Cili popull me tradita historike shtetërore, me kulturë të pasur, me gjuhë shekullore standarde, me identitet historik kombëtar nuk do të shtronte pyetjen: a mund të trajtohen fare seriozisht ata që aq lehtë ndryshojnë gjuhën standarde, ndryshojnë besimin fetar, ndryshojnë identitetin kombëtar?
Cili prej këtyre popujve nuk do të thoshte: ata që ndërrojnë lehtë gjuhë e fe e identitet historik ata i ndërrojnë lehtë e shpejt edhe miqtë. Ata lehtë mund të përdoren, por ata nuk meritojnë të nderohen!
Historia e falsifikuar dhe historia e vërtetë
Kurrë për një kohë më të shkurtër nuk kam dëgjuar më shumë gënjeshtra për individë, ngjarje, të bëra e të mosbëra politike se ç’kam dëgjuar në fundin e janarit e në fillimin e shkurtit të këtij viti! Dhe, kjo që kam dëgjuar dhe kam lexuar në këtë kohë më nxit të bëj edhe këtë pyetje.
Mos po mendojmë ne se duke e falsifikuar historinë tonë më të re, siç po ngjet javëve të fundit sidomos – duke e margjinalizuar plotësisht rolin vendimtar, historik, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në çlirimin e Kosovës prej pushtimit të Serbisë dhe duke e glorifikuar politikën e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të partive të tjera satelite të saj që ishin kundër UÇK-së dhe luftës së saj, mos po mendojmë ne, pra, se me një servilizëm të këtillë ndaj atyre që politikën nënshtruese e quajnë politikë paqësore, do të përfitojmë fare përkrahjeje më shumë për qëllimin tonë historik: për pavarësinë e Kosovës? Jo. Pa dyshim jo.
As Konferencën e Rambujesë; as ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në mars të vitit 1999; as vendosjen e KFOR-it dhe të UNMIK-ut në Kosovë në qershor të vitit 1999; as bisedimet e filluara për statusin përfundimtar të Kosovës tani, nuk i ka sjellë mimikria, servilizmi – politika nënshtruese e LDK-së dhe e partive satelite të saj.
Edhe Konferencën e Rambujesë; edhe ndërhyrjen e NATO-s në mars të vitit 1999; edhe vendosjen e NATO-s dhe të KFOR-it në Kosovë në qershor të vitit 1999; edhe fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës tani; edhe pavarësinë e pashmangshme sovrane të Kosovës i ka sjellë lufta e filluar si luftë vetëmbrojtëse dhe e vazhduar si luftë çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe politika e qëndresës vepruese e intelektualëve, dhe e grupeve e partive ilegale.
Dhe, këtë të vërtetë e dinë fare mirë të gjithë – edhe ndërkombëtarët, edhe vendorët.
Por, ndërkombëtarët po na e servojnë rishtazi, tani duke e glorifikuar, gjedhen e politikës nënshtruese, që e quajnë paqësore, jo vetëm pse këtë politikë e kanë përkrahur deri nga fundi i vitit 1998, kur do ta pranojnë UÇK-në, por edhe pse një politikë e tillë iu përgjigjet tani gjatë bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës.
Duan, kështu, që përpara ta shpallin të paligjshme çdo revoltë të pritshme të shqiptarëve, në qoftë se statusi përfundimtar nuk do të nënkuptojë përmbushjen e idealit për të cilin janë dhënë aq jetë dhe janë bërë aq sakrifica.
Vendorët, ata që e bëjnë falsifikimin e historisë më të re të Kosovës, e bëjnë këtë siç e kanë bërë edhe përpara – të përgjumur, servilizueshëm dhe për të njëjtin qëllim për të cilin e kanë bërë edhe përpara – për karrierizëm të përkrahur!
Le ta bëjnë! Le ta bëjnë, por të mos harrojmë: