TRANA SOT, SI NJU–YORKU MË 1927. PËRSHKRIM PREJ MAKSIM GORKIT.

01
Apr
2026
Shkruan: Dilaver Goxhaj
Ky është qyteti, kjo është Tirana, (si Nju-Yorku në vitin 1927). Kudo ngrihen gradaçela me njëzet kate, gradaçelet e heshtura e të ngurtësuara. Këto ndëretesa katrore, të gjëra e masive, që nuk kanë asanjë bukuri, ngrihen në mënyrë të mërzitshme e të trishtuar. Secila nga këto ndërtesa mburet e mbahet se është e lartë dhe e shëmtuar.
Nëpër dritare nuk ka lule dhe nuk duken fëmijë.
Nga larg qyteti i përngjan një nofulle të madhe, me dhëmbë të zinj e katarosh; lëshon në qiell re pluhuri dhe gulçon si një grykës trashaluq.
Kur hyn në qytet, të duket sikur hyn në një stomak të gurtë e të hekurt që ka gëlltitur me mijëra njerëz dhe që tani po i bluan e po i tret.
Kudo, nga lart, nga posht, rreth tij, njeriu e ndjen se hekuri jeton e gjëmon, në mes të kremtimit të triumfit të tij. Pjellë e fuqisë së Arit, që i ka dhënë jet’ e shpirt; hekuri e pështjell njeriun si në një pëlhurë merimange, e shurdhon, i thith gjakun dhe trurin, i përpin muskujt e nervat, dhe, duke u mbështetur mbi gurin memec, i heth përherë më larg hallkat e zinxhirit të tij; boritë e automjeteve kakarisin si rosat e majme.
Ky ajër i fëlliqur që rëndon mbi këtë qytet të ndyrë, qëndron palëvizur në mes të mureve të larta, të mbuluar me blozë.
Nëpër sheshe e skuere të vogla, ku varen gjethet e vishkura e plot pluhur, ngrihen buste e statuja të zymta. Ashtu të humbur siç janë në rrjetën e gradaçelave, të duken si shkurtabiqë në hijen e zezë të mureve të larta; ata e kanë humbur udhën në atë kaos marrëzie që i rrethon. Njerëzit e vegjël kalojnë me nxitim përpara këtyre statujave dhe askush nuk i kthen sytë nga fytyrat e heronjve. Ushqimet e kapitalit kanë fshirë nga mendja kujtimin e krijonjësve të lirisë. Të duket sikur një mendim i vetëm dhe i hidhur i ka pushtuar këta burra prej bronxi. Rreth tyre jeta e ethëshme vlon si çorba në zjarr.
Qyteti ulërin e i përpin njërin pas tjetrit, në gërmazin e tij të pangopur. Në kaosin e jetës së rugëve, që të gjithë janë të tepërt; në këtë ulërimë të egër lakmia, në burgun e ngushtë të kësaj fantazie të kobshme prej guri, xhami e hekuri, të gjithë njerëzit duken se nuk janë në vendin e tyre.
Njerëzit nxitojnë nëpër trotuare dhe shkojnë e vijnë nga të gjitha drejtimet. Këta i thithin poret e thella të mureve prej guri e betoni. Oshëtima triumfale e hekurit, ulërima çjerrëse e vinxhave, zhurma e punimeve të instalimit të një rrjete të re metali, muret e reja prej betoni, të gjitha këto e shuajnë zërin e njerëzve, ashtu siç i mbulon stuhija në oqean klithmat e zogjve.
Fytyrat e njerëzve janë të qeta e të ngrira. Duket se asnjë prej tyre nuk e kupton se është skllav i jetës, ushqim i qytetit – lubi. Me krenarinë e tyre të mjerë, e pandejnë veten zot të fateve të tyre; nganjëherë u pasqyrohet në sytë ndjenja e pamvarësisë, po as q’u shkon ndër mënd se kjo është vetëm pamvarësia si sopata në duart e druvarit, e çekanit në duart e farkëtarit, e tullës në duart e një muratori të padukshëm që, me një buzëqeshje djallëzore ndërton për ta një burg të vetëm të madh, po ku, përsëri, je ngusht. Ka shumë fytyra energjike, po çka të bie në sy para së gjithash, kur i vëren janë dhëmbët.
Liria e brendshme, liria e shpirtit nuk shkëlqen në sytë e njerëzve. Dhe kjo energji pa liri, të sjell ndër mend shkëlqimin e ftohtë të një thike që ende nuk është konsumuar nga përdorimi. Kjo është liria e veglave të verbëra në duart e Djallit të Verdhë – në duart e Arit.
Kalimi i shpejtë i makinave i trondit nga themeli muret e gradaçelave, i bën të dridhen gjokset e grave dhe kokat e burrave; edhe fëmijët që janë ngjitur pas grilave të ballkoneve dridhen; ata mësohen ta pranojnë këtë jetë të shëmtuar si diçka të zakonshme e të pashmangshme: Mendimi nuk mund të endë pëlhurën e tij të bukur e guximtare; ëndrat e gjalla dhe të guximëshme nuk mund të lindin në trutë që janë gjithnjë në tronditje e sipër.
Syri kërkon të shikojë lule nëpër dritare, kërkon një njeri me një libër në dorë. Muret vrapojnë dhe duken sikur zhduken përpara syve tona, vala e tyre e fëlliqur të del përpara; kjo valë e hutuar e lë të duket lëvizjen e vështirë të njerëzve të heshtur. (Maksim Gorki “Në Amerikë”, Tiranë, 1952, f.4-6)
Kjo është Tirana e periudhës “demokratike” 36 vjaçare, (1990-2026), ngaqë Vendimmarrja dhe Qeverisja janë përqëndruar tek një politikan i vetëm, ndërsa Gjyqësori dhe Legjislativi kanë autonomi të kufizuar dhe shpesh janë të rreshtuara me Qeverinë. Shprehja publike, media dhe tubimet lejohen sa për të krijuar një fasadë dhe për të kufizuar kundërshtimin.
30 mars 2026

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 01/04/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk