“Nuk mund të qëndroj indiferent karshi përpjekjeve të një strukture që kanë vendosur të më bëjnë gjueti të shtrigave për mua si person me aftësi të kufizuar. Me thashetheme…”
– 𝐋𝐞𝐱𝐨𝐧𝐢 𝐠𝐣𝐚𝐥𝐞̈𝐭 𝐩𝐫𝐞𝐤𝐞̈𝐬𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐆𝐞𝐧𝐜 𝐗𝐡 𝐊𝐨𝐧𝐮𝐬𝐡𝐞𝐯𝐜𝐢𝐭 𝐩𝐚𝐬 𝐛𝐮𝐥𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢𝐭, 𝐬𝐡𝐩𝐨𝐭𝐢𝐭𝐣𝐞𝐬 𝐝𝐡𝐞 𝐩𝐞̈𝐫𝐪𝐞𝐬𝐡𝐣𝐞𝐬 𝐬𝐞̈ 𝐊𝐥𝐚𝐧 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈𝐬 𝐪𝐞̈ 𝐛𝐞̈𝐫𝐢 𝐧𝐝𝐚𝐣 𝐭𝐢𝐣
𝑈𝑛𝑒̈ 𝑛𝑢𝑘 𝑑𝑜 𝑡𝑎 𝑚𝑜ℎ𝑜𝑗 𝑣𝑒𝑡𝑒𝑛 𝑡𝑖𝑚𝑒!
Ky personazhi, me të cilin u tallën sonte gazetaret e emisionit Kiks dhe televizioni Klan Kosova, jam unë Genc Kunushevci. Ky që Klan Kosova sonte po më përgojon. Gjatë gjithë ditës së sotme, jam vërshuar nga telefonatat e llahtarshme të gazetarëve të këtij televizioni, pavarësisht faktit që shokët ua kanë komunikuar që unë nuk mund të flas, ngase nuk dëgjoj. Por, kjo nuk ishte e rëndësishme për tufën e „ujqërve të uritur” që po kërkonin ushqimin. Dhe ushqimi, isha unë.
Po, unë jam familjari i Albin Kurtit. Jam familjari i dëshmorit Ilir Kunushevci. Po, jam unë ky, që jeta më ka sfiduar me ligjet e pamëshirshme. Që në fëmijëri kam humbur dëgjimin dhe kjo barrë po më përcjellë gjatë gjithë jetës. Unë jam pajtuar me këtë “ndëshkim”, por nuk do të pajtohem me ligësinë e njerëzve të cilët kanë vendosur, që për qëllime meskine dhe të ulta, të më detyrojnë të adresoj publikisht problemin shëndetësor.
Kam ndjekur studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe vetëm nga personat me aftësi të kufizuar, mund të kuptohet vështirësia e ndjekjes së studimeve në profile inxhinierike. Në ndërmarrjen KOSTT punoj nga viti 2011. Megjithëse, asnjëherë, askush nuk ma ka thënë, unë jam i vetëdijshëm që punësimi im në një organizatë, do të ishte i pamundur para 50 viteve, apo para 100 viteve. Në periudha kur punësimi i personave me dëgjim të dobësuar dhe të shurdhër, pa ligje kundër-diskriminuese, pa konventa ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe pa njerëz vullnetmirë që mbështetjen e njerëzve me aftësi të kufizuara, përtej detyrimit ligjor, e shohin edhe obligim njerëzor dhe moral.
Unë jam punësuar si kuadër me përshkrim të detyrave teknike dhe profesionale. Aty jam edhe sot. Jam në pozitë e cila nuk kërkon komunikimin me staf, meqë shqisa e të dëgjuarit dhe të folurit nuk ma lejon. Puna që unë bëj’ është ekskluzivisht me pajisje të IT, të cilat i administroj teknikisht. Punën që unë e bëj’ e zotëroj plotësisht në planin profesional.
Nuk mund të qëndroj indiferent, nga shqetësimet e mëdha me telefonatat e ditës së sotshme dhe nga ky emision i porositur. Nuk mund të qëndroj indiferent karshi përpjekjeve të një strukture që kanë vendosur të më bëjnë gjueti të shtrigave për mua si person me aftësi të kufizuar. Me thashetheme dhe etiketime që keni pas rastin t’i shihni.
Unë nuk kam arritur këtu për shkak të ndihmës nga “dikush me ndikim apo i fuqishëm”, por sepse kam luftuar për çdo hap të bërë, duke përballuar sfidat me guxim dhe besim në veten time.
Sot, nga të gjithë ata që janë njerëzor, nuk pres më shumë, pres vetëm të ma respektojnë një të drejtë njerëzore. Të drejtën për të qenë i barabartë. E drejta barazi nuk është lëmoshë. Është një e drejtë themelore, e garantuar nga vetë ndërgjegjja njerëzore. Ligjet që trajtojnë të drejtat tona, në jetën shoqërore dhe në punë janë një mburojë për të gjithë ata që kërkojnë të kenë të njëjtën mundësi për të ndjekur ëndrrat dhe ambiciet e tyre.
Unë nuk jam person publik dhe nuk dua të jem. Asnjëherë nuk kam kërkuar mëshirë apo privilegje. Jam një qytetar i zakonshëm, që kërkoj të jem i lirë që punoj ta mbajë veten time. A duhet ta shkatërroni këtë përpjekje me insinuata të pabaza dhe me mungesë empatie?
E di që bota nuk është gjithmonë e drejtë, por ne mund ta bëjmë më të drejtë duke mbrojtur dinjitetin tonë dhe të tjerëve.
Kërkoj nga institucionet, mekanizmat, shoqëria civile dhe mediat të reflektojnë dhe të trajtojnë këto çështje me ndjeshmëri, profesionalizëm dhe empati. Mbrojtja e dinjitetit të një njeriu nuk është vetëm detyrë ligjore, por detyrë njerëzore.
Unë nuk do ta mohoj veten time!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!