𝐑𝐞𝐚𝐠𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐒𝐇𝐁𝐀-𝐬𝐞̈, 𝐆𝐣𝐞𝐫𝐦𝐚𝐧𝐢𝐬𝐞̈, 𝐁𝐄-𝐬𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐎𝐒𝐁𝐄-𝐬𝐞̈.

24
Feb
2025
Shkruan: Gëzim Mekuli


𝐐𝐞𝐧𝐝𝐫𝐚𝐭 𝐢𝐥𝐞𝐠𝐚𝐥𝐞 «𝐬𝐨𝐜𝐢𝐚𝐥𝐞» 𝐭𝐞̈ 𝐈𝐫𝐚𝐧𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐋𝐢𝐛𝐚𝐧 𝐝𝐡𝐞 𝐪𝐞𝐧𝐝𝐫𝐚𝐭 𝐢𝐥𝐞𝐠𝐚𝐥𝐞 «𝐬𝐨𝐜𝐢𝐚𝐥𝐞» 𝐭𝐞̈ 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐬𝐞̈ 𝐧𝐞̈ 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈: 𝐄𝐤𝐬𝐩𝐚𝐧𝐬𝐢𝐨𝐧𝐢𝐳𝐞̈𝐦 𝐢 𝐦𝐚𝐬𝐤𝐮𝐚𝐫 “𝐒𝐨𝐜𝐢𝐚𝐥” 𝐝𝐡𝐞 𝐡𝐢𝐩𝐨𝐤𝐫𝐢𝐳𝐢𝐚 𝐞 𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦𝐢𝐭
Gëzim Mekuli
/Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës/
Mbyllja me shumë vonesë e qendrave ilegale serbe në veri të Kosovës paska nxitur reagime nga SHBA-ja, Gjermania, BE-ja dhe OSBE-ja, të cilat kanë kritikuar mënyrën e ndërhyrjes, duke shpërfillur qëllimin legjitim të Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.
Këto reagime nuk janë vetëm hipokrite, por edhe të rrezikshme, pasi legjitimojnë një model destruktiv që po përdoret në shumë vende të botës për të minuar demokracinë dhe stabilitetin politik.
𝐐𝐞𝐧𝐝𝐫𝐚𝐭 𝐢𝐥𝐞𝐠𝐚𝐥𝐞 «𝐬𝐨𝐜𝐢𝐚𝐥𝐞» 𝐭𝐞̈ 𝐈𝐫𝐚𝐧𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐋𝐢𝐛𝐚𝐧 𝐝𝐡𝐞 𝐪𝐞𝐧𝐝𝐫𝐚𝐭 𝐢𝐥𝐞𝐠𝐚𝐥𝐞 «𝐬𝐨𝐜𝐢𝐚𝐥𝐞» 𝐭𝐞̈ 𝐒𝐞𝐫𝐛𝐢𝐬𝐞̈ 𝐧𝐞̈ 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈
Një shembull klasik dhe shume aktual është ai i përdorimit të qendrave ilegale “sociale” për qëllime destabilizuese nga strukturat e Hezbollahut në Liban. Të maskuara si qendra sociale, humanitare dhe arsimore, këto institucione (qendra) janë në fakt pjesë e një rrjeti të mirëorganizuar terrorist që kontrollohet dhe financohet drejtpërdrejt nga Irani.
E pra, përmes këtyre qendrave, Irani jo vetëm që zgjeron ndikimin e tij politik dhe ideologjik në Liban, por gjithashtu rekruton militantë dhe shpërndan propagandë anti-perëndimore. Mu sikurse që Serbia po e bënë përmes zyrave/qendrave ilegale «sociale, humanitare e arsimore» kundër pavarësisë së Kosovës. Apo jo?
Qendrat «sociale, arsimore e humanitare» të Hezbollahut shërbejnë si mbulim për operacionet ushtarake dhe aktivitetet e inteligjencës, duke destabilizuar jo vetëm Libanin, por gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, në shërbim të Iranit. A po pajtoheni, apo jo, të nderuar lexues?
Kjo strategji është pothuajse identike me qendrat ilegale serbe në veri të Kosovës, të cilat, ndonëse pretendojnë të ofrojnë shërbime «sociale, humanitare, arsimore», e që në të vërtetë janë vegla politike të Beogradit për të minuar sovranitetin e Kosovës dhe për të nxitur tensione ndëretnike. (Kujto “rojet e urës”, “mbrojtjen civile”, Brigadën e Veriut”, nënkryetarin e “Listës Serbe”, shpalljen ditë zie në Serbi për vrasjen e terro*ristëve serb në Kosovë, qendrat “humanitare” në shërbim të aksioneve kundër Kosovës etj., etj.)
𝐉𝐚 𝐩𝐨 𝐣𝐮 𝐬𝐣𝐞𝐥𝐥 𝐤𝐞̈𝐭𝐮 𝐞𝐝𝐡𝐞 𝐝𝐢𝐬𝐚 𝐬𝐡𝐞𝐦𝐛𝐮𝐣 𝐭𝐞̈ 𝐭𝐣𝐞𝐫𝐞̈ 𝐧𝐠𝐚 𝐛𝐨𝐭𝐚: 𝐧𝐠𝐚 𝐑𝐮𝐬𝐢𝐚 𝐝𝐞𝐫𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐊𝐢𝐧𝐞̈
Rusia ka përdorur një strategji të ngjashme në Ukrainë dhe Gjeorgji, ku përmes qendrave «kulturore», «sociale» dhe «humanitare» ka krijuar rrjete ndikimi politik dhe ka përgatitur terrenin për destabilizimin e këtyre vendeve.
Në Ukrainë, këto qendra «sociale» kanë ndihmuar në organizimin e grupeve separatiste dhe në shpërndarjen e propagandës pro-ruse, duke përgatitur terrenin për aneksimin e Krimesë dhe konfliktin në Ukrainë. A ju kujtohet?
Në Hong Kong, Kina përdori qendra «edukative» dhe «kulturore» për të shpërndarë propagandë pro-Pekinit dhe për të kontrolluar narrativën politike, duke minuar demokracinë dhe lirinë e shprehjes.
𝗧𝗲̈ 𝗻𝗱𝗲𝗿𝘂𝗮𝗿 𝗹𝗲𝘅𝘂𝗲𝘀,
Hipokrizia e SHBA-së, Gjermanisë, BE-së dhe OSBE-së është tronditëse. Është zhgënjyese! Është tipike trumpiane!
Këto shtete e njohin mirë rrezikun që paraqesin qendrat e tilla në vendet e tjera, por kur vjen puna te Kosova, ato jo vetëm që injorojnë kontekstin historik dhe politik të Republikës së Kosovës, por edhe legjitimojnë strukturat (qendrat) paralele serbe, të cilat janë në thelb celula ekspansioniste të Beogradit.
Kjo qasje jo vetëm që po minon sovranitetin e Kosovës, por gjithashtu forcon ndikimin ekspansionist rus dhe serb në Ballkan, duke rrezikuar stabilitetin rajonal dhe duke inkurajuar aktorët destruktivë që të përdorin modele të ngjashme për të minuar demokracinë dhe sigurinë në vendet e tjera.
Konsekuent deri n’pikë t’fundit; Perëndimi duhet të heqë dorë nga standardet e dyfishta dhe të mbështesë fuqizimin e institucioneve të Kosovës për të mbrojtur integritetin e saj territorial dhe sundimin e ligjit.
Në vend që të kritikojnë mbylljen e strukturave ilegale serbe, SHBA-ja, Gjermania, BE-ja dhe OSBE-ja duhet të pranojnë se këto qendra ilegale nuk janë asgjë më shumë se vegla politike/ushtarake për të minuar sovranitetin e Kosovës, ashtu siç janë qendrat e Hezbollahut në Liban apo ato të Rusisë në Ukrainë.
Vetëm një qasje parimore dhe e vendosur do të ishte një mesazh i qartë për të gjitha forcat destruktive që përdorin qendra të tilla «humanitare» për të destabilizuar demokracitë dhe për të shkelur sovranitetin e vendeve të tjera.
Rrugë tjetër demokratike s’ka, apo jo të dashur lexues?

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 24/02/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk