𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐝𝐡𝐞 𝐠𝐣𝐮𝐡𝐚: 𝐏𝐬𝐞 𝐬𝐚𝐤𝐭𝐞̈𝐬𝐢𝐚 𝐧𝐞̈ 𝐤𝐨𝐦𝐮𝐧𝐢𝐤𝐢𝐦 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐭𝐡𝐞𝐥𝐛𝐞̈𝐬𝐨𝐫𝐞 𝐧𝐞̈ 𝐦𝐚𝐫𝐫𝐞̈𝐝𝐡𝐞̈𝐧𝐢𝐞𝐭 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐤𝐨𝐦𝐛𝐞̈𝐭𝐚𝐫𝐞

01
Mar
2025
intervist me : Gëzim Mekulin

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Intervistë me Gëzim Mekulin, njohësin e mediave dhe të retorikës
𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐝𝐡𝐞 𝐠𝐣𝐮𝐡𝐚: 𝐏𝐬𝐞 𝐬𝐚𝐤𝐭𝐞̈𝐬𝐢𝐚 𝐧𝐞̈ 𝐤𝐨𝐦𝐮𝐧𝐢𝐤𝐢𝐦 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐭𝐡𝐞𝐥𝐛𝐞̈𝐬𝐨𝐫𝐞 𝐧𝐞̈ 𝐦𝐚𝐫𝐫𝐞̈𝐝𝐡𝐞̈𝐧𝐢𝐞𝐭 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐤𝐨𝐦𝐛𝐞̈𝐭𝐚𝐫𝐞
Në një botë ku diplomacia luan një rol vendimtar në fatin e shteteve, një gabim i vogël në komunikim mund të ketë pasoja të mëdha. Në politikën ndërkombëtare, fjala nuk është thjeshtë një mjet komunikimi. Fjala/Gjuha është një armë, një strategji dhe një element përcaktues për suksesin ose dështimin e një takimi diplomatik.
Shembulli më i fundit që na kujton këtë realitet është takimi skandaloz i mbrëmshëm mes presidentit ukrainas Zelenskyj dhe Trump.
Sipas Mekulit, problemi themelor i këtij takimi ishte përplasja mes nevojës së Ukrainës për garanci sigurie dhe qasjes së Trumpit, i cili fokusohet më shumë në aspektin financiar të çështjeve globale.
𝟏. 𝐏𝐞𝐧𝐠𝐞𝐬𝐚 𝐞 𝐠𝐣𝐮𝐡𝐞̈𝐬: Shtrohet pyetja, a mund të mbrosh një vend në një gjuhë që nuk e zotëron si duhet?
Një nga gabimet më të mëdha të Zelenskyjt ishte përdorimi i anglishtes gjatë takimit.
“Ai nuk mund të kapë nuancat,” – vëren Mekuli.
Në diplomaci, një fjali a një shprehje mund të ketë dhjetëra interpretime, dhe një fjalë e vetme e gabuar mund të ndryshojë të gjithë rrjedhën e një diskutimi.
Francezët, të vetëdijshëm për këtë, flasin gjithmonë frëngjisht, edhe kur e dinë mirë anglishten, kjo për të ruajtur saktësinë dhe për të mos e vendosur veten në disavantazh.
Pse, atëherë, një lider i një vendi në luftë zgjedh të komunikojë në një gjuhë që nuk e zotëron plotësisht? Kjo është një pyetje që duhet të na bëjë të mendojmë mbi rëndësinë e pjekurisë gjuhësore në politikën ndërkombëtare.
𝟐. 𝐃𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐢𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐩𝐥𝐚𝐧𝐢𝐟𝐢𝐤𝐢𝐦: Çfarë ndodh kur përgatitja është e pamjaftueshme?
Një takim diplomatik nuk është një bisedë miqësore. Ai duhet të jetë i strukturuar, i përgatitur me kujdes dhe të ketë një axhendë të qartë. Mekuli vëren se:
“Modalitetet e këtij takimi nuk ishin të përpunuara mirë paraprakisht. Çdo temë duhet të jetë e dakordësuar dhe nuk duhet lejuar të ketë kurtha e as befasira.”
Kjo mungesë përgatitjeje e vuri Zelenskyjn në një pozicion të dobët përballë një lideri arrogant si Trump, i cili është i paparashikueshëm dhe i njohur për ndryshimin e temave të diskutimit sipas interesave të momentit.
Diplomacia nuk mund të improvizohet; ajo kërkon skenarë të mirëplanifikuar dhe fleksibilitet për të kontrrolluar çdo situatë të papritur.
𝟑. 𝐇𝐢𝐬𝐭𝐨𝐫𝐢𝐚 𝐬𝐢 𝐚𝐫𝐠𝐮𝐦𝐞𝐧𝐭: Një qasje e gabuar për një publik të gabuar.
Zelenskyj tentoi të bindte Trumpin se qasja e tij ndaj Putinit ishte e gabuar duke e sfiduar atë me një leksion historik. Amerikanët janë të fundit në botë që janë të interesuar për histori, apo jo të nderuar lexues?
Kjo ishte një strategji e gabuar e Zelenkyt. Trump nuk është një President intelektual që vlerëson argumentet historike. Për të, politika është një çështje e thjeshtë interesi, pushteti dhe parash. MINERALET! BITCOINAT!
Një leksion mbi historinë nuk kishte asnjë shans i mirë për ta bindur Trumpin. Përkundrazi, ai e bëri diskutimin më të tensionuar. A nuk do të ishte më efektive nëse Zelenskyj do të përdorte argumente pragmatike dhe ekonomike për të bindur Trumpin?
𝟒. 𝐌𝐮𝐧𝐠𝐞𝐬𝐚 𝐞 𝐟𝐢𝐧𝐞𝐬𝐞̈𝐬 𝐝𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐭𝐢𝐤𝐞: Pse detajet bëjnë ndryshimin?
Në të njëjtën javë që Zelenskyj u përball me Trumpin, liderët europianë, si për shembull Emmanuel Macron dhe Keir Starmer u takuan me ish-presidentin amerikan duke përdorur një qasje krejt ndryshe.
“Macron dhe Starmer përdorën një strategji të butë dhe të planifikuar,” – shpjegon Mekuli.
Macron e ftoi Trumpin në hapjen e Notre-Dame, duke përdorur një gjest simbolik për të krijuar një lidhje më të ngushtë miqësie me të. Starmer, nga ana tjetër, kishte punuar për muaj të tërë për të ndërtuar një raport me Trumpin. Kjo tregon se diplomacia nuk është vetëm përmbajtje; ajo është edhe art, edhe psikologji.
Në kontrast, Zelenskyj e bazoi qasjen e tij në ndershmëri dhe ndjenja, por kjo nuk është gjithmonë e mjaftueshme në politikë. Në një botë ku fuqia ka më shumë rëndësi se e drejta, duhet të dish se si të manovrosh dhe të përdorësh strategji të mençura.
𝐌𝐞̈𝐬𝐢𝐦𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐩𝐨𝐥𝐢𝐭𝐢𝐤𝐞̈𝐧 𝐭𝐨𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫𝐞
Shembulli i Zelenskyjt na mëson disa mësime të vlefshme për politikën tonë, shpjegon Gëzim Mekuli:
1. Përdorimi i gjuhës amtare është një përparësi, jo një dobësi. Përdorimi i përkthyesve nuk është tregues i mungesës së njohurive gjuhësore, por një strategji e zgjuar për të ruajtur saktësinë, nuancat dhe ndikimin.
2. Asnjë takim nuk duhet të lihet në dorë të rastësisë. Çdo fjalë, çdo temë dhe çdo detaj duhet të jetë i planifikuar me kujdes. Një takim i papërgatitur është një disfatë e sigurt.
3. Njih publikun tënd. Argumentet që funksionojnë në një vend, mund të mos funksionojnë në një tjetër vend. Nëse një lider është i fokusuar në interesin ekonomik, atëherë duhet të flasësh për interesa dhe jo për histori.
4. Diplomacia nuk është thjesht një përballje e ideve, por një lojë strategjie. Finesa, simbolika dhe psikologjia janë po aq të rëndësishme sa edhe përmbajtja e një diskutimi.
Në politikën ndërkombëtare, maturia në komunikim, gjuha pra, nuk është thjesht një zgjedhje; është një domosdoshmëri për të mbijetuar dhe për të pasur sukses. Dhe nëse duam që politika jonë të jetë e suksesshme në skenën globale, duhet të mësojmë nga këto gabime dhe të ndërtojmë një qasje më të mençur, më të planifikuar dhe më të rafinuar në komunikimin diplomatik.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 01/03/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk