SI E ORGANIZOVA TAKIMIN NË DANIMARKË ME AKADEMIK REXHEP QOSJEN DHE PSE NA DËSHTOI AKTIVITETI?

28
Jun
2025

Këtu do mundohem të shpjegoj pse doja të ftoja Akademik Rexhep Qosjen në Danimarkë

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Me kryetarin e PEN- Qendrës daneze Nils Bafud dhe redaktorin e Politikës Robert Bundik, mbajtëm një mbledhje dhe kërkova të punojmë dhe të mbajmë një Debat Publik me Akademik Rexhep Qosjen. Temë debati do jetë rreth kulturës shqiptare.
Unë i them gruas sime të përgatis disa specialitete ushqimore të traditës sonë shqiptare, por edhe ca ëmbëlsira. Çdo herë kur mbanim aktivitete të tilla, gruaja ime bënte specialitete të tilla për mysafirët danez që vinin tek ne. Me këtë rast sigurova edhe verëra dhe raki rrushi nga shteti shqiptar.
R. Bundiku dhe N. Bafuldi, pranuan propozimin tim dhe caktuam datën e ardhjes. Ata mua më bën edhe një nder të madh, sepse 5 ditë radhazi ka pasur reklama me foton e Akademik Rexhep Qosjes për debatin, më datë 20 prill 1993. Reklamat kushtonin shumë, por ç’është e vërteta, mua m’i bënin gratis. Dy ditë para se të mbahet tubimi, akademikut tonë i kishte ndodhur diçka e pakëndshme në Zvicër me këto partitë e krijuara nga pushtuesit sllavë, ndaj Akademik Qosja na lajmëoi se nuk vjen dhe se udhëton nga Zvicra për në Prishtinë.
Eu, eu, i mjeri unë! Sa mund e sakrificë bëra që para opinionit danez të vij një simbol i rezistencës së kulturës shqiptare, siç e paraqita Akademik Qosjen në ato reklama, ku interesimi ishte i madh, siç më tha redaktori Robert Bundik.
Unë vrisja mendjen si t`iu them tani!? Shkova t`i takoj dhe u them se Akademik Qosjes i ka ndodhur diçka e papritur dhe se na thanë se është i sëmurë në Zvicër. R. Bundiku më tha se nëse është i sëmurë do anulojmë aktivitetin, por na e siguro vendin ku ndodhet që ne të organizojmë organet e shtetit që ta sjellin në spitalet tona. Kur ta shërojmë, pastaj vazhdojmë edhe aktivitetet; takimet dhe debatin e paralajmëruar. Përveç debatit, unë kisha përgatitur dhe shumë takime tjera, si në Ministrinë e jashtme po dhe në Këshillin për Politikë të Jashtme në Kuvendin Danez, pastaj intervista të ndryshme në Televizion dhe gazeta.
Për këtë vizitë të Akademik Qosjes anulova operacionin e djalit tim 5 vjeçar Andrimit, operacion ky i anuluar për 2 javë. Të jem i sinqertë, shoqes sime i ngeli hatri, por nuk më tha gjë, pasi e dinte përkushtimin tim për aktivitetet që kishin të bënin me çështjen kombëtare.
Ja, atë ditë që do operohej Andrimi, përsëri më ndodhi edhe një e papritur. Pikërisht për atë ditë më pati ardhur një ftesë nga deputetja, Helen Baim e Partisë Social Demokrate, e cila festonte 50-vjetrorin e lindjes dhe 25-vjetorin si deputete e Kuvendit. Takimi do mbahej në Sallën e Kuvendit Danez. Bisedova me Sabrien si t’ia bëjmë për nesër? Sabria shumë e shqetësuar, pasi ishte dita e fundit në punë dhe duhej të ishte patjetër tërë kohën në punë, patëm bërë llogarinë se operacioni do bëhet ora 13:00 e në Kuvend do jem ora 15:00, ndërkohë që Sabria do lirohet nga puna ora 16:00, kështu që për gjysmë ore mbërrin në spital, kurse djali do ngelej i vetmuar afër l orë. Operacioni zgjati deri ora 14:50 minuta. Unë nuk kisha zgjidhje tjetër, por mora 3 librat në gjuhën angleze, të përkthyer nga shteti shqiptar (kur kishim shtet deri 1990). Pra, librat ishin në gjuhën angleze:
