Kujtime të i paharruara për Dr. Zyber Puplën dhe Dr. Hashim Zogun në Danimarkë

25
Oct
2026
Shkruan: Xhemil Zeqiri

Në librin e Dr. Zyber Puplës, “Një jetë në shërbim të jetës”, autori përshkruan veprimtarinë e tij në Danimarkë, Austri dhe më tej, përtej Oqeanit. Në faqet e librit dalin në pah shumë emra njerëzish me të cilët ai ka bashkëpunuar dhe që, për arsye të ndryshme, Dr. Zyberi i përmend me respekt të veçantë.
Duke qenë se kam jetuar për shumë vite në Danimarkë dhe kam qenë i angazhuar në veprimtari politike e kombëtare, dua të sjell edhe unë kujtimet e mia nga takimet me Dr. Zyber Puplën dhe Dr. Hashim Zogun.
Në atë kohë, ambasadori shqiptar në Danimarkë, miku ynë Qemal Mixhozi, më njoftoi se kishin ardhur në Danimarkë dy mjekë shqiptarë: njëri specialist i mushkërive dhe tjetri specialist i zemrës. Natyrisht, si veprimtar politik dhe kombëtar, për mua ishte e pamundur që një shqiptar, veçanërisht një mjek i ardhur nga Shqipëria, të vinte në Danimarkë dhe unë të mos e takoja për një drekë apo darkë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!
U dakorduam që të shkoja t’i merrja në Spitalin e Holbækut, ku ata ishin ftuar nga drejtori i spitalit,Erling Birk Madsen. Atje në Danimark pati  shum takime edhe me doktor, si dhe me drejtues të spitaleve të tjera daneze, ndër të cilat spitali i  Hillerød-it  Drejtori Svend Juul  Jorgensen, Bispebjergut  Spitali i Herlefit dhe spitali qendror në Kopenhagë, Rigshospitalet.

Dr. Zyber Pupla kishte një miqësi të veçantë me këta intelektualë dhe profesionistë të mjekësisë. Ajo që më bëri veçanërisht përshtypje ishte se, në kontaktet dhe bisedat me mjekët danezë, Zyberi, nuk e harronte asnjëherë çështjen kombëtare shqiptare. Ai përpiqej të sensibilizonte bashkëbiseduesit për gjendjen që po kalonte Shqipëria pas trazirave dhe shkatërrimeve të viteve ’90-ta. Megjithatë, nuk dua që në këto kujtime për librin e nderuar të Dr. Zyber Puplës të hyjë në një analizë të gjatë politike. Dua të rrëfej në veçanti një episod njerëzor, i cili më ka mbetur thellë në kujtesë.
Takimi ynë i parë u bë në banesën time në Valby të Kopenhagës. Ishte një banesë e vogël, vetëm 51 metra katrorë, dhe shpesh miqtë habiteshin kur shihnin se, pavarësisht kushteve të mia modeste, pjesën më të madhe të energjisë dhe mundësive të mia ia kushtoja veprimtarisë politike dhe kombëtare.
Me kalimin e kohës u afruam shumë. Miqësia ime me Dr. Zyberin dhe Dr. Hashimin u bë aq e ngushtë sa filluam të bisedonim si vëllezër. Një mbrëmje, pas darkës, bashkëshortja ime, Sabrija, më solli tri pompa me pluhur për thithje. Dr. Zyberi i pa dhe më pyeti: Çfarë janë këto?
I thashë se ishte një histori e gjatë.
I tregova se në vitin 1991, kur në Shqipëri kishin filluar trazirat dhe shkatërrimet e mëdha, kur u rrëzua edhe busti i Enver Hoxhës, unë e përjetova shumë rëndë atë periudhë. Kisha filluar të pija shumë duhan dhe gjendja ime shëndetësore u përkeqësua aq shumë, sa përfundova në spital. U dobësova deri në rreth 40 kilogramë. Pas disa javësh në Spitalin e Mushkërive në Bispebjerg, një mjek danez më tha: Nëse dëshiron të jetosh, duhet ta lësh duhanin. Përndryshe, nuk mund ta garantojmë se do të jetosh më shumë se një muaj.
E lashë duhanin. Më vonë m’u shfaq edhe astma dhe mjekët më trajtonin me ato pompa me pluhur.
Dr. Zyberi më dëgjoi me shumë vëmendje. Pastaj më tha: Mos i përdor më këto që nga sot. Këto janë të miat; ti nuk do t’i përdorësh më.
Unë mbeta i habitur. Pastaj, ai vazhdoi: Dëgjo mirë: mushkëritë e tua do të përmirësohen. Konsumo gështenja të ziera ose të pjekura dhe speca të kuq, të sertë sa më rregullisht.
Unë, që gjithmonë kam pasur besim të madh te intelektualët dhe mjekët shqiptarë, e mora seriozisht këshillën e tij dhe veprova ashtu siç më tha.
Pas kësaj vazhdova kontrollet periodike te specialistët danezë, afërsisht çdo gjashtë muaj. Kur shkova përsëri për kontroll, mjeku danez u befasua nga rezultatet.
— Uau! Rezultati është i shkëlqyer. Frymëmarrjen e ke shumë mirë. Astma duket se është zhdukur plotësisht. Më thuaj, cilën nga këto pompa me pluhur ke përdorur?
— Asnjërën, — i thashë.
Ai më pa me habi.
— Atëherë çfarë ke bërë?
I tregova se kisha pasur dy mjekë shqiptarë mysafirë, një specialist të zemrës dhe një specialist të mushkërive, dhe se Dr. Zyber Pupla më kishte këshilluar të konsumoja gështenja dhe spec të kuq.
Mjeku danez heshti për disa çaste dhe më pa me habi:
— Si është e mundur?
Kjo më dha mundësinë t’i flisja edhe për Shqipërinë.
— Doktor, — i thashë, Shqipëria, është një vend shumë i goditur nga luftërat dhe nga sulmet e huaja. Por, ne kemi pasur dhe kemi shumë mjekë të aftë, jo vetëm mjekë, por profesionistë të zotë në çdo fushë. Shpesh më duket se bota nuk e njeh sa duhet këtë realitet. Ai buzëqeshi dhe më pyeti nëse izolimi i Shqipërisë gjatë komunizmit nuk kishte qenë një nga arsyet. -Jo, i shpjegova. Shqipërinë e kishin sulmuar shumë armiq shekullor, në veçanti shtetet fqinje e kishin copëtuar me ndihmat e fuqive të mëdha të lindjes dhe të perëndimit.
-Biseda jonë u kthye edhe te historia dhe politika. I shpjegova se, sipas këndvështrimit tim, Shqipëria e asaj kohe e kishte parë izolimin duke mos u pajtuar me padrejtësitë e mëdha që të tjerët ia kishin cenuar rëndë çështjen kombëtare shqiptare dhe si shkak-pasojë në vazhdimësi kishte ndodh copëtimi i trojeve shqiptare në disa shtete fqinje.
I thashë edhe diçka që për mua ishte më shumë se një metaforë:
— Unë pata probleme me mushkëritë, u sëmura rëndë, por më pas gjeta një mënyrë për t’u përmirësuar. Edhe kombi shqiptar, në një farë mënyre, ka nevojë të shërohet nga plagët e historisë, nga copëtimi dhe nga padrejtësitë që ka përjetuar. Nuk ishte thjesht një bisedë mes një pacienti dhe një mjeku. Ishte një bisedë për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për atë se si një mjek shqiptar, edhe kur ndodhet larg vendit të tij, mund të bëhet një zë i çështjes kombëtare. Pas këtyre bisedave, miqësia jonë u forcua edhe më shumë. Me Dr. Zyber Puplën dhe Dr. Hashim Zogun vazhduam të komunikonim dhe të ruanim marrëdhënie të ngrohta miqësore.
Sot, kur lexoj “Një jetë në shërbim të jetës”, më vjen natyrshëm të sjell edhe këtë kujtim. Sepse, pas emrave, takimeve dhe veprimtarive që përshkruhen në një libër, ekzistojnë edhe histori të vogla njerëzore, biseda të thjeshta dhe miqësi që mbeten gjatë në kujtesë.
Për mua, ky është një nga kujtimet më të veçanta nga takimi me Dr. Zyber Puplën në Danimarkë: një takim mes mjekësisë, miqësisë dhe dashurisë për kombin shqiptar.
Qerret- 05. 10. 2026

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/10/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk