Sot, kur Fadil Osmani(Frenki), pjesëtar i dy luftërave dhe njeri që dha djersë, mund e kontribut për çështjen kombëtare, është ndarë nga jeta, disa funksionerë të BDI-së kujtohen ta publikojnë fotografinë e tij në Facebook.
Po ku ishit kur Frenki ishte gjallë?!
Ku ishit kur kishte nevojë për një dorë ndihme, për një banesë sociale, për një jetë me dinjitet? Ku ishit kur kërkonte mbështetje? A ju punonin telefonat atëherë, apo ishit shumë të zënë duke ndarë privilegje për rrethin tuaj?
Kur ishte gjallë, nuk gjetët mundësi t’ia lehtësonit jetën. Tani që ka ndërruar jetë, e gjetët fotografinë për ta mbushur Facebook-un me fjalë respekti!
Për vite me radhë, qytetarët kanë parë se si shpërndaheshin privilegjet, si krijoheshin pasuri, si ndërtoheshin biznese e si disa familje jetonin në luks, ndërsa njerëzit që kishin dhënë kontribut për këtë vend liheshin në mëshirë të fatit.
Për disa kishte banesa, favore dhe dyer të hapura. Për të tjerët, si Frenki, as një përgjigje në telefon!
Orët e shtrenjta në duart tuaja, makinat luksoze të familjarëve, pasuritë dhe standardi i jetesës së rrethit tuaj, do të kishin mjaftuar që një njeri si Frenki të mos përballej me mungesën e dinjitetit që meritonte ta kishte.
Nuk është problemi që sot po e kujtoni Frenkin. Problemi është se nuk e kujtuat kur kishte nevojë për ju!
Mos e përdorni fotografinë e tij për pëlqime, mos e shndërroni dhimbjen e familjes në dekor për propagandën tuaj dhe mos e ngatërroni një status në Facebook me mirënjohjen e vërtetë.
Një fotografi nuk e mbulon një telefonatë të papërgjigjur. Një status nuk e zëvendëson një ndihmë të munguar. Dhe asnjë fjalë ngushëllimi nuk mund ta fshijë përgjegjësinë për njerëzit që janë lënë pas dore.
Frenki nuk kishte nevojë për duartrokitjet tuaja pas vdekjes. Kishte nevojë për dinjitetin tuaj sa ishte gjallë!
BDI-ja dhe funksionarët e saj duhet ta kuptojnë njëherë e mirë: historia nuk matet me fotografitë që publikoni në ditët e zisë, por me mënyrën se si jeni sjellë me njerëzit kur ata kishin më së shumti nevojë për ju.
Të rënët, luftëtarët dhe kontribuuesit e çështjes kombëtare nuk janë dekor elektoral. Nuk janë material për Facebook. Janë njerëz që meritojnë respekt, jo shfrytëzim politik.
Ngushëllime
E Lavdi jetës dhe kontributit të Fadil Osmanit (Frenki)!
Turp nuk është të mos kesh mundësi. Turp është të kesh pasuri e pushtet për të privilegjuarit, ndërsa ta harrosh njeriun që dikur dha gjithçka për kauzën, a ju e keqpërdorët për 22-vjet.


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