”Ç’thonë dhe ç`kërkojnë kosovarët”? Mora dhe një flamur shqiptar të formatit të vogël dhe një litër konjak “Skënderbeg”, pra një dhuratë modeste. Kur shkova atje ishin 75 deputetë. Kishte edhe intelektualë tjerë, gazetarë njerëz të Partisë, disa nga ta i njihja personalisht. Kur më panë mua, isha i vetmi i huaj. Patëm një bisedë më shumë informative për situatën shqiptare, ku u shpjegova se në trojet tona po ndodh një tragjedi e vërtetë dhe po bëhet një spastrim i madh etnik. Më thanë: Po ç’bëjnë përfaqësuesit tuaj shqiptarë?
U thash se tani Adem Demaçi është Kryetar i Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut dhe po alarmon me raporte të ndryshme për situatën, Akademik H.Gorani i Sindikatës së Pavarur të Kosovës po angazhohet për të njoftuar opinionin për spastrim etnik nëpër fabrika dhe institucione, Sindikata e Arsimit po ashtu, Shëndetësia është në mjerim, kurse partitë politike nuk janë dhe aq aktive sikur duket, ngase ato i ka nën kontroll Millosheviqi. Ato mundohen t’i hedhin hi syve popullit, ta qetësojnë me disa deklarata dhe komunikata për shtyp, nuk e organizojnë popullin as në ndonjë rezistencë pasive, por vetëm me fjalë. Pra, kjo i konvenon shovenistëve serbë dhe sistemit të Milosheviqit. Biseduam duke pirë verë afër dy 2 orë me deputetë të ndryshëm.
Më në fund shkova në spital me vrap. Sabria qante, sepse operacioni kishte zgjat shumë dhe opiumi nuk i kishte kaluar Andrimit. Për këtë rast, shpesh më thotë Sabria: A e di Rexhep Qosja se për takimet e tij e anulove operacionin e djalit dhe ike në takim në Kuvend, ndërkohë që dihej se a do shpëtojë Andrimi!?
Pra, të jesh aktiv dhe i përkushtuar nuk është e lehtë. Sabrien e kam pasur edhe krah të djathtë në aktivitet, dhe si koordinatore. Eh, sa darka e dreka kemi përgatitur për miqtë danez që kishin influencë në politikë dhe mediet daneze! Sa deputetë kam pasur nëpër darka duke i ftuar me familjet e tyre dhe gjatë darkave bisedonim për situatën historike dhe politike që kishte kaluar dhe po kalonte kombi ynë në lloj – lloj furtune e pushtuesish, duke ua përmendur si ata osman, italian, gjerman e sllav.
Shumë vonë do e kuptoj arsyet se, pse akademiku ynë nuk erdhi në Danimarkë? Pra, Sefer Hasanajn e kishin angazhuar Policia serbe dhe shërbëtorët shqiptarë të politikës për t`i bërë atentat Rexhep Qosjes dhe për të mos e kryer këtë vepër makabre, kishte bërë vetëvrasje.
Ja kërcënimet! Për të gjitha këto ka dëshmuar i biri i tij Admir Hasanaj.
– O do ta vrasësh armikun më të madh të Serbisë dhe të Jugosllavisë, Rexhep Qosjen, ose do të të humbim farën dhe do të të zhdukim e likuidojmë ty dhe krejt familjen tënde, me gra djem e vajza!
Sefer Hasanaj ka qenë punëtor i policisë në Postën e Deçanit. Ai, më 10 qershor të vitit 1995, me një skalpel në dorë e kishte vrarë veten në Lëbushë, afër Deçanit.
Por, cila qe arsyeja që e shtyu atë për të bërë vetëvrasje?

Botuar në gazetën ” Republika” (Lubjanë) numër 3 dhe 4 të vitit 2007

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 28/06/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk