Patetikët që e plaçkitën Kosovën përkrah Hashim Thaçit, dhe ia dorëzuan Serbisë çelësat e saj për njëzet vjet me radhë, sot dalin e na shpallin, me zë të dridhur prej altoparlantësh, se ai qenka në Hagë duke u flijuar për ne. Na tregojnë se qenkemi një popull që s’e ka merituar lirinë, ndërsa përpiqen ta fusin lirinë në një kuti kartoni, si dhuratë të sjellë nga Thaçi, ai që, në të vërtetë, e grabiti atë dhe ia vuri Kosovës prangat serbe për herë të dytë, njëzet vjet pas luftës.
Unë shkruaj për të vërtetën, jo për legjendat e tymta të oborrit partiak e atij kriminal të lidhun me prangat e dinarit të Beogradit. Prandaj nuk e përtyp dot këtë poshtërsi të servilëve të Beogradasve që na vjen her nga Tirana e her nga Prishtina me flamuj të ndryshëm e fytyra të njejta, e që na shiten si patriotë.
Dua ta them qartë: Hashim Thaçi nuk mbahet në Hagë as për mua, as për ty, as për popullin, as për lirinë. Ai mbahet atje për akuza penale, të cilat duhet t’i përballojë me prova, jo me brohoritje, jo me lavdi të fabrikuara në zyrat e propagandës.
Mos ma shisni këtë narrativën e rreme: “Ai po sakrifikohet për ju që s’e meritoni lirinë.” Mos ma servirni as sloganin “Liria ka emër”, duke aluduar në emrin e tij, sikur liria e një populli të mund të futet në kllapa, pas një mbiemri.
Ai nuk ka sakrifikuar asgjë nga ato që përbëjnë sakrificën e vërtetë, sepse:
• Nuk është burgosur duke luftuar.
• Nuk është arrestuar në betejë.
• Nuk është kapur në front.
• Nuk ka luftuar në front.
Ai është thirrur përballë drejtësisë ashtu si thirren të gjithë ata që kanë mbajtur pushtet dhe janë të detyruar të japin llogari. As më shumë, as më pak. Kjo nuk është as epope, as poemë heroike: është një proces gjyqësor.
Mos e ngatërroni lirinë e popullit me fatet juridike të individëve. Liria nuk është dhuratë personale e Thaçit, as e imja, as e jotja. Ajo është fryt i një procesi shumë më të gjatë dhe më të thellë, ku kanë rënë dëshmorë të vërtetë, njerëz pa zyra dhe pa eskortë, që nuk bënë karrierë në paqe duke e plaçkitur Kosovën e duke i hapur sërish derën Serbisë, por e paguan me jetën e tyre çlirimin. Liria u përket atyre dhe atyre që vijnë pas nesh, jo atyre që përpiqen ta kthejnë në dekor të biografisë së tyre politike


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
