VËSHTRIM ANALITIK I LIBRIT: “GJUHA SHQIPE 5” PËR NXËNËSIT E KLASËS SË PESTË TË SHKOLLËS FILLORE NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË SË VERIUT

12
Sep
2024
Shkruan: Syrja Etemi


AUTOR: VEHBI RUSTEMI, GJUHA SHQIPE 5
BOTUES: MINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCËS E REPUBLIKËS
SË MAQEDONISË SË VERIUT
Konceptoi strukturën e tekstit dhe u përkujdes për zbërthimin
didaktik:
Rita Petro dhe Natasha Pepivani
Recensentë:
Ajten Hajdari Qamili, Arta Sadiku Akteshi dhe Sabihare Sejfullai
Kryeredaktore: Natasha Pepivani
Edhe këtë vit mësimor, në shkollat fillore të vendit, nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës janë lejuar për përdorim disa tekste shkollore, përkatësisht libra nga kl.I-VI – për nxënësit që mësojnë me planprograme të reja “të reformuara”, siç pretendojnë të shprehen përfaqësuesit e kësaj ministrie, ndërsa nga kl. VII-IX – me programet dhe tekstet e vjetra. Për dallim nga vitet mësimore të mëhershme ku, për një lëndë mësimore lejoheshin për përdorim edhe nga dy apo tre sish, me qëllim që shkollat, arsimtarët, nxënësit apo prindërit, duke u bazuar në kritere apo analiza profesionale e praktike, të kenë mundësi të zgjedhin e të vendosin për cilin tekst mësimor të përcaktohen për të mësuar vet nxënësit, tanimë një mundësi e tillë nuk praktikohet. Bile – bile ka tendenca të imponimit dhe krijimit të monopolit në përcaktimin e vetëm një autori, madje edhe për disa nivele arsimore, siç është rasti me librin e Gjuhës shqipe 5, të autorit të sipërcekur, i cili ka “ekskluzivitetin” e përdorimit që nga kl. I, deri në kl. V (pestë).
Sido që të jetë, ky “marifet” nuk është lajtmotiv i këtij shkrimi, sepse unë në këtë radhë pretendoj të fokusohem vetëm në vështrimin analitik të librit “Gjuha shqipe 5” , ku, për lëndën: gjuhë shqipe është lejuar teksti i autorit: Vehbi Rustemi (të botuar nga
MINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCËS E REPUBLIKËS SË
MAQEDONISË SË VERIUT)
Meqë shkolla ku punoj, para disa ditësh u furnizua me tekste, e , sidomos klasat e pesta (pa mundësi përzgjedhjeje), unë në cilësinë e bashkëpunëtorit profesional (pedagogut shkollor), punëtorit arsimor shumëvjeçar dhe autor dhe bashkëautor i disa teksteve shkollore, pashë të udhës, siç thashë edhe më sipër, të shpreh vlerësimin tim analitik, duke i bërë një vështrim kritik tekstit apo librit në fjalë.
DISA TË DHËNA KONCEPTUALE RRETH HARTIMIT TË TEKSTEVE
MËSIMORE
Teksti mësimor është dhe duhet të jetë mjet mësimor, madje libër i cili ndryshon nga librat tjerë për nevojat e përgjithshme, sepse, për të, faktet elementare shkencore janë të dhëna sipas kërkesave didaktike – metodike, konform planeve dhe programeve mësimore (bashkë me qëllimet dhe detyrat edukativo – arsimore e funksionale). Ndërsa teksti mësimor për lëndën e gjuhës amtare i koncipuar në bazë të Planit dhe Programit mësimor, përveç kërkesave të njohura didaktiko – metodike, duhet patjetër të bazohet edhe në kriterin letraro-artistik, si kërkesë për hartimin e këtij libri mësimor, koncipimi i të cilit do të ishte i dështuar nëse nuk përfillet, respektohet dhe bazohet në metodologjinë bashkëkohore të përpilimit të tekstit në fjalë e, sidomos në kriteret që vijojnë: kriteri enciklopedik, antologjik, pedagogjiko – didaktik, estetik, letraro – teorik dhe letraro – historik. Këto janë standarde themelore dhe kërkesa-bazë mbi të cilat duhet të ndërtohet një tekst kualitativ dhe përmbajtësor. Se sa është kompatibil me kërkesat e lartëcekura ky tekst i “kaluar” nga ana e komisionit recensues, (gjithnjë simbas analizës dhe vështrimit tim), do të shohim në vazhdim.
VËSHTRIM I ASPEKTIT KUANTITATIV
Libri i leximit “Gjuha shqipe 5” të cilin e kemi objekt vështrimi, si tërësi strukturale përbëhet prej njëqindenëntë njësi didaktike: 48 njësi (38 në prozë, 2 njësi nga folklori e 8 njësi në poezi), ose 79% në prozë, 8 njësi, ose 21% në poezi;
Njëzetë autorë shqiptarë (50%) që janë përfaqësuar, 18 janë nga Shqipëria, 2 nga Kosova dhe asnjë nga Maqedonia);
Tetëmbëdhjetë autorët joshqiptarë, janë të përfshirë me 48% dhe, dy njësi nga folklori: Ymer Aga dhe Muji dhe zanat. (Që është për t’u përmendur gafa, teksti i këngës nuk përkon fare me gjuhën popullore të shqiptarëve të Maqedonisë).
Në prozë, nga autorë joshqiptarë janë përfshirë: Kristina Sanjer (me përkthim: M. Mema), Peter Herthing (me përkthim: Afrim Koçi), Edmond De Amiçis (përkthim: Rigel Rizaj), Xhusi Kuarengi, Anxhela Naneti, Tahar Ben Zhollun, F.Garsia Lorka, Pablo Neruda, Xhani Rudari, Marçelo Anxhili (me dy përfshirje), Ezopi, Anderseni etj.
Edhe poezia e përshirë në këtë tekst, po anashkalon krijuesit poetik të vendit. Kështu, nga tetë autorë të përfshirë me krijime poetik, pesë janë autorë nga Shqipëria, tre autorë janë të letërsisë së huaj.
Libri në fjalë, përveç këtyre njësive, përbën edhe drama, siç thamë, edhe tregime popullore, madje njësi nga fantashkenca, nga sfera e gjuhës (gramatikë), drejtshkrimi e drejtshqiptimi, kultura e mediumeve etj.
Nga këto konstatime të aspektit kuantitativo – komparativ mund të rezymojmë me sa vijon:
– krijimet prozaike janë më reprezentative dhe kuantitativisht me numër më të madh në raport me ato poetike;
– numri i autorëve shqiptar (vetëm nga Shqipëria) është gati i barabartë me autorët e huaj;
– përfshirja e krijimeve popullore nuk është i kënaqshëm;
– shumë autorë shqiptarë (të gjithë nga Shqipëria dhe Kosova dhe, pa mos u përfshirë asnjë krijues nga R.M.V.) – janë përfaqësuar me nga dy krijime që ngushton hapësirën e prezentimit të një numri më të madh autorësh, sidomos të atyre që veprojnë e krijojnë në këto hapësira ku jetojnë dhe veprojnë vet nxënësit shqiptarë nga Maqedonia e Veriut;
– nuk ka prezentime të krijimtarisë së fëmijëve – për fëmijët të nxjerruna, kryesisht nga revistat për fëmijë, si: “Gëzimi”, ”Fatosi”, ”NXËNËSI”, “YLBERI”, “YLBERI PLUS”, etj. – për bashkëmoshatarët nga rrethina më e afërt ku jetojnë vet ata;
– nuk mungojnë tekstet me përmbajtje filmi ( ku janë përfshirë nocionet elementare të artit filmik), teatri, drama, njohuri mediatike e k.m.r.;
– sa i përket vëllimit të përmbajtjeve tekstuale, mund të themi se autori nuk është treguar gjithaq i kujdesshëm;
– mungojnë krijime të karakterit enigmatik, si gjëegjëza, rebusa e kështu të ngjajshme, që do ta bënin librin akoma më atraktiv.
VËSHTRIM I ASPEKTIT KUALITATIV
Duke lexuar tekstet e librit në fjalë, siç jemi mësuar t’i quajmë këto njësi mësimore, fitojmë përshtypjen se autori nuk ka përzgjedhur krijime të mirëfillta të krijuesve kombëtarë mbarëkombëtarë (të të gjitha trojeve) dhe nga letërsia botërore me tema e ide të ndryshme, të cilat do të formojnë te nxënësi cilësi të larta morale, intelektuale e estetike. Shquhen krijimet me temë dhe ide të dashurisë, atdheut me të kaluarën e lavdishme, vendlindjes me stinët e bukura, lirisë e paqës, të luftës e urrejtjes kundër skamjes e varfërisë, padrtejtësisë, injorancës, tradhtisë e hipokrizisë, paragjykimeve të mbrapshta e tradicionale; sakrificës për ideal të lartë e të mirës së përgjithshme; kurbetit; mirësjelljes ndaj prindërve, mësuesit, të afërmve, miqve e shokëve; pastërtisë dhe ruajtjes së shëndetit dhe ambientit; kujdesit dhe dashurisë ndaj kafshëve, shpendëve e të mirave materiale; pajisjes me virtyte të larta: solidarizim, humanizëm, bujari e fisnikëri, e shumë e shumë sish.
Siç përmendëm edhe më lartë, pjesë e tekstit është edhe sfera mjaft e rëndësishme: njohuri gjuhësore (gjuha) apo gramatika, për të cilën mendoj se është në koordinancë me kërkesat e Programit dhe standardeve nacionale që shpiejnë në përvetësimin e kompetencave të përfshira nga kjo fushë programore.
APARATURA DIDAKTIKE
Pjesët e leximit apo leksionet dhe të gjitha krijimet e këtij libri, janë të shoqëruara me aparaturë didaktike, që ndihmon arsimtarin në shkoqitjen e mirëfilltë të çdo njësie të caktuar. Kjo aparaturë, në këtë rast, përfshin këto nënkrijime letrare apo rubrika: fjalor (fjalë dhe shprehje), kupto përmbajtjen, nxirr mesazhin, analizo strukturën, analizo gjuhën, detyrë, etj. Gjithnjë, simbas vlerësimit tonë, duke u mbështetur në punën dhe praktikën shkollore, aparatura e librit të leximit është, të thuash funksionale dhe interaktive, edhe pse ka patur mundësi që ajo të jetë akoma më e zgjëruar sikur të përfshihej edhe ndonjë rubrikë, si bie fjala: plani i tekstit apo të interpretojmë tekstin; nëse doni të dini më tepër, e k.m.r.
Por, sido që të jetë, pasi shkollat tani më janë para aktit të kryer, edhe kësisoj, me këtë formë të të koncipuarit të këtij teksti që kemi në analizë, i njëjti, me ndihmën e mësimdhënësit, të shpresojmë se do të ndihmojë nxënësin në përdorimin e të njëjtit – si mjet ndihmës në procesin e punës së mësimdhënies dhe mësimnxënies; do të ndihmojë nxënësit në arritjen e pritshmërive dhe përmbushjen e standardeve nacionale të parapara me Programin mësimor për lëndën: Gjuhë shqipe për klasën V, Program ky i publikuar që në vitin 2021 – Shkup, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Byroja e Zhvillimit të Arsimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 12/09/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk