𝐏𝐫𝐨𝐩𝐚𝐠𝐚𝐧𝐝𝐚, 𝐤𝐲 𝐡𝐞𝐥𝐦!

05
Jan
2025
Shkruan: Gëzim Mekuli


Propaganda është manipulimi i qëllimshëm i informacionit për të kontrolluar mendimin dhe veprimin tënd. Propaganda synon të mbjellë bindje dhe emocione të përpunuara, duke shtrembëruar realitetin. Kujdes, lexues të dashur: propaganda është një armë më e rrezikshme sesa plumbi, sepse propaganda nuk synon trupin, por trurin tënd.
𝐉𝐚 𝐝𝐢𝐬𝐚 𝐬𝐡𝐞𝐦𝐛𝐮𝐣 𝐧𝐠𝐚 𝐡𝐢𝐬𝐭𝐨𝐫𝐢𝐚 𝐛𝐨𝐭𝐞̈𝐫𝐨𝐫𝐞, 𝐭𝐞̈ 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐮𝐚𝐫 𝐥𝐞𝐱𝐮𝐞𝐬:
Propaganda naziste përdori stereotipe dhe gënjeshtra për të demonizuar hebrenjtë dhe për të mirëpranuar Holokaustin. Rezultati? Një botë e traumatizuar dhe miliona jetë të humbura.
Edhe në Bashkimin Sovjetik Stalini shtypi çdo formë të mendimit të lirë, duke e kthyer propagandën në një armë për të mbajtur pushtetin. Kishte mijëra piktura dhe postera të ndritshme për realitetin, ndërkohë që miliona vdisnin nga uria dhe represioni.
Mos të harrojmë më të rrezikshmen; propagandën serbe/jugosllave: Kombi shqiptar, i pushtuar nën Jugosllavi, paraqitej si “primitiv” dhe “ardhacak,” duke mohuar historinë dhe identitetin tonë. “Kosova është djepi i Serbisë”, ulërinte propaganda serbe/jugosllave. Propaganda e Beogradit paraqiste shqiptarët si të mbërthyer nga “emocionet” dhe “rrëmuja”, jo nga logjika dhe rregulli.
Në propagandë TI humbë aftësinë për të menduar kritikisht dhe për t’u organizuar për të mirën e përbashkët. Shoqëria polarizohet, fragmentohet dhe bëhet e manipulueshme. Ndërsa kombi dhe shteti shndërrohet në kukulla të propagandistëve, duke rrezikuar lirinë, pavarësinë, progresin dhe demokracinë.
𝐓𝐞̈ 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐮𝐚𝐫 𝐥𝐞𝐱𝐮𝐞𝐬,
tani shtrohet pyetja: sa ironike dhe e sertë është propaganda në mediat shqipe?
Tirana dhe Prishtina,, që të dyja kryeqytete shqiptare, shpesh, shndërrohen në foltore të interesave partiake dhe klaneve të fuqishme e të korruptuara ekonomike (oligarkëve). Në këto dy kryeqytete dominojnë, të ashtuquajturit, “analistë” (kalbësit e trurit) që maskojnë interesat klanore si “të vërteta,”. Ne, poshtu, kemi shumë gazetarë që kopjojnë pa verifikuar lajmin dhe “debate” që më shumë helmojnë sesa ndriçojnë popullin.
Titujt senzacionalë po përçajnë kombin politik shqiptar mes “kosovarëve” dhe “shqiptarëve”, mes veriut dhe jugut, mes Tiranës dhe Prishtinës, duke shitur frikë, ndasi dhe urrejtje për disa klikime më shumë; bash sikurse mediat e Beogradit.
𝐓𝐞̈ 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐮𝐚𝐫 𝐥𝐞𝐱𝐮𝐞𝐬,
Në vend që të jetë zëri i publikut, media shqipe shpesh bëhet vegël e armiqëve të shqiptarëve dhe oligarkëve.
𝐔𝐧𝐞̈ 𝐤𝐚𝐦 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐩𝐲𝐞𝐭𝐣𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐠𝐚𝐳𝐞𝐭𝐚𝐫𝐢𝐧 𝐞 𝐏𝐫𝐢𝐬𝐡𝐭𝐢𝐧𝐞̈𝐬 𝐝𝐡𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐓𝐢𝐫𝐚𝐧𝐞̈𝐬:
– A je zë i së vërtetës apo vetëm një altoparlant i propagandës?
Nëse nuk mund të mbrosh të vërtetën, atëherë mos e quaj veten gazetar/gazetare, quaje veten PR për oligarkët. Sepse një gazetar dhe gazetare që mbështet propagandën është më i rrezikshëm se një politikan i korruptuar. Ai vret mendjen e lirë. Ajo pushkaton mirëqenjën dhe instalon korrupcionin.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 05/01/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk