𝐏𝐬𝐞 𝐑𝐞𝐱𝐡𝐞𝐩 𝐐𝐨𝐬𝐣𝐚 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐩𝐢𝐬𝐡𝐭𝐚𝐫 𝐢 𝐦𝐞𝐧𝐝𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐤𝐨𝐦𝐛𝐞̈𝐭𝐚𝐫 𝐝𝐡𝐞 𝐳𝐞̈𝐫𝐢 𝐢 𝐚𝐫𝐬𝐲𝐞𝐬 𝐧𝐞̈ 𝐤𝐨𝐡𝐞̈𝐫𝐚 𝐭𝐞̈ 𝐣𝐚𝐬𝐡𝐭𝐞̈𝐳𝐚𝐤𝐨𝐧𝐬𝐡𝐦𝐞
Rexhep Qosja, ky kolos i mendimit shqiptar, ky akademik me guxim intelektual të rrallë dhe humanizëm të kulluar, mbetet një shembull brilant i asaj që një intelektual duhet të jetë në kohëra të jashtëzakonshme: zë i drejtësisë, udhërrëfyes i proceseve historike dhe mbrojtës i pashoq i interesave kombëtare.
Në shkrimin e tij madhështor, ku shpjegon pse në moshën tetëdhjetë e nëntëvjeçare do të votojë për Lëvizjen Vetëvendosje dhe për kryeministrin Albin Kurti, Qosja demonstron jo vetëm pjekuri intelektuale dhe shpirtërore, por edhe një bindje të patundur në të vërtetën, kombin dhe drejtësinë.
𝐍𝐣𝐞̈ 𝐢𝐧𝐭𝐞𝐥𝐞𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥 𝐢 𝐧𝐣𝐞̈𝐚𝐧𝐬𝐡𝐞̈𝐦 𝐩𝐞̈𝐫 𝐝𝐫𝐞𝐣𝐭𝐞̈𝐬𝐢𝐧𝐞̈
Në botën e sotme të fragmentuar, ku shpesh intelektualët bien pre e servilizmit ose e “neutralitetit” të rremë, Qosja, ky burrë malësie, qëndron si një shkëmb i moçëm në përballje me dallgët e oportunizmit politik. Ai na mëson se një intelektual nuk duhet të jetë i balancuar në kohë padrejtësish, as neutral kur kombi i tij përballet me sfida ekzistenciale.
Nëse kombi sulmohet, siç ndodhë sot me Kosovën nën kërcënimet permanente të politikave të Serbisë dhe, të mediave të Serbisë në Kosovë, një intelektual i vërtetë duhet të marrë anë, dhe ajo anë është gjithmonë drejtësia, e vërteta dhe interesi kombëtar.
Një intelektual i mirëfilltë, siç thekson me veprimin e tij Qosja, nuk e ka luksin të rrijë pasiv apo të gjendet në shërbim të interesave ditore. Në rrethana të jashtëzakonshme, roli i tij është të frymëzojë popullin dhe të mbështesë forcat që punojnë për gjeopolitikën e kombit. Kjo nuk është njëanshmëri në kuptimin partiak apo ideologjik; kjo është njëanshmëri për të mirën e atdheut.
𝐓𝐞̈ 𝐝𝐚𝐬𝐡𝐮𝐫 𝐥𝐞𝐱𝐮𝐞𝐬,
Në historinë botërore, shembujt e intelektualëve që kanë marrë drejtimin e proceseve kombëtare janë të panumërt. Jean-Paul Sartre në Francë ishte një zë i fuqishëm kundër padrejtësive koloniale dhe mbështeti lëvizjet për çlirimin e popujve të shtypur.
Nelson Mandela, një intelektual dhe lider politik, nuk mbeti pasiv përballë aparteidit, por u bë pishtar i barazisë dhe drejtësisë. Në Gjermani, në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, intelektualë si Hannah Arendt dhe Jürgen Habermas udhëhoqën me idetë e tyre një shoqëri të rrënuar drejt ribashkimit moral dhe kulturor.
Në rastin e Kosovës, sot, kur Serbisë i fryjnë erërat e revanshizmit dhe kur një pjesë e opozitës politike dhe media ushqen ndasitë e brendshme për përfitime të ngushta, zëri i një intelektuali si Qosja është më i nevojshëm se kurrë.
Qosja, me përkushtimin e tij ndaj drejtësisë dhe të vërtetës, ngrihet mbi nivelin e polemikave të ditës dhe na tregon rrugën e vetme të mundshme për një të ardhme të drejtë dhe dinjitoze: mbështetjen e forcave të pakorruptuara që përfaqësojnë shpresën për të gjithë shqiptarët.
𝐀𝐤𝐚𝐝𝐞𝐦𝐢𝐤𝐮 𝐪𝐞̈ 𝐢 𝐩𝐫𝐢𝐧 𝐤𝐨𝐦𝐛𝐢𝐭
Rexhep Qosja nuk është thjesht një shkrimtar apo një studiues, por një tribun i ndërgjegjes kombëtare. Me thellësinë e analizave të tij, ai na mëson se demokracia nuk mund të mbijetojë pa etikë, se shteti nuk mund të forcohet pa drejtësi, dhe se kombi nuk mund të qëndrojë i bashkuar pa një vision të përbashkët.
Me mbështetjen e tij për Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, ai nuk mbështet një individ apo një parti, por mbështet një filozofi politike që i kthen shpresën një populli të lodhur nga dekadat e padrejtësive dhe korrupsionit.
Nëse mësojmë diçka nga historia, është se intelektualët që marrin anë në kohë krize janë ata që i japin formë së ardhmes. Dhe në këtë aspekt, Rexhep Qosja është një model i pakapërcyeshëm i kurajos dhe vizionit intelektual. Ai është një poet, kritik dhe akademik i së vërtetës, një arkitekt i mendimit kombëtar dhe një dëshmitar i pagabueshëm i nevojës për një politikë të bazuar në dinjitet, drejtësi dhe gjeopolitikë kombëtare.
𝐓𝐞̈ 𝐝𝐚𝐬𝐡𝐮𝐫 𝐥𝐞𝐱𝐮𝐞𝐬,
Rexhep Qosja na kujton se në kohë lufte dhe sfidash të jashtëzakonshme, të qenit i “balancuar” mund të jetë një luks i rrezikshëm dhe një papërgjegjshmëri intelektuale. Ai na thërret që ta mbështesim të drejtën, ta ruajmë demokracinë dhe ta mbrojmë atdheun me të gjitha mjetet që kemi.
Në të vërtetë, një intelektual i vërtetë nuk është asnjëherë i paanshëm; ai është gjithmonë në anën e kombit, shtetit dhe të vërtetës. Dhe Rexhep Qosja është mishërimi më i gjallë i kësaj fryme të lartë intelektuale dhe njerëzore.
Prandaj edhe MekuliPress është i njëanshëm; është me historinë, gjeopolitikën, etikën, median dhe ekonominë shqiptare. Në kohë të jashtëzakonshme për kombin dhe shtetin vetëm të paaftit, impotetntët, kusarët dhe gjysmëanalfabetët janë të «balancuar» dhe «neutral». Pikë!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!