/ Nga arkivi/
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Duke thirrur zanën e ndaluar
Në një përrallë të vjetër shqiptare, një bari humbet rrugën në Bjeshkët e Nemuna dhe papritur ndeshet me vendin ku vallëzojnë zanat. Më e bukura prej tyre bie në dashuri me të dhe e ndihmon të dalë nga aty. Ajo i kërkon bariut ta mbajë të fshehtë lidhjen e tyre, në mënyrë që të mund të takohen pranë vendit të vallëzimit çdo natë pa hënë. Por bariu arrin ta ruajë sekretin vetëm për njëfarë kohe dhe më pas u tregon fshatarëve të tij tallës. Kur shkon në takimin e radhës, zana nuk shfaqet më. Bariu i ri zbulon se vendi i vallëzimit është zhdukur dhe, për tmerrin e tij, se ai e ka harruar rrugën për t’u kthyer në shtëpi. Siç rrëfen tregimi, erërat e maleve ende përcjellin thirrjet e bariut, i cili klith emrin e zanës së tij.
Ky është një mit i përhapur në Ballkan, që përcjell një mesazh sa të lashtë, aq edhe aktual: njeriu e ka njohur dhe e ka pasur gjithmonë frikë rrezikun e të thënit të së vërtetës. Megjithatë, nganjëherë njeriu ndihet i detyruar ta thotë të vërtetën, pavarësisht pasojave të rënda, për të ruajtur respektin për veten.
Ndoshta kjo është më e dukshme te kombet e vogla, të cilave u është dashur të luftojnë për t’u mbijetuar dallgëve të historisë. Ato janë detyruar të jetojnë nën tiraninë e të fuqishmëve, ndërkohë që historitë e tyre, madje edhe vetë ekzistenca e tyre, janë vënë në pikëpyetje.
Prandaj, nuk është për t’u habitur që kjo përvojë ka fituar shenjtërinë e një miti ndër shqiptarët, vendasit e përndjekur të Ballkanit. Në të vërtetë, nuk ka kombe të tjera në Evropë – me përjashtim, ndoshta, të popujve baltikë nën Stalinin – të cilave u është dashur të paguajnë një çmim më të lartë për tregimin e historisë së tyre. Asnjë komb tjetër nuk ka pasur kaq shumë rapsodë të vrarë për këndimin e këngëve historike; kaq shumë intelektualë të burgosur për hedhjen në letër të ideve të ndaluara; kaq shumë studentë të rrahur dhe të torturuar me elektroshok sepse i kishin lexuar ato; dhe kaq shumë prindër, shtëpitë e të cilëve kontrolloheshin dhe që merreshin në pyetje për shkak të librave që lexonin fëmijët e tyre.
Autori i këtij libri, Xhemil Zeqiri, është një danez me prejardhje shqiptare, njëri prej qindra studentëve shqiptarë të burgosur që u larguan nga ish-Jugosllavia në vitet 1980. Ai pati fatin të fitonte azil në Danimarkë, përpara se ky vend ta ashpërsonte qëndrimin ndaj refugjatëve dhe të zbatonte politikat e sotme të dëbimit të shpejtë. Ai është mjaft i njohur ndër njohësit e çështjeve ballkanike në Danimarkë për pikëpamjet e tij të shprehura hapur. Ka botuar dhjetëra artikuj në gazeta të ndryshme daneze, si dhe një libër interesant për Çështjen Shqiptare.
Në librin e tij të dytë, ne arrijmë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur në Ballkan pas ndërhyrjes së NATO-s më 1999. Në shumë drejtime, ky është rrëfimi i asaj që ndodhi pas përfundimit zyrtar të tipit “dhe jetuan të lumtur përgjithmonë”.
Zoti Zeqiri ka një histori për të treguar dhe e rrëfen atë pa dorashka. Duke na kujtuar bariun e përrallës, historia e tij është ajo e një humanisti që e ka parë njerëzillëkun të derdhet në llumin e Ballkanit edhe pas ndërhyrjes së NATO-s dhe që tani jep alarmin. Zoti Zeqiri na thotë një të vërtetë të thjeshtë: shqiptarët, të privuar nga të drejtat dhe të rrënuar, po shpërfillen dhe po keqtrajtohen përsëri. Mirëpo, këtë herë jo nga fajtorë vendas, por nga vetë demokracitë – përfshirë Danimarkën – të cilat dolën përpara duke u zotuar se do t’i ndryshonin gjërat.
Artikujt, transkriptet e takimeve dhe letrat e Zeqirit – ndër të tjera, drejtuar ministrit të atëhershëm të Jashtëm të Danimarkës dhe homologut të tij në BE – ndërthuren me njëra-tjetrën për të krijuar një libër tërësor dhe origjinal. Ai zbulon gjithashtu kushtet e dhimbshme në të cilat punon një lobist jofitimprurës, i përkushtuar ndaj një kauze për të cilën heshtet. Duke qenë se edhe vetë kam lobuar për vite me radhë për shqiptarët në Suedinë fqinje, ndihem mjaft i aftë ta kuptoj plotësisht dëshpërimin që rrjedh mes rreshtave të librit të Zeqirit. Standardet dhe konventat ndërkombëtare, madje edhe mirësjellja njerëzore më elementare, duket se nuk zbatohen sa herë që diskutohet Çështja Shqiptare – dhe për këtë as nuk kërkohet e as nuk jepet ndonjë shpjegim!
Është pikërisht ky qëndrim i vetëkuptueshëm dhe i padiskutueshëm, ky pohim “unë jam unë” i realpolitikës në Ballkan, që e alarmon Zeqirin. Nga të gjitha shenjat, duket sikur shqiptarët janë gjykuar në një proces fantazmë nga një gjykatës i padukshëm dhe janë shpallur “viktima e padenjë” e kontinentit të vjetër. Ky është një dënim i zymtë, i cili gjithmonë dhe pa asnjë mëdyshje ka shënjestruar “tjetrin” në një rajon të caktuar: hebrenjtë në Gjermani, çeçenët në Rusi, kurdët në Lindjen e Mesme, tutsit në Afrikë dhe, fatkeqësisht, edhe pas ndërhyrjes së NATO-s, shqiptarët në Ballkan.
Zeqiri i bën thirrje Danimarkës që, si anëtare e BE-së dhe e NATO-s, të marrë përgjegjësinë e saj dhe të veprojë brenda këtyre organizatave për të promovuar një këndvështrim të ri, humanist – dhe vërtet racional – ndaj shqiptarëve. Ai u bën thirrje BE-së dhe NATO-s ta kuptojnë faktin e thjeshtë se nuk mund të ndërtohet një arkitekturë e qëndrueshme e paqes në Ballkan pa iu përgjigjur aspiratës së shqiptarëve për liri.
Sepse liria nuk është diçka që mund të jepet me porcione të kujdesshme, si tableta ose pika nga një shishe ilaçi. Ajo është një kategori universale dhe absolute: ose je i lirë, ose nuk je! Mënyra se si i përgjigjemi sot thirrjes së shqiptarëve për liri në Ballkan, paralajmëron ai, përcakton vlerat që fëmijët tanë do të trashëgojnë në Evropën e së ardhmes


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
