-Gazeta SOT, 24 Korrik 2024-
Qyteti i Memaliajt gjendet rreth shtatë kilometra në veri të Tepelenës; në breg të Vjosës, ujërat e së cilës lagin tri anët e qytetit në fjalë, duke i dhënë atij trajtën e një gadishulli të vogël. Në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar, Memaliaj ishte një fshat i vogël dhe i thjeshtë, por falë mineralit të qymyrgurit që kishte nëntoka e tij, shumë shpejt do të shndërrohej në qytet. “Qyteti i punëtorëve”, siç do të cilësohej, për gjysëm shekulli të periudhës socialiste, i dha vendit një kontribut të çmuar në furnizimin me qymyr guri të cilësisë së parë, i cili do të përdorej për industrinë e vendit, por edhe për eksport. Në vitin 1951 miniera në fjalë u shndërrua në ndërmarrje të mirëfilltë, duke nisur rregullisht nxjerrjen e mineralit, por njëherësh edhe ngritjen e qytetit për banorët e saj. Pas 40 vjet veprimtari industriale, miniera e rriti me 160 herë sasinë e nxjerrjes së qymyrit, në krahasim me vitin e parë të nisjes si ndërmarrje. Pos kësaj, qyteti që tashmë kishte marrë formë të plotë, arriti në rreth 7500 banorë, duke u barazuar, e madje edhe kaluar vetë qendrën e rrethit, Tepelenën.
Qyteti i Memaliajt, gjatë periudhës së socializmit ishte ndërtuar, kompletuar e hijeshuar më mirë se shumë qytete të tjera, të cilët gëzonin edhe statusin e rrethit apo të qarkut. Memaliaj kishte të njëjtat institucione arsimore, shëndetësore, kulturore, e sportive si edhe vetë qendra e rrethit, por gjallëria e veprimtarive prodhuese e argëtuese ia kalonte shumë rretheve e qyteteve të tjera me traditë të hershme. Nëse brezi i ri i sotëm, është kurioz të dijë diçka më tepë për qytetin Memaliaj, le të organizojë një takim me aktorin e famshëm të humorit, Agron Llakaj, i cili, jo vetëm u rrit në Memaliaj, por këtu arriti edhe parametrat e një artisti të vërtetë të humorit, me reputacion të lartë në shkallë republike. Ai e din më mirë se askush “biografinë” e ktij qyteti punëtorësh.
Për fat të keq, ashtu siç ka ndodhur e po ndodh edhe me qytete, fshatra e qendra të tjera industriale e bujqësore të periferisë së vendit, me fillimin e shekullit të 21, që përkon me restaurimin e “demokracisë borgjeze”, nisi edhe rënia në varfëri ekstreme e qytetit të Memaliajt, çka i detyroi banorët e tij ta braktisnin qytetin e bukur e të begatë dhe të merrnin rrugën e mërgimit. Sot në qytetin e braktisur kanë mbetur rreth një e treta e banorëve, pothuaj të gjithë të moshës së tretë, që kafërdisen me pensione e asistencë sociale mjerane. Themi të braktisur, sepse prej tri dekadash e më tepër, aty, përveç ditëve të fushatave elektorale, ku kërkohet të “vilet” vota e zgjedhësve, nuk duket këmbë zyrtari e qeveritari të qendrës apo dhe të bazës. “Gadishulli” Memaliaj, është kthyer në një ishull i shkretuar, ku përveç banorëve të rrallë, askush nuk kthehet të pijë një kafe, e të freskohet me ujrat e kaltra të Vjosës plakë. Një braktisje totale që e ka mënjanuar qytetin nga vëmendja e miqve dhe shokëve, që dikur i kishte të shumtë.
Por, ndërsa e kanë harruar shokët, miqtë dhe veçanërisht qeveritarët dhe vetë shteti, Memaliajn nuk e ka harruar krimi. Me datën 20 korrik 2024, “skuadra” e krimit me pagesë, apo “vullnetarisht”, në prani të klientëve të një klubi të qytetit, ku gjerbet kafja e zezë me pak sheqer, derdhi një breshëri të gjatë plumbash kallashnikovi. “Shënjestra” ishte e përcaktuar, por plumbat e shumtë, e kapërcyen “objektin”, dhe përveç atij që ia kishin “planizuar” fatin, dërguan në varr edhe dy të tjerë, të cilët po shijonin një pije të thjeshtë pas punëve të lodhshme të ditës. Midis të vrarëve të “paplanifikuar” edhe kamarieri 36 vjeçar, Gledio Mukaj, i cili, siç tregon gjyshja e tij e mbytur në lot, kishte disa ditë që ishte punësuar për të nxjerrë bukën e gojës, në një qytet ku nuk prodhohet asgjë, por vetëm konsumohet asistencë dhe lot dhimbjeje për të larguarit jashtë vendit.
Jeta e njeriut është e dhimbshme për të gjithë. Po kur ajo shuhet, pa asnjë gram faji në botë, dhimbja kapërcen çdo kufi. I riu Gledio, kishte punuar gjithë ditën në shërbim të klientëve, dhe priste të shkonte natën vonë në shtëpi, për të pushuar disi e për t’u përgatitur për të nesërmen. Por plumbat ia prenë në mes rininë dhe vetë jetën.
Rastësi?! Jo, nuk ishte rastësi. Në Memaliaj, ashtu si në pothuaj shumë qytete e fshatra të zonave rurale, ndërsa ka pushuar jeta e gjallë dhe aktive e njerëzve dikur të punës e të prodhimit, tashmë pas braktisjes nga shteti, ka nisur “aktiviteti” i drogës, korrupsionit dhe krimit. Në Memaliaj nuk ka sot më tepër se dy mijë banorë, qetësia dhe siguria e të cilëve mund të sigurohet me një postë të vogël policie. Nëse kjo e fundit bashkërendon e bashkëpunon me komunitetin, dhe nëse shteti është i organizuar gjer në cepin më të largët të vendit. Mungojnë forcat e violencës? Jo, ato janë me shumicë; plot 16 mijë policë të rendit, pa llogaritur policitë bashkiake, finaciare, rrugore, ato të ndërhyrjes së shpëjtë, etj., plus dhjetra e qindra prokurorë, gjyqtarë, hetues, përfshi edhe kontigjentin e shkallës së lartë të SPAK-ut të famshëm, që vigjëlojnë dhe veprojnë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. E megjithatë, këto dy “asete” kanë mbuluar gjithë piramidën tonë të shoqërisë, nga kryeqyteti e gjer në Memaliajn e largët. Është pikërisht kjo arsyeja që, edhe pas tre apo katër ditësh, policia dhe organet kompetente nuk arrijnë të përcaktojnë identitetin e vrasësve. Korrupsioni tashmë ka hyrë në gjithë damarët e shoqërisë dhe të vetë shtetit, duke e shndërruar këtë të fundit në “narkoshtet”, të korruptuar gjer në kupolën e tij. Si i tillë, ai, domethënë shteti, është krejt formal, ose në pjesën më të madhe bashkëpunëtor me krimin.
Vini re: Tre vetë të vrarë, dy prej të cilëve se u ndodhën rastësisht në vendin e gabuar, në mes të qytetit të vogël të Memaliajt, bri rrugës nacionale Tiranë-Gjirokastër, dhe policia as që i është afruar gjurmëve të vrasësve. Përkundër kësaj përgjegjësie të dukshme të organeve të rendit, as që i ka shkuar në mendje ndonjë graduati të japë dorëheqjen. Ose më e pakta, ndonjëri prej tyre të shkonte për ngushëllim tek familjet e dy viktimave, që u vranë thjeshtë se u ndodhën në vendin e gabuar, ndërsa policia dhe organet e rendit, nuk ishin në “vend-rojet” e tyre. Besoj se shumë qytetarë, kanë pritur që në familjen e të riut Gledion Mukaj të shkonte vetë Kryeministri, dhe në vend të mungesës së “podcastit” me të riun, të ngushëllonte familjarët për gjëmën e madhe që i ka gjetur. Por kjo nuk ndodhi, sepse njerëzit e zakonshëm, qofshin edhe të rinj, si puna e Gledionit, por që banojnë në qytete të harruar si puna e Memaliajt, nuk përbëjnë objekt bisede e propaganda për kryeministrin tonë. Ai tashmë është një VIP që hyn tek elita ndërkombëtare, ku mundohet të shesë sa më shtrenjtë gjatësinë e tij trupore, i bindur se atletet e bardha me kostum të zi, bëjnë më shumë përshtypje se një “podcast” me një të ri të zakonshëm.
E shkrova këtë fragment me këtë theks të veçantë, për të treguar se politikanët dhe pushtetarët aktualë, gjer lart tek maja e piramidës shoqërore e shtetërore, jo vetëm nuk kanë asnjë aftësi e përkushtim për të ngritur shtetin, rendin dhe demokracinë e propaganduar, por kanë humbur edhe ndjesinë njerëzore për qytetarët që kanë marrë përsipër t’i udhëheqin e mbrojnë në rrugën e vështirë të demokracisë së vërtetë. Politikanët dhe pushtetarët aktualë, nuk janë gjë tjetër veçse pasqyrë e gjallë e sistemit të kalbur kapitalist, pa asnjë mundësi për t’u shndërruar në liderë të vërtetë të qytetarëve.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!