe u bë drejtor në minierë. Kjo ishte vetëm parapregatitje për t’a bërë pastaj drejtor një malazez të pakualifikuar dhe dembel i llojit të vetë. Me rëndësi ishte që të shmangej Engjëlli nga drejtorllëku.
Të gjitha këto “ lojra” i dinte opinioni i gjërë në Minierë, por ishin këto kurdisje nga Beogradi dhe nga nëntoka e Prishtinës.
Aziz Bajqinca ishte njëri nga organizatorët e shkuarjes në Shqipëri të një grupi prej tridhjetë punëtorësh të Minierës më 13 shtator të vitit 1980. Kjo vizitë zgjati dy javë të plota. Nuk lamë qytet dhe vend historik pa e vizituar në tërë Shqipërinë. Ishim në Kombinatin e “Autotraktorëve” në Tiranë, por e shikuam edhe “Metalurgjikun” e Elbasanit nga Qafë Krraba, për mungesë të kohës. Azizi shoqërohej dhe rrinte tërë kohën me shoqëruesin dhe mikpritësin nga Shqipëria shokun Ramiz Shehu, i cili në atë kohë ishte drejtor i “Albturistit”. Ne, të tjerët, nuk e dinim se Azizi e ktheu në “Kosovar” Ramizin, apo Ramizi përvehtësoi Azizin dhe do t’i jap nënshtetësi shqiptare? Pas kthimit nga Shqipëria punëtorët,vizitorë, erdhën me energji të reja për punë dhe angazhim në prodhim. Të gjithë mendonim se, tani e tutje, po punojmë dhe po jetojmë në Shqipëri…
Kishim pak frikë se do të kishim problem me shtetin jugosllav pas vizitës në Shqipëri. Një shok tonin, Shasivar Makollin, organet e sigurimit e intervistuan disa herë. Por ai, si duket, diti të gjindej mirë në intervistat, dhe kështu shpëtuam pa pasoja.
Një kolegë sërb, i cili punonte bashkë me Azizin, një ditë e pyeti ate se si e kaluat në Shqipëri dhe a iu pëlqeu. Azizi i tregoi se kaluam shumë mirë. Ai,sërbi, ia kthen Azizit, po mbasi iu paska pëlqyer në Shqipëri, atëherë pse nuk po shkoni me jetue atje, në Shqipëri? Pa asnjë mëdyshje Azizi iu përgjigj: Po në Shqipëri jemi, çka po mendon ti? Veç e pritnim çastin kur t’a merrnin policia Azizin. Për çudi nuk ndodhi asgjë!
Aziz Bajqinca me villain Zylqyfliun dhe Ramiz Shehu-dejtor i Albturistit në vitin 1980
Në të gjitha etapat e punës në Minierë, dhe deri në pensionim, Azizi ka qenë syçelë dhe i vëmendshëm. Por forcës nuk i dilet para kur ate e përkrah edhe politika.
Përherë ka qenë përkrahës dhe pjesëmarrës në të gjitha protestat e punëtorisë së Kosovës por edhe në demonstratat studentore.
Këto ishin vetëm disa dromca nga puna e Aziz Bajqincës në MInierë. Ai vepronte me energji gjithmonë pozitive e në të mirë të KEK-ut dhe të Kosovës. Ky ishte Azizi, shoku ynë i paharruar.
03.07.2025 Sylejman Krasniqi
Prishtinë
Memzi dita me ta dërgua


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
