Shqiptarët nuk kanë nevojë për burime të huaja energjetike

16
Jul
2026
Shkruan: Abdullah Begolli

Shqiptarët nuk kanë nevojë për burime të huaja energjetike – i kanë për dhjetëra shekuj në vendin e tyre.
Së pari, falënderim i nderuar Enver për këtë njoftim me shumë vlerë.
Pse me shumë vlerë?
Së pari, sepse është një NOKAUT për të gjithë rrjetin e kujdestarëve të të ashtuquajturit “gaz amerikan”, i cili në fakt nuk është domosdoshmërisht amerikan, por ka burim nga shumë vende të tjera, ndërsa Greqia shërben si qendër grumbullimi dhe e tregton më tej aty ku siguron treg.
Greqia është anëtare e Bashkimit Evropian. Rezervat e saj të qymyrit janë rreth 3 miliardë ton, shumë herë më pak se rezervat e Kosovës, të cilat vlerësohen rreth 15 miliardë ton.
Atëherë shtrohet pyetja:
Pse Greqisë i lejohet ndërtimi i termocentraleve të reja me qymyr, ndërsa shqiptarëve në Kosovë e gjetkë nuk u lejohet?
Apo Greqia vendos vetë për shtetin e saj, ndërsa për Shqipërinë dhe Kosovën vendosin të tjerët, për shkak të politikave vazale?
Nga ana tjetër, Greqia ka potencial shumë më të madh të rrezatimit diellor, është qendra grumbulluese e të ashtuquajturit “gaz amerikan”, por megjithatë nuk e ka bazuar strategjinë e saj te gazi apo energjia diellore. Ajo investoi në termocentrale me qymyr.
Shqipëria dhe Kosova nuk kanë nevojë për furnizim me gaz të importuar apo me burime të tjera primare energjetike, sepse disponojnë burime të mëdha vendore, të mjaftueshme për shumë shekuj. Për më tepër, nga këto burime mund të prodhojnë energji jo vetëm për nevojat e veta, por edhe për eksport.
Të gjitha këto janë argumentuar në Konferencën Shkencore Gjithëkombëtare të mbajtur në vitin 2022 në Prishtinë. Nga kumtesat e shumta u hartua një rezolutë, e cila iu dërgua të gjitha institucioneve udhëheqëse të Kosovës dhe Shqipërisë.
Mirëpo, për shkak të vazalitetit politik, pikërisht këto udhëheqje, që ishin në pushtet edhe atëherë e që janë edhe sot, e bojkotuan konferencën dhe e injoruan rezolutën.
Është detyrë mbi detyrat e inteligjencës kombëtare që të ngrihet në lartësinë e autoritetit të saj dhe t’i mbrojë pasuritë strategjike të popullit, në radhë të parë nga politikat vazale dhe nga interesat e të huajve, ashtu siç po përpiqen t’i mbrojnë edhe protestat gjithëpopullore që tashmë po zhvillohen prej rreth dy muajsh.
Çfarë fshihet pas të ashtuquajturit “gaz amerikan”?
Sipas bindjes sime, pas tij fshihet një strategji e thellë kundër interesave kombëtare shqiptare.
1. Përmes gazit dhe termocentraleve me gaz synohet që shqiptarët të futen në borxhe të rënda për breza të tërë.
2. Pasi të jenë futur në borxhe, atëherë nga të tjerë do të shfrytëzohen rezervat e tyre të qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike, e cila është shumë më e lirë sesa energjia nga gazi, ndërsa kjo energji do t’u shitet përsëri shqiptarëve.
3. Termocentralet me gaz mund të rezultojnë ekonomikisht të paqëndrueshme. Borxhet do t’i mbeten popullit, ndërsa pamundësia për t’i shlyer ato dhe për të përballuar çmimet e energjisë mund të nxisë largimin edhe të atyre që kanë mbetur në vend.
Prandaj, është mirë, madje jetike, që kategoritë të cilat nuk i njohin në thellësi këto çështje të mos japin gjykime të nxituara. Ndërsa ata që kanë njohuritë dhe kompetencën përkatëse duhet të bashkojnë mendimet e tyre dhe t’ia bëjnë të njohur popullit të vërtetën, sado e hidhur të jetë ajo.
Sipas bindjes sime, kjo është pjesë e një procesi që është projektuar prej rreth 40 vitesh dhe që po zbatohet përmes formave dhe metodave të ndryshme.
Kushdo që arsyetohet me investime, punësim dhe fitim, le t’ia shtrojë vetes një pyetje të thjeshtë:
Cili është përfitimi real i popullit nga pasuritë që i janë marrë në emër të investimeve?
Çfarë fitimi kanë sjellë:
• nafta;
• gazi;
• mineralet;
• qymyri i Kosovës, nga i cili energjia merret me rreth 29 euro/MWh dhe i shitet popullit shumëfish më shtrenjtë;
• Metalurgjiku Hekur-Nikel dhe shumë pasuri të tjera?
Nëse përgjigjja është se rezultati ka qenë varfëria, emigrimi masiv dhe shpopullimi i paparë, atëherë secili duhet të reflektojë seriozisht se kujt i kanë shërbyer në të vërtetë këto politika dhe këto investime. Shiko më pak

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 16/07/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk