QYTET ME 50.000 BANORË NDËRKOMBËTAR NË DIVJAKË-KARAVASTA (Projekt-Propozim ndërkombëtar)

01
Jul
2026
Autor: Kol Marku, studiues

***
© 2026 Kol Marku. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ky material mund të citohet vetëm duke përmendur autorin dhe burimin. Ndalohet kopjimi, ndryshimi ose publikimi i plotë pa lejen e autorit.
***
“Çfarë po paraqitet, çfarë nuk është sqaruar dhe pse Divjakë-Karavastaja kërkon transparencë të plotë publike”
Një projekt i studiove ndërkombëtare për Divjakë-Karavastanë u bë pjesë e debatit publik pas paraqitjes së tij në kuadrin e Pavijonit Shqiptar në Bienalen e Arkitekturës në Venecia 2025.
Në këtë pavijon u prezantua tema “Building Architecture Culture”, ndërsa si komisioner mori pjesë përfaqësuesi i Qeverisë shqiptare, Blendi Gonxhja, në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Sipas botuesit të librit “The Albanian Files”, materiali përmbledh kontributet e 60 studiove arkitekturore ndërkombëtare që kanë punuar ose propozuar projekte në Shqipëri.
1). Pse ky debat nuk është vetëm arkitekturë ?
Debati për Divjakën nuk duhet trajtuar si thashethem politik dhe as si kundërshtim emocional ndaj çdo investimi.
Ai është një çështje e rëndësishme e planifikimit kombëtar, sepse lidhet me një territor të mbrojtur, me një ligatinë të njohur ndërkombëtarisht, me bregdet publik, me bujqësinë e Myzeqesë dhe me pyetjen themelore:
kush vendos për fatin afatgjatë të pasurive natyrore të Shqipërisë?
Në materialet e lidhura me Pavijonin Shqiptar në Bienalen e Arkitekturës në Venecia 2025 dhe në librin «The Albanian Files – Freedom and Architecture» paraqitet një vizion me titull “Divjakë Wetlands – A Vision for Coexistence”.
Sipas materialit të përkthyer nga tetë faqet që kemi mundur të kontaktojmë nga ky liber, projekti përfytyron një «QYTET -LABORATOR» në zonën e Divjakë-Karavastasë, me kanale ujore, liqene, komunitete ndërkombëtare, bujqësi urbane, transport të pastër, qendra kërkimore dhe rreth 50.000 banorë nga vende të ndryshme të botës.
Kjo nuk provon automatikisht se projekti është miratuar ligjërisht.
Një libër arkitekture nuk është leje ndërtimi, nuk është vendim i Këshillit Kombëtar të Territorit, nuk është vlerësim i ndikimit në mjedis dhe nuk zëvendëson konsultimin publik.
Por pikërisht këtu lind problemi: kur një projekt ka përmasë qyteti dhe vendoset në një zonë të mbrojtur, ai nuk mund të mbetet vetëm në gjuhën e vizioneve, ekspozitave dhe imazheve artistike.
Kjo çështje duhet të sqarohet para qytetarëve me dokumente dhe të hetohet nga mediat investigative dhe organet e drejtësisë, në mënyrë që të mos përdoret si slogan propagandistik, as në favor dhe as kundër qeverisë dhe te jetë objekt transparence.
2). Çfarë dihet me siguri nga burimet publike
Shtëpia botuese Lars Müller Publishers e përshkruan “The Albanian Files” si një botim që mbledh kontributet e gjashtëdhjetë studiove ndërkombëtare që punojnë në Shqipëri.
Botuesi thotë se libri përfshin reflektime mbi arkitekturën e ndërtuar dhe të propozuar në Shqipëri, është redaktuar nga Anneke Abhelakh, ka parathënie nga Edi Rama, është në anglisht, ka 796 faqe dhe rreth 1.500 ilustrime.
Faqja zyrtare e Bienales së Venecias për Pavijonin Shqiptar 2025 e paraqet ekspozitën me titull “Building Architecture Culture”. Aty shënohen Blendi Gonxhja si komisioner, Anneke Abhelakh si kuratore dhe një listë e gjatë studiove ndërkombëtare pjesëmarrëse.
Kjo e vendos librin dhe ekspozitën në një kuadër përfaqësimi zyrtar, jo thjesht në një ekspozitë private pa lidhje me institucionet shqiptare.
Prandaj, dallimi që duhet bërë është ky: botimi i një projekti nuk është miratim ndërtimi, por publikimi i tij në një platformë zyrtare ndërkombëtare krijon përgjegjësi sqarimi.
Nuk mjafton të thuhet “është vetëm ide”. Pyetja është: pse një ide e tillë për Divjakën nuk u diskutua më parë me banorët, me ekspertët e mjedisit, me Bashkinë Divjakë, me Kuvendin dhe me opinionin publik shqiptar?
3). Fakti çfarë tregon e çfarë nuk provon ?
Libri The Albanian Files ekziston dhe është botim ndërkombëtar Tregon se projektet për Shqipërinë janë paraqitur në një formë të organizuar editoriale
Nuk provon leje ndërtimi ose kontratë investimi
Parathënia e librit është bërë nga Kryeministri Edi Rama dhe tregon lidhje simbolike dhe institucionale me përfaqësimin shqiptar por nuk provon miratim të çdo projekti në libër
Pavijoni kishte komisioner ministër shqiptar Tregon përfaqësim zyrtar në Bienale, por nuk provon se çdo projekt është plan qeveritar i miratuar.
Projekti flet për 50.000 banorë trgeon një përmasë qyteti dhe ndikim demografik Nuk sqaron statusin e banorëve, pronësinë, qëndrimin ose shtetësinë.
Zona është Park Kombëtar dhe Ramsar Tregon ndjeshmëri të lartë mjedisore Nuk ndalon çdo aktivitet, por kërkon kufizime dhe garanci shumë të forta
4) . Përkthimi i redaktuar i tetë faqeve të librit (shiko fotografitë në fund të shkrimit)
Në tetë faqet e përkthyera, projekti e paraqet Divjakën si “vizion për bashkëjetesë” në ligatina. Ideja kryesore është krijimi i një ekosistemi urban ku natyra, inovacioni dhe ndërgjegjja kolektive bashkohen.
Qyteti përshkruhet si “laborator global” për klimën, biodiversitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, ku kërkimi shkencor, bashkëpunimi ndërkombëtar, ekoturizmi dhe praktikat rigjeneruese do të ndërthuren me jetën e përditshme.
Projekti vendoset në zonën e Parkut Kombëtar të Divjakës, pranë Lagunës së Karavastasë, habitat i pelikanit kaçurrel.
Në material flitet për një territor të rikuperuar rreth 8 km të gjatë dhe 4 km të gjerë. Një pjesë e territorit do të lidhej me detin, me kanale, liqene dhe rrugë ujore.
Ky është elementi që e bën projektin më shumë se një resort: nuk flitet vetëm për hotele apo vila, por për një strukturë urbane me sistem ujor, energjetik, administrativ dhe social.
Qyteti paraqitet si “organizëm”. Në këtë organizëm dallohen tri shtresa: peizazhi ajror, peizazhi tokësor dhe peizazhi ujor.
Peizazhi ajror parashikon shëtitore të ngritura për këmbësorë, në mënyrë që toka poshtë tyre të mbetet e lirë për natyrën.
Peizazhi tokësor parashikon korridore të gjelbra, shtigje ekologjike dhe lidhje të vazhdueshme të hapësirave natyrore.
Peizazhi ujor parashikon kanale, liqen qendror dhe lëvizje me mjete ujore.
Në strategjinë e ujit dhe energjisë, projekti flet për një rezervuar me ujë të ëmbël brenda një mjedisi ku ndikimi i ujit të kripur është i lartë. Ky rezervuar do të grumbullonte ujërat e shiut dhe ujërat e zeza të trajtuara për ripërdorim, me qëllim që të ulet presioni mbi ujërat nëntokësore dhe të frenohet depërtimi i kripës.
Projekti pretendon edhe përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe madje prodhim teprice energjie për rajonin.
Në pjesën e lëvizjes, projekti thotë se transporti tradicional do të ndalet në qendra mobiliteti në skajet e parkut.
Prej aty, lëvizja brenda territorit do të bëhet me automjete elektrike, transport publik, mjete të qeta ujore dhe shëtitore.
Në dukje kjo është gjuhë ekologjike, por pyetja mbetet: a mundet një sistem i tillë të përballojë ndikimin real të një qyteti me 50.000 banorë pa dëmtuar lagunën, pyllin, dunat, faunën dhe jetën e banorëve lokalë?
Pjesa më e ndjeshme është demografia.
Materiali flet për rreth 50.000 banorë si “masë kritike” për funksionimin e vendbanimit-laborator. Ai përmend komunitete sporti, arti, dijeje, mirëqenieje, lundrimi, bujqësie urbane dhe zona administrative.
Këta banorë paraqiten si njerëz nga vende të ndryshme të botës që bashkëpunojnë mbi sfida globale.
Por materiali nuk sqaron statusin juridik të tyre: a do të jenë rezidentë të përhershëm, vizitorë afatshkurtër, studentë, studiues, pronarë banesash apo banorë të regjistruar në një qytet të ri?
Projekti flet edhe për zhvillim me faza. Kjo do të thotë se qyteti nuk do të ndërtohej menjëherë, por me lagje të vetëqëndrueshme që shtohen njëra pas tjetrës. Ky model zvogëlon rrezikun financiar të ndërtimit të menjëhershëm, por rrit një rrezik tjetër: sapo të nisë faza e parë, krijohet presion që fazat e tjera të vazhdojnë, edhe nëse ndikimet mjedisore dalin më të rënda se parashikimi.
5). Pse Divjakë-Karavastaja është territor shumë i ndjeshëm
I gjithë bregdeti shqiptar është shumë i rendsishem por Divjakë-Karavastaja nuk është tokë e zakonshme ndërtimi. UNDP e përshkruan Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta si një nga zonat më të mëdha bregdetare të mbrojtura në Shqipëri, me 22.230,2 hektarë, me katër laguna, rreth 5.000 hektarë duna rëre dhe deltë lumi, të vendosur midis Shkumbinit dhe Semanit; dokumenti thekson se parku është listuar si zonë Ramsar që nga viti 1994.
Agjencia Kombëtare e Turizmit e paraqet parkun si një nga pasuritë natyrore më të mëdha të Shqipërisë, me laguna, pyje pishe bregdetare, plazhe, këneta dhe kripore.
Ajo thekson se parku është pjesë e listës Ramsar dhe ka rëndësi të veçantë për ruajtjen e biodiversitetit.
Kjo e vendos projektin në një kategori krejt tjetër nga një zhvillim i zakonshëm urban.
Në një zonë të tillë, nuk mjafton që projekti të quhet “i gjelbër”. Duhet provuar se nuk dëmton ciklin e ujit, nuk prish habitatet, nuk rrit ndotjen, nuk fragmenton pyllin, nuk prek dunat, nuk krijon presion ndërtimi dhe nuk zëvendëson interesin publik me interesin imobiliar.
Një studim i vitit 2025 mbi evolucionin e peizazhit të Divjakë-Karavastasë vëren se zona ka pësuar ndryshime të mëdha nga rikuperimet e tokës, kullimet, fragmentimi i pyjeve, kripëzimi i tokës, urbanizimi i shpërndarë dhe përdorimi i pakontrolluar i burimeve.
Autorët rekomandojnë restaurim të ligatinave, rregullim të rreptë të ndërtimit dhe pjesëmarrje aktive të komunitetit lokal.
6). Problemet kryesore që sjell projekti
Problemi i parë- është statusi ligjor. Deri tani, nga materiali i shqyrtuar, nuk del qartë nëse “Divjakë Wetlands” është vetëm vizion akademik-arkitekturor, propozim i studios, projekt paraprak zhvillimi, ide e përfshirë në një strategji shtetërore apo projekt me interes investimi. Pa këtë sqarim, publiku nuk mund të dijë nëse po diskuton një fantazi arkitekturore apo një plan që mund të kthehet në vendim administrativ.
Problemi i dytë -është mjedisi. Një qytet me 50.000 banorë, edhe kur quhet ekologjik, kërkon ujë, energji, transport, kanalizime, ushqim, shërbime, mbetje, mirëmbajtje dhe siguri.
Çdo një nga këto elemente krijon presion mbi një ekosistem të brishtë. Në një lagunë, problemi nuk është vetëm godina; problemi është drita, zhurma, rrjedhja e ujërave, kripëzimi, lëvizja, trafiku, turizmi masiv dhe ndryshimi i ritmit natyror të zonës.
Problemi i tretë -është prona. Nëse toka është publike, bujqësore, park, zonë tampon, pyll, plazh ose habitat, nuk mund të trajtohet si mall privat pa transparencë të plotë.
Nëse ka pretendime pronësie private, duhet të verifikohet origjina, kufijtë, ligjshmëria, mbivendosjet dhe përputhja me statusin e zonës së mbrojtur.
Asnjë pronar, investor apo kompani nuk mund të sillet sikur bregdeti, laguna dhe parku janë hapësirë e lirë për shitje.
Problemi i katërt -është demografia.
Një qytet me 50.000 banorë nuk është kamp veror dhe as rezidencë artistësh. Ai ka nevojë për regjistrim civil, shkolla, shëndetësi, polici, administratë, taksa, infrastrukturë, furnizim dhe rregulla bashkëjetese. Nëse banorët do të jenë ndërkombëtarë, duhet sqaruar marrëdhënia e tyre me shtetin shqiptar, me komunitetin vendor dhe me pronësinë e tokës.
Problemi i pestë- është transparenca. Një projekt i tillë duhet të ishte shpjeguar fillimisht në Divjakë dhe në Shqipëri, jo të zbulohej nga publiku përmes faqeve të një libri ndërkombëtar. Në demokraci, projektet që prekin territorin kombëtar dhe zonat e mbrojtura nuk duhet të dalin para qytetarëve si fakt i kryer, por si debat i hapur.
Nëse ky projekt pranohet nga qeveria dhe do të realizohej në përmasat e paraqitura (qytet i ri me rreth 50.000 banorë, funksione ndërkombëtare, qendër kërkimi dhe inovacioni brenda ose pranë Parkut Kombëtar të Divjakë-Karavastas), Shqipëria mund të kishte si përfitime ashtu edhe kosto. Shumë prej tyre varen nga mënyra e zbatimit, kuadri ligjor dhe kontrolli shtetëror.
7). Përfitimet e mundshme
7.a. Investime të mëdha. Investime në infrastrukturë. Rrugë, energji, ujësjellës, kanalizime.Teknologji të reja mjedisore.
7.b. Punësim: Mijëra vende pune gjatë ndërtimit. Punësim në kërkim shkencor. Punësim në turizëm. Punësim në shërbime.
7.c. Turizëm: Nëse projekti funksionon siç parashikohet, mund të krijojë: turizëm shkencor; turizëm ekologjik; konferenca ndërkombëtare; universitete verore.
7.ç. Teknologji: Mund të sillte: energji të rinovueshme; riciklim modern; menaxhim modern të ujërave; sisteme inteligjente transporti.
Rritje ekonomike: Në teori: rritje të PBB-së; rritje të eksporteve të shërbimeve; rritje të të ardhurave fiskale.
8 ). Humbjet ose rreziqet (Këtu lindin pyetjet më të mëdha).
8.a. Presioni mbi Parkun Kombëtar: Divjakë-Karavastaja është një nga ligatinat më të rëndësishme të Mesdheut. Një qytet prej 50.000 banorësh do të sillte: ndotje; ndriçim artificial; zhurmë; kanalizime; transport; presion mbi faunën. Edhe nëse projektohet si “eko-qytet”, ndikimi mbi habitatet duhet të vlerësohet shumë me kujdes. Parku ka rëndësi të veçantë për pelikanin kaçurrel dhe shumë specie të tjera të mbrojtura.
8.b. Humbja e tokës bujqësore: Nëse qyteti zgjerohet me kalimin e kohës: humbet tokë bujqësore; ndryshon ekonomia lokale; zvogëlohet sipërfaqja prodhuese.
8.c. Ndryshimi demografik: Nëse shumica e banorëve do të ishin të ardhur nga vende të ndryshme: ndryshon struktura demografike; ndryshon tregu i punës; ndryshojnë kërkesat për banim dhe shërbime. Kjo nuk është domosdoshmërisht negative, por ka pasoja që duhen planifikuar.
8.ç. Presioni urban: Një qytet nuk mbetet gjithmonë me 50.000 banorë.
Në 50-100 vjet: mund kërkonzgjerim; më shumë rrugë; më shumë shkolla; më shumë spitale; më shumë energji; më shumë ujë. Një nga mungesat më serioze të dokumentit është mungesa e një projekcioni demografik afatgjatë. Projekti flet për 50.000 banorë, por nuk sqaron nëse ky është kufiri maksimal apo vetëm faza e parë. Ndërkohë vetë dokumenti flet për zhvillim me faza, pra për një qytet që rritet gradualisht. Nëse marrim si bazë 50.000 banorë dhe zbatojmë disa norma mesatare rritjeje, skenarët janë këta:
8.d. Rritja vjetore Pas 50 vjetësh Pas 100 vjetësh
0.5% rreth 64.000 rreth 82.000
1% rreth 82.000 rreth 135.000
1.5% rreth 105.000 rreth 222.000
2% rreth 135.000 rreth 362.000
Pra, edhe me një rritje të moderuar prej 1% në vit, qyteti pas një shekulli mund të arrijë rreth 135.000 banorë. Me një rritje më të lartë, 2% në vit, mund të shkojë teorikisht mbi 360.000 banorë. Këto nuk janë shifra të projektit. Janë skenarë analitikë për të treguar se një qytet nuk mund të planifikohet vetëm për ditën e hapjes. Ai duhet të ketë kufij, rezerva, rregulla zgjerimi dhe mekanizma kontrolli. Vetë projekti përmend një territor rreth 8 km × 4 km, pra afërsisht 32 km².
Me 50.000 banorë, dendësia do të ishte rreth 1.560 banorë/km². Kjo është dendësi relativisht e ulët, e kuptueshme për një qytet me vila, kanale, parqe, bujqësi urbane dhe hapësira ujore. Nëse kjo dendësi ruhet, atëherë sipërfaqja e nevojshme do të rritej kështu:
8.dh. Popullsia Sipërfaqja me të njëjtën dendësi
50.000 32 km²
82.000 rreth 52 km²
135.000 rreth 86 km²
222.000 rreth 142 km²
362.000 rreth 232 km²
Nëse qyteti do të arrinte skenarin e lartë prej 360.000 banorësh pas një shekulli, ( aq sa mund të jetë kontrata me koncesion apo perdorim ) duke ruajtur modelin e ulët të dendësisë, do të kërkonte një territor rreth 230 km². Kjo do të ishte një sipërfaqe shumë e madhe për një rajon ku bashkëjetojnë park kombëtar, lagunë, tokë bujqësore dhe vendbanime lokale.
Në përmasa gjeometrike, 230 km² do të mund të përkthehej afërsisht në:
• 23 km × 10 km;
• 19 km × 12 km;
• 15 km × 15 km.
Këto shifra nuk janë parashikim zyrtar. Janë një paralajmërim analitik: nëse nuk përcaktohet kufiri maksimal i popullsisë dhe i territorit, një qytet i tillë mund të kthehet në burim presioni të vazhdueshëm mbi tokën dhe mjedisin.
9). dikimi mbi biodiversitetin
Në dokument flitet për:bujqësi; komunitete; transport; kanale; liqene. Por çdo ndërhyrje e madhe në një ligatinë kërkon vlerësime shumë të rrepta sipas standardeve të mbrojtjes së zonave të mbrojtura dhe të Konventës Ramsar. Organizatat që punojnë për mbrojtjen e Divjakë-Karavastas kanë paralajmëruar se urbanizimi mund të rrezikojë habitatet nëse nuk kontrollohet me kujdes.
10). Çështja e sovranitetit
Kjo është një çështje politike dhe juridike. Nëse: toka mbetet pronë shqiptare; ligjet shqiptare zbatohen;
administrimi është shqiptar; investitorët janë vetëm përdorues ose zhvillues; atëherë nuk ndryshon sovraniteti territorial. Nëse, hipotetikisht, do të krijoheshin zona me regjim të veçantë juridik ose administrim të pavarur, atëherë do të lindnin çështje shumë më komplekse ligjore. Nga dokumentet që janë analizuar paraqitur nuk rezulton një regjim i tillë.
10.a. A është “kolonizim”?
Nga pikëpamja akademike dhe juridike, termi “kolonizim” përdoret kur ka elemente si: transferim i organizuar i popullsisë; vendosje e përhershme me mbështetje shtetërore; ndryshim i qëllimshëm i strukturës etnike ose politike; kontroll territorial ose administrativ nga një fuqi tjetër.
Dokumenti që kemi analizuar flet për një vizion urbanistik me 50.000 banorë dhe komunitete ndërkombëtare, por nuk përmban elemente që, vetvetiu, provojnë kolonizim në kuptimin juridik. Për të arritur një përfundim të tillë do të duheshin dokumente shtesë, si marrëveshje qeveritare, kontrata, akte ligjore ose plane zbatimi që të përcaktonin mënyrën e vendosjes së popullsisë.
11). Përmbledhje (Përfitime të mundshme Rreziqe të mundshme) !
Investime të huaja
Presion mbi Parkun Kombëtar
Punësim Humbje e tokës bujqësore
Infrastrukturë moderne Urbanizim i ligatinave
Turizëm ndërkombëtar Presion mbi biodiversitetin
Qendër kërkimore Ndryshime demografike
Teknologji dhe energji të pastër Nevoja për zgjerim të vazhdueshëm të qytetit
Për të vlerësuar nëse një projekt i tillë do të ishte në interes të Shqipërisë, do të duhej një analizë e plotë e dokumentacionit zyrtar: studimet e ndikimit në mjedis, përputhshmëria me ligjin shqiptar për zonat e mbrojtura, detyrimet sipas Konventës Ramsar dhe legjislacionit të Bashkimit Evropian, si edhe kushtet e investimit dhe të administrimit të territorit.
Në katër shembujt që përmendëm (kibucet/moshavet në Izrael, polderët në Holandë, Songdo në Korenë e Jugut dhe Masdar City në Emiratet e Bashkuara Arabe), regjimi i pronësisë së tokës ka qenë shumë i ndryshëm, por një element është pothuajse i përbashkët: shteti nuk ia ka kaluar të gjithë territorin në pronësi të huajve, sidomos kur bëhej fjalë për projekte strategjike.
12). Fusha e rrezikut Çfarë mund të ndodhë Garancia minimale që duhet kërkuar
Mjedisi Dëmtim i lagunës, pyllit, dunave dhe habitateve të shpendëve. Vlerësim i pavarur mjedisor dhe konsultim me ekspertë të biodiversitetit
Uji Kripëzim, presion mbi ujërat nëntokësore, prishje ekuilibri hidrologjik Studim hidrologjik publik dhe monitorim shumëvjeçar
Prona Privatizim faktik i tokës, bregdetit ose zonave publike Regjistër i hapur pronësie dhe kontroll gjyqësor/administrativ
Banorët lokalë Rritje çmimesh, zhvendosje ekonomike, humbje e kontrollit vendor Pjesëmarrje vendore dhe përfitim i garantuar për banorët.
Ekonomia Fitimi përqendrohet te investitori, kostot mbeten publike Kontratë transparente, taksa lokale dhe auditim publik
Sovraniteti vendimmarrës Vendimet merren jashtë kontrollit të komunitetit shqiptar Miratim vetëm pas debatit publik dhe dokumenteve të plota
Ligji Përdorim i boshllëqeve të ligjit për zonat e mbrojtura Përputhje me standardet Ramsar, IUCN dhe BE
Trashëgimia natyrore Zëvendësim i peizazhit natyror me peizazh të projektuar Parimi: restaurim para urbanizimit
13) . Përfitime të mundshme, por vetëm me kushte të forta
Nuk është serioze të thuhet se çdo investim është i keq. Në teori, një projekt i menaxhuar mirë mund të sillte vende pune, infrastrukturë, kërkim shkencor, energji të rinovueshme, ekoturizëm, konferenca, shkëmbime ndërkombëtare dhe rritje të imazhit të Shqipërisë. Por këto janë përfitime të kushtëzuara, jo të garantuara.
Përfitimi publik ekziston vetëm nëse shteti shqiptar mban kontroll mbi tokën, ligjin, taksat, mjedisin, administrimin dhe përfitimin lokal. Nëse projekti zhvillohet me kontrata të paqarta, me leje të përshpejtuara, me zona të mbyllura, me vila luksoze dhe me banorë që nuk lidhen me komunitetin lokal, atëherë “ekologjia” kthehet në fasadë dhe projekti bëhet real estate në gjuhë të gjelbër.
Precedenti i Divjakës e bën shqetësimin edhe më të arsyeshëm.
Në korrik 2020, instituti francez Tour du Valat, përmes rrjetit Mediterranean Wetlands Alliance, raportoi se projekti “Divjakë Resort Albania” ishte ndalur pas kundërshtimeve të organizatave mjedisore dhe shqetësimeve për cenimin e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta. Sipas këtij burimi, projekti parashikonte ndërtimin e një resorti turistik në zonën qendrore të parkut, me synimin për të shfrytëzuar rreth 12 kilometra vijë bregdetare dhe për të pritur deri në 18.000 vizitorë në ditë.
Ky shqetësim nuk ishte vetëm deklarativ. Vetë faqja e kompanisë Mabetex e përshkruante projektin si një zhvillim turistik dhe rezidencial që “bie kryesisht brenda kufijve të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta” dhe përfshinte një sipërfaqe totale prej 3.342 hektarësh, ku përmendeshin plazh, pyll i parkut kombëtar, tokë dhe sipërfaqe ujore/lagunore.
Vendimi zyrtar i Komitetit të Investimeve Strategjike, nr. 16/3, datë 4 mars 2019, refuzoi kërkesën për status “investim/investitor strategjik” për projektin “Divjaka Resort Albania”, me subjekt investues Mabetex Group, duke theksuar se projekti shtrihej brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta, prekte zonën qendrore, zonën rekreative dhe zonën e përdorimit tradicional, dhe nuk ishte në përputhje me legjislacionin për mjedisin dhe zonat e mbrojtura.
14). Kush mund të përfitojë Përfitimi i mundshëm Kushti që e bën të pranueshëm ?
Banorët lokalë Punësim, shërbime, treg për prodhime vendase Kontrata pune, përparësi lokale dhe mbrojtje nga zhvendosja ekonomike
Shteti shqiptar Taksa, imazh ndërkombëtar, teknologji Kontroll publik, auditim dhe përputhje ligjore
Investitorët/studiot Vlerë imobiliare, prestigj, të ardhura nga administrimi Përgjegjësi mjedisore dhe ndarje e drejtë e përfitimit
Mjedisi Restaurim ligatinash dhe menaxhim uji Vetëm nëse restaurimi është real dhe jo mbulesë për urbanizim
Turizmi Ekoturizëm dhe turizëm shkencor Numër i kontrolluar vizitorësh, jo turizëm masiv në zonë të brishtë
15). Krahasimi me modele ndërkombëtare
Nga pikëpamja urbanistike, projekti i Divjakës nuk i ngjan thjesht një resorti klasik. Ai ngjan më shumë me një eko-qytet të planifikuar: menaxhim i ujit, bujqësi urbane, transport i pastër, komunitete funksionale, qendër kërkimi dhe banim ndërkombëtar. Këto elemente gjenden në disa modele të ndryshme botërore, por asnjë krahasim nuk duhet përdorur për të fshehur dallimin kryesor: Divjaka është ligatinë dhe park kombëtar.
Ngjashmëria me kibucet ose moshavet është e kufizuar. Ka bujqësi, komunitet dhe organizim të planifikuar, por kibuci është komunitet bujqësor lokal, ndërsa Divjaka paraqitet si qytet ndërkombëtar. Ngjashmëria me polderët holandezë është më e madhe për shkak të rikuperimit të tokës dhe menaxhimit të ujit, por Holanda ka institucione shumë të forta kontrolli dhe ndërton kryesisht për nevoja të veta kombëtare. Ngjashmëria me Masdar City dhe Songdo lidhet me idenë e qytetit të ri, teknologjisë, energjisë së gjelbër dhe komunitetit ndërkombëtar, por Masdar është në shkretëtirë dhe Songdo është smart city biznesi; Divjaka është ekosistem natyror i brishtë.
Në katër shembujt që përmendëm (kibucet/moshavet në Izrael, polderët në Holandë, Songdo në Korenë e Jugut dhe Masdar City në Emiratet e Bashkuara Arabe), regjimi i pronësisë së tokës ka qenë shumë i ndryshëm, por një element është pothuajse i përbashkët: shteti nuk ia ka kaluar të gjithë territorin në pronësi të huajve, sidomos kur bëhej fjalë për projekte strategjike.
15.a. Izraeli – Kibucet dhe Moshavet
Kujt i përket toka? Në pjesën dërrmuese: toka është pronë e shtetit; ose e Fondit Kombëtar Hebre (Jewish National Fund); ose e Autoritetit të Tokës së Izraelit (Israel Land Authority). Rreth 93% e territorit të Izraelit nuk shitet, por jepet me qira afatgjatë, zakonisht 49 ose 98 vjet. Banorët: ndërtojnë; punojnë tokën; trashëgojnë të drejtat e përdorimit, por nuk bëhen pronarë absolutë të tokës shtetërore. Pra modeli është: Shteti ruan pronësinë.
15.b. Holanda- Polderët
Këtu modeli është krejt tjetër. Shteti: rikuperon tokën nga deti; ndërton diga; krijon infrastrukturën. Pastaj: një pjesë e tokës shitet; një pjesë jepet me qira; një pjesë mbetet publike. Qytetet si Almere nuk iu dhanë një kompanie të huaj. Ato: administrohen nga komunat holandeze; zbatohen ligjet holandeze; toka mbetet nën juridiksion holandez.
15.c. Songdo (Koreja e Jugut)
Songdo u zhvillua nga kompani private dhe investitorë ndërkombëtarë. Por: toka mbeti nën sovranitetin korean; planifikimi ishte shtetëror; administrimi është korean. Të huajt: mund të blejnë apartamente ose prona sipas ligjit, por nuk kanë kontroll territorial.
15.ç. Masdar City (Emiratet)
Masdar është ndërtuar nga: bu Dhabi Future Energy Company. Kompania është shtetërore.
Territori: mbetet pronë e Emiratit të Abu Dhabit. Të huajt: mund të investojnë; mund të marrin zyra; mund të jetojnë, por nuk zotërojnë qytetin.
15.d.Tabela krahasuese
Projekti Kujt i përket toka? Të huajt marrin pronësi?
Kibucet (Izrael) Kryesisht shtetit Jo, zakonisht vetëm qira afatgjatë
Polderët (Holandë) Shteti, komunat dhe privatët Vetëm sipas ligjit holandez
Songdo (Kore) Shteti dhe privatët koreanë Mund të blejnë prona, jo territor
Masdar (Emiratet) Emirati i Abu Dhabit Investime, jo kontroll territorial
15.dh. Po në projektin e Divjakës?
Nga tetë faqet që kemi përkthyer, nuk thuhet askund:
• kush do të jetë pronari i tokës;
• nëse toka do të shitet;
• nëse do të jepet me koncesion;
• nëse do të jepet me qira;
• sa do të zgjasë përdorimi;
• nëse banorët ndërkombëtarë do të kenë të drejtë pronësie mbi parcelat.
Dokumenti flet për:
• një qytet prej 50.000 banorësh;
• komunitete ndërkombëtare;
• vila;
• lagje;
• qendra kërkimi;
• komunitete artistike;
• komunitete sportive;
• komunitete bujqësore.
Por nuk shpjegon regjimin juridik të tokës. Kjo është pikërisht pyetja kryesore juridike
Nëse një projekt i tillë siç është reklamuar do të propozohej zyrtarisht në Shqipëri, dokumentacioni do të duhej të sqaronte:
1. Kush është pronari i tokës?
2.Kush e administron?
3. A shitet toka apo vetëm jepet në përdorim?
4. Për sa kohë?
5. A mund ta trashëgojnë të huajt?
6. A mund ta rishesin?
7. A mbetet gjithmonë nën juridiksionin shqiptar?
16). Çfarë duhet të kërkojnë qytetarët dhe institucionet
Kërkesa e parë duhet të jetë publikimi i plotë i pjesës “Divjakë Wetlands” dhe i çdo dokumenti të lidhur me të. Publiku duhet të dijë nëse projekti është vetëm ide editoriale apo ka pasur komunikime me institucione, investitorë, bashki, ministri, KKT, AKZM ose agjenci të tjera.
Kërkesa e dytë duhet të jetë deklarimi zyrtar i institucioneve: Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, AKZM, Bashkia Divjakë dhe Këshilli Kombëtar i Territorit duhet të sqarojnë nëse ekziston ndonjë procedurë, aplikim, plan, studim, hartë, memorandum ose interes investimi për këtë projekt.
Kërkesa e tretë duhet të jetë konsultimi publik në Divjakë, Lushnjë, Fier dhe Tiranë. Banorët lokalë nuk mund të jenë spektatorë të vendimeve që prekin tokën, plazhin, pyllin, lagunën, peshkimin, bujqësinë dhe ekonominë e tyre. Konsultimi nuk është formalitet; është kusht demokratik.
Kërkesa e katërt duhet të jetë moratorium për çdo procedurë konkrete ndërtimi në zonat e mbrojtura, derisa të sqarohen plotësisht efektet e ligjit nr. 21/2024 dhe përputhja me standardet e BE-së, Ramsar dhe IUCN. Debati i fundit europian mbi ndryshimet në ligjin shqiptar për zonat e mbrojtura e bën këtë edhe më urgjente.
Kërkesa e pestë duhet të jetë parimi “restaurim para urbanizimit”. Nëse Divjaka ka nevojë për ndërhyrje, ndërhyrja e parë duhet të jetë mbrojtja e lagunës, pyllit, dunave, ujërave dhe biodiversitetit; pas kësaj mund të diskutohet çdo model i kufizuar i turizmit ekologjik, por jo një qytet i ri pa garanci të jashtëzakonshme.
17). Zhvillim po, por jo pa dokumente dhe kontroll publik
Divjaka është pasuri kombëtare. Ajo nuk është boshllëk në hartë, nuk është tokë pa histori dhe nuk është laborator i mbyllur për eksperimente urbanistike. Projekti “Divjakë Wetlands” mund të jetë vetëm vizion arkitekturor, por përmasa e tij – qytet me 50.000 banorë, kanale, liqene, vila, bujqësi urbane, komunitete ndërkombëtare dhe funksione kërkimore – e bën të domosdoshëm sqarimin institucional.
Shqipëria ka nevojë për zhvillim, por zhvillimi nuk mund të nisë me mungesë informacioni. Nuk mund të quhet ekologjik një projekt vetëm sepse përdor fjalë si “bashkëjetesë”, “rigjenerim”, “energji e gjelbër” ose “laborator global”. Ekologjia provohet me studime, me monitorim, me kufizime, me përgjegjësi ligjore dhe me respekt për njerëzit që jetojnë aty.
Formula e drejtë është e thjeshtë: as refuzim emocional i çdo ideje, as pranim i verbër i çdo projekti ndërkombëtar. Para çdo vendimi duhet të vijnë dokumentet, transparenca, konsultimi, shkenca dhe përgjegjësia shtetërore. Pa këto, çdo projekt në Divjakë rrezikon të shihet jo si zhvillim, por si cenim i besimit publik dhe i trashëgimisë natyrore të Shqipërisë.
Divjaka nuk është tokë e zbrazët. Ajo është park kombëtar, lagunë Ramsar, pyll bregdetar, plazh, habitat shpendësh dhe pjesë e ekonomisë së banorëve të zonës. Prandaj çdo projekt që parashikon qytet të ri, banorë ndërkombëtarë, vila, kanale dhe administrim urban duhet të dalë menjëherë në dritën e publikut.
Pyetja nuk është: a duhet Shqipëria të zhvillohet? Pyetja është: a mund të zhvillohet një park kombëtar pa dokumente, pa konsultim, pa studim të pavarur mjedisor dhe pa garanci se bregdeti, uji, pylli, laguna dhe toka bujqësore nuk privatizohen faktikisht?
Nëse projekti është vetëm vizion arkitekturor, qeveria duhet ta thotë qartë. Nëse ka shanse të kthehet në projekt real, atëherë duhet publikuar çdo dokument: kush e ka propozuar, kush e financon, çfarë territori prek, çfarë statusi ligjor ka, kush janë banorët e parashikuar dhe si mbrohet interesi publik shqiptar.
Divjaka mund të jetë model i turizmit të qëndrueshëm, kërkimit shkencor dhe mbrojtjes së natyrës, por jo model i urbanizimit të fshehtë në emër të ekologjisë. Qytetarët nuk kërkojnë të pengojnë zhvillimin; ata kërkojnë që zhvillimi të mos bëhet në kurriz të natyrës, ligjit dhe sovranitetit të vendimmarrjes publike.
• Të publikohet i plotë materiali “Divjakë Wetlands – A Vision for Coexistence”.
• Të deklarohet zyrtarisht nëse projekti është vetëm ide apo ka procedura konkrete.
• Të bëhet konsultim publik në Divjakë dhe jo vetëm prezantim ndërkombëtar në Venecia.
• Të mos ketë asnjë leje, kontratë ose transferim toke pa studim të pavarur mjedisor.
• Të respektohet parimi: parku, laguna dhe bregdeti janë pasuri publike kombëtare.
__________
Shënime/ Bubligrafi
1. Lars Müller Publishers, The Albanian Files: Freedom and Architecture, edited by Anneke Abhelakh, foreword by Edi Rama, 796 pages, ca. 1,500 illustrations, English, 2026.
2. La Biennale di Venezia, Biennale Architettura 2025: Albania – Building Architecture Culture, commissioner Blendi Gonxhja, curator Anneke Abhelakh.
3. United Nations Development Programme, Business Planning of the Divjakë-Karavasta National Park, November 20, 2019.
4. Albanian National Tourism Agency, Divjakë-Karavasta National Park, official tourism information page.
5. Republika e Shqipërisë, Ligj nr. 21/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017 ‘Për zonat e mbrojtura’,” Fletorja Zyrtare/QBZ, 22 shkurt 2024.
6. Tour du Valat, “Mediterranean Alliance Helps Stop Tourism Development Project in Albania,” July 6, 2020.
7. Sonila Papathimiu et al., “Landscape Evolution and Sustainable Management Challenges in the Divjakë-Karavasta Coastal System, Albania,” Journal of Environmental and Geographical Studies 4, no. 4 (2025): 1-14.
8. EcoAlbania / BirdLife Europe / EuroNatur, statements and analyses on Albania’s amended Protected Areas Law and EU concerns, June 2026.
9. Materiali: përkthimi i tetë faqeve të projektit “Divjakë Wetlands – A Vision for Coexistence” ( Shih Fotot në fund ) dhe analiza paraprake krahasuese.
10. Tour du Valat, “Mediterranean Alliance Helps Stop Tourism Development Project in Albania,” July 6, 2020.
11. Mabetex Group, “Divjaka Resort,” project description, accessed June 30, 2026.
12. Komiteti i Investimeve Strategjike, Vendim nr. 16/3, datë 4 mars 2019, “Për mospranim të kërkesës për përfitim të statusit ‘Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Veçantë’ për projektin e investimit ‘Divjaka Resort Albania’.”
__________
© 2026 Kol Marku. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ky material mund të citohet vetëm duke përmendur autorin dhe burimin. Ndalohet kopjimi, ndryshimi ose publikimi i plotë pa lejen e autorit.
_________
Kol Marku- Itali
30/06/2026

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 01/07/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk