LINDASI I FUNDIT I SHQIPTAREVE, Profesori dhe Akademiku REXHEP QOSE.

23
Apr
2026
Shkruan: Gjon Bruçi
Lavdi jetës dhe veprimtarisë së tij Shkencore, Kulturore dhe Atdhetare!
PËR REXHEP QOSEN DHE ENVER HOXHËN
-Një koment i nxitur nga biseda e Profesor Rexhep Qosjes,
me rastin e botimit të romanit “Të fshehtat e treguara”-
Gazeta “DITA”, 8 korrik 2020
Në shkrimin e saj “eskluziv”, gazeta DITA, të datës 4 korrik 2020 për Rexhep Qosjen, me titull “Enver Hoxha i pashmangshëm”, na jep një detaj të vogël por interesant, domethënien e të cilit, ia len ta zbërthejë vetë lexuesi. Është fjala per nje interviste te shkurtër, marrë nga Profesor Qose ne Prishtinë, në ditët e para të botimit të romanit të këtij të fundit me titull: “Të fshehtat e treguara”.
Profesor Qosja, – thotë intervistuesi – më shfaqi një pakënaqësi, duke më thënë se nga njoftimi dhe shkrimi i gazetës (Dita), duket sikur romani im është shkruar për Enver Hoxhën. – “Jo! Ky roman, – vijon profesori, – nuk është për Enver Hoxhën. Është për aktualitetin politik në Shqipëri e Kosovë. Enver Hoxha vetëm sa përmendet në disa pjesë të librit . . .!”
Realisht, kur lexon komentin e gazetës dhe fragmentet e para për romanin e sapo botuar të Profesorit, kuptojmë se dukja e emrit të Enver Hoxhës në gojën e personazhit të librit, nuk është qendra e subjektit, por një detaj në shërbim të përmbajtjes dhe mesazhit që jep lënda e veprës në fjalë. Megjithatë, në një roman, artistik apo historik qoftë, përmendja e figurave që kanë pasur një peshë të konsiderueshme në ngjarjet e kohës, edhe pse kalohen me penelata të thjeshta e të pakta, tërheqin vëmendjen dhe interesin e lexuesit, duke dalë vetiu në plan të parë, e duke dominuar gjithë subjektin që trajtohet me gjuhën e artit.
Po, pse atëherë, Profesor Qosja shfaq disi “pakënaqësi”, për theksin enverian, që gazeta vë në shkrimin promovues të romanit të tij, dhe kërkon të qartësohet se, ai nuk e ka shkruar romanin për Enver Hoxhën, por për “aktualitetin politik në Shqipëri e në Kosovë?!
Shqiptarët e dinë fort mirë qëndrimin e pandryshuar të Rilindasit të fundit të Kombit tonë, Profesor Qosjes, për figurën e “pashmangshme” të Enver Hoxhës. Në një debat të paradokohshëm me disa pseudohistorianë, të cilët pas vitit 1990 u rrekën të bënin “biografinë e deformuar” të Udhëheqësit të madh të shqiptarëve të gjysmës së dytë të shekullit të njëzet, Profesori u pati adresuar atyre një këshillë:
“Përpara se të shkruanin për Enver Hoxhën, duhet të hulumtonin dokumentet e arkivave kryesorë të Europës, e madje edhe më tej, dhe jo të sajonin frazologji të mbledhura nga fjalori i rrugëve dhe mejhaneve të “katundit”. Dhe ky qëndrim i Profesorit, ka qenë permanent gjatë gjithë kësaj periudhe të sulmeve monstruoze, ndaj figurës madhore të kombit, me emrin Enver Hoxha.
Nisur nga sa evidentuam më sipër, Profesor Qosja, e them me siguri matematike, do të dëshironte të shkruante një roman, ku nga fillimi e gjer në fund të flitej për jetën dhe veprën e Enver Hoxhës. Por ai nuk ka tentuar ta bëjë këtë, sepse ka droje se mos nuk arrin ta realizojë një roman të tillë në nivelin që kërkohet. Ai e din shumë mirë, se asnjë roman, historik apo artistik qoftë, nuk mund të nxërë jetën dhe veprën e Enver Hoxhës. Ndaj dhe nuk ka guxuar gjer tani t’ia nisë këtij misioni, sa të vështirë, aq të nderuar e të nevojshëm për të sotmen dhe të nesërmen e popullit shqiptar.
* * *
Dhe vërtet: A mundet një roman të përfshijë jetën dhe veprën e Enver Hoxhës? Qoftë edhe i shkruar nga një shkrimtar i çmimit NOBEL?!
Tri janë mundësitë e përfshirjes “në një libër të vetëm”, të jetës dhe veprës së Enver Hoxhës:
. Dokumentet historikë që gjenden nëpër kancelaritë ndërkombëtare;
. Historia e shkruar e dy periudhave legjendare të popullit tonë, LANÇ dhe Ndërtimi Socialist dhe:
. Memoria e popullit shqiptar, fiksuar në krijimtarinë artistike dhe folklorike, që ka realizuar në gjysëm shekulli, për këtë Prijës të pashoq në historinë e tij shumë shekullore.
A mund të pasqyrohen këto të tria në një roman?! Kurrsesi!
Në lëmin e madh të poemave, romaneve, përkufizimeve e ligjëratave të hatashme për Enver Hoxhën, dedikuar nga poetët, shkrimtarët, filozofët e shkencave shoqërore e historike, etj, unë, qytetari i thjeshtë, mbetur ushtar besnik i Komandantit Enver Hoxha, do të dëshiroja që të shpalos këtë përcaktim të thjeshtë, por realist:
“Historinë e bëjnë masat popullore, individët lozin rol të veçantë, – na mëson përvoja e shoqërisë njerëzore. Por roli i Enver Hoxhës në epokën pesëdhjetëvjeçare të Shqipërisë së Re e Moderne, është dhe mbetet vigan. Ai përmblidhte në një njeri të vetëm, virtytet më të larta e më të arrira të shqiptarit në shekuj, dhe ishte njëherësh edhe realizuesi më i shkëlqyer i aspiratave të popullit të tij”.
* * *
Personazhi kryesor i romanit të Profesor Qosjes, në fund të fragmentit që lidhet me Enver Hoxhën, thotë: “Menjëherë pas vdekjes së tij, Enver Hoxha, një kohë të shkurtër do të jetë i mallkuar; mandej një kohë pak më të gjatë do të jetë i ankuar; kurse përgjithmonë do të jetë i kërkuar prej popullit shqiptar. Shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, – vijon personazhi në fjalë, – me idhtarët e tij sot, dëshirojnë ringjalljen politike e shtetërore të Enver Hoxhës. Mendja dhe etika e tij do të shpëtojnë Shqipërinë e Kosovën prej hajnave, plaçkitësve, zhvatësve, shfrytëzuesve të rinj, që edhe Shqipërinë, edhe Kosovën po i lënë gjithnjë e më me pak shqiptarë, gjithnjë e më shumë të dëshpëruar në Atdheun e tyre, që kërkojnë shpëtim në botë”.
Kam bindjen se këto meditime të personazhit të romanit, që doemos janë edhe meditime të autorit të tij, do të bëhen realitet në një kohë më të shkurtër se sa ai e parashikonte. Rajoni, Europa dhe Bota, ka kohë që po e vlerësojnë dhe po e evidentojnë veprën teorike e praktike të Udhëheqësit shqiptar, Enver Hoxha, vepër e cila kapërcen kufijt e vendit që Ai drejtoi për një periudhë gjysëm shekullore, dhe rrezaton fuqishëm edhe për shekujt pasardhës.
Mjerë ne bashkëkombësit për këtë vonesë të pafalshme në vlerësimin e veprës së Tij madhore, të cilën, e përsëris, nuk mund të nxërë asnjë roman Artistik, apo Historik qoftë!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 23/04/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk