Të përulesh para Grenellit, e pastaj të qash për flamurin e UÇK-së në Tiranë? Mëkat i dyfishtë. Turp. Njollë e pashlyeshme.

09
Jun
2025
Shkruan: Vudi Xhymshiti

Flamuri që Edi Rama nuk e do më…!

Jun – 8 – 2025
——————————————————————————————————-

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Flamuri që Edi Rama nuk e do më
Të përulesh para Grenellit, e pastaj të qash për flamurin e UÇK-së në Tiranë? Mëkat i dyfishtë. Turp. Njollë e pashlyeshme.

Në një prej atyre mbrëmjeve që historia i ruan për të shënuar kapërcyellin mes dinjitetit dhe turpit, në zemër të Tiranës, në stadiumin kombëtar që mban emrin “Air Albania,” një emër i huazuar si për të maskuar zbrazëtinë e moralit të kohëve të fundit, ndodhi një skenë që as shkrimtaria më therrëse e këtij kombi nuk do ta kishte imagjinuar. Në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë, një akt që i kalon kufijtë e sportit dhe i zbret në fushën e kujtesës historike dhe të plagëve të pashëruara, Policia e Shtetit u vu në lëvizje për të ndaluar flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për të nxjerrë me forcë nga stadiumi një tifoz që mbante mbi gjoks simbolin e saj¹. Aty, nën llampat e ftohta të stadiumit, u ngul thika e ftohtë e harresës në zemrën e një kombi.

Për shqiptarët e Kosovës, për ata që mbajnë në eshtra dhimbjen e luftës, për nënat që ende presin bijtë që nuk u kthyen kurrë, për varret pa emër që dëshmojnë lirinë e fituar me gjak, ky flamur nuk është thjesht copë pëlhure, por është betim dhe amanet. E megjithatë, në Tiranën e Edi Ramës, atë Tiranë që prej vitesh e ka humbur busullën kombëtare nën magjepsjen e protagonizmit ndërkombëtar të rremë², ky simbol u trajtua si barrë e panevojshme, si pengesë për “stabilitetin” e importuar nga Beogradi.

Çfarë ironie therrëse!

Vetëm pak javë më parë, më 18 maj, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), ajo trupë që dikur përfaqësonte krenarinë e atyre që luftuan për të mos u bërë më skllevër, i shkruante një letër me plot përulësi³ dhe turp Richard Grenellit, një manipulues politik që ka mbetur një mbetje e neveritshme në diplomacinë amerikane dhe që sot bredh korridoreve të autoritarizmit ballkanik për të mbajtur të ndezur flakën e destabilizimit.

Le të mos harrojmë: ky është po ai Grenell që në koordinim të ngushtë me Edi Ramën, Hashim Thaçin e Isa Mustafën e garniturën e politikanëve pro-Beogradas punuan pas dyerve të mbyllura për t’ia dhënë Serbisë atë që nuk e arriti dot me tanke, një pjesë të Veriut të Kosovës të legalizuar përmes diplomacisë së pistë. Është ky Grenell që në krah të Vuçiqit, trashëgimtarit politik të kasapit të Ballkanit, Milosheviçit, kërkon t’i japë Serbisë atë që bota demokratike i kishte mohuar më 1999.

Dhe tani, po kjo OVL-UÇK, që në një akt servilizmi të pashoq i lutej Grenellit të ndalte Gjykatën Speciale, atë gjykatë që, ndonëse e dhimbshme, është e nevojshme për të pastruar lavdinë e luftës nga hijet e krimeve. E për çudi po kjo OVL-UÇK-së, duket se guxon të bëjë thirrje për “respekt” ndaj flamurit të UÇK-së në tokën e Shqipërisë⁴.

Kush?

Ata që vetëm pak ditë më parë kishin hedhur për toke dinjitetin e UÇK-së për një kartolinë të rreme të Grenellit. Çfarë grotesku politik! Çfarë shfaqjeje hipokrizie që do t’i bëjë edhe maskarenjtë të skuqen!

Le të qeshim hidhur, të nderuar lexues, se nuk na mbetet tjetër. Sepse nëse për veteranët e komprometuar, servilizmi ndaj Grenellit dhe Rama-Vuçiqit është bërë normë, për shqiptarët e zakonshëm, kjo është fyerje që nuk falet. Si mundet pra që sot këta njerëz që ulën në gjunjë dinjitetin e luftës përballë një manipuluesi amerikan, vijnë e derdhin lot krokodili për një flamur të hequr nga stadiumi që drejtohet nga një regjim që vetë ata ndihmuan ta legjitimonin?

Le t’u kujtojmë: kur Edi Rama, siç e kam dokumentuar më herët⁵, u bë avokat i “Ballkanit të Hapur”, ku Kosovën e lanë jashtë si të ishte një pengesë, ku ishin veteranët? Kur ai dorëzonte draftet e Asociacionit në duart e Vuçiqit dhe miqve të tij ndërkombëtarë, ku ishin veteranët? Kur Edi Rama i përqafoi projektet që do të çonin në legalizimin e ndarjes de facto të Veriut të Kosovës, ku ishin këto zëra të ashtuquajtur të “kujtesës së luftës”? Heshtnin. Apo edhe më keq, bënin letra për Grenellin. Për atë njeri që, siç kam shkruar⁶, nuk ka më as një post formal në diplomacinë apo qeverinë amerikane, një sharlatan që ha bukën e rusëve dhe hungarezëve, që manipulon Ballkanin me paratë e lobistëve më të pistë të kontinentit.

Prandaj, sot kur ata ofshajnë “Na dhemb zemra oj nanë Shqipni”, le të qeshim.

Po, Shqipëria e tyre është ajo Shqipëri që vetë ata e ndihmuan ta kthejnë në skenë teatrale për intrigat e Vuçiqit⁷ dhe Grenellit. Shqipëria që përgatitet të organizojë kampionate me Serbinë, Shqipëria që emëron shefa shërbimesh sekrete të përjashtuar nga Kosova⁸, Shqipëria që hesht për krimet në Veri të Kosovës, Shqipëria që bëhet tribunë për t’i arsyetuar planet më të errëta për Kosovën. Dhe në këtë Shqipëri, pikërisht në këtë, ku sundon “stabiliteti” i propagandës, nuk është për t’u çuditur që flamuri i UÇK-së të shikohet si problem, ndërsa flamuri i “Ballkanit të Hapur” të valëvitet pa turp.

Po, turp. Turp për OVL-në e UÇK-së që sot guxon të bëjë moral publik, kur vetëm pak ditë më parë u vetë-poshtërua me një letër që do mbetet njollë e pashlyeshme në histori. Turp për ata që e shesin patriotizmin për interesa të ngushta politike e juridike. Turp për ata që harrojnë se lufta për liri nuk ishte luftë për pushtet personal, por për një shtet të drejtë, ku askush nuk është mbi ligjin.

Ndërsa për Edi Ramën, historia tashmë po shkruhet. Nga mbështetësi i ndarjes së Kosovës, tek shërbëtori i projektit të Vuçiqit për një rajon me kufij të lëngshëm etnikë, tek ideatori i “neutralitetit” në krizat më të rënda të Kosovës, ai është shndërruar në simbol të një Shqipërie që është gati të shesë kujtesën kombëtare për pak kredite diplomatike në Bruksel apo Berlin. Sot ai ka krijuar një Tiranë ku Policia e Shtetit shkon më me vrull kundër flamurit të UÇK-së sesa kundër krimit të organizuar. Një Tiranë ku bashkëpunimi me Serbinë ngrihet në piedestal, ndërsa bashkëpunimi me Prishtinën lihet të thahet në harresë.

Prandaj kjo që ndodhi këtë fundjavë në stadium nuk është incident sportiv. Është simptomë e një kalbëzimi moral që ka kapluar majën e shtetit shqiptar. Është tregues i një Shqipërie që po harxhon dinjitetin kombëtar për interesa të rreme. Është pasqyrë për ata që kujtojnë se historia mund të fshihet me deodorantë diplomatikë. Por historia nuk fal. Flamuri i UÇK-së që u hoq me forcë nga stadiumi do të qëndrojë në ndërgjegjen e këtij kombi më gjatë se çdo ndeshje futbolli. Ai flamur do të valëvitet në kujtesën e të rinjve që nuk do ta lejojnë më që të bëhet kartolinë për Grenellët e kësaj bote.

Dhe sa për OVL-në e UÇK-së: heshtni. Të paktën për pak kohë.

Sepse s’ka përçmim më të madh sesa hipokrizia e atyre që një javë ulin kokën para armiqve të Kosovës, dhe javën tjetër derdhin lot krokodili për një flamur që ata vetë e kanë tradhtuar me veprimet e tyre. Kujtesa është e shenjtë, por jo për ju. Sepse për ta mbajtur të tillë, duhet integritet, duhet drejtësi, duhet guxim dhe ju nuk keni më asnjërën prej tyre.

Dhe historia, si gjithmonë, do ta mbajë mend.

Dhe do t’ju gjykojë. Pa mëshirë.

Abonohu me pagesë, që zëri ynë të vazhdoj të kumboj për të vërtetën..

Upgrade to paid
Kritikë
Mora Fjalë, Mori Heshtjen: Kur Shqipëria Fik Zërin e Lirisë
Vudi Xhymshiti
·
December 4, 2024
Mora Fjalë, Mori Heshtjen: Kur Shqipëria Fik Zërin e Lirisë
Në një akt të guximshëm dhe tejet të papranueshëm, qeveria shqiptare, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, ndaloi këngën patriotike “Mora Fjalë” që të këndohet në stadiumin “Air Albania” këtë nëntor. Kjo këngë, një himn poetik për Adem Jasharin, komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sakrifica e të cilit përjetësoi luftën për liri t…

Read full story
1
Flamuri i UÇK-së i ndaluar në Tiranë: Policia e shtetit largon flamurin nga stadiumi, por edhe një tifoz që kishte veshur një fanellë të tillë — Telegrafi.

2
Shteti i Mafias: Si Rrezikohet e Ardhmja e Shqipërisë nga Regjimi i Korruptuar dhe Bashkëpunimi Ndërkombëtar ?

Shqipëria po shndërrohet në një shtet mafioz nën Edi Ramën, ndërsa bashkësia ndërkombëtare normalizon korrupsionin, minon demokracinë dhe fuqizon krimin e organizuar në vend. — SPOTLIGHT.

3
OVL-UÇK i dërgon letër Grenellit, kërkon të mbyllet Gjykata Speciale — KOHA Ditore.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së’s — Facebook Post.

4
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së’s Facebook Post.

5
Kur Vota Mund të Bëhet Vetëposhtërim

Një votë për Ramën më 11 maj është një votë për heshtjen ndaj krimeve, për përuljen ndaj Beogradit, dhe për përdhosjen e sakrificës kosovare në emër të “stabilitetit” të rremë. — SPOTLIGHT.

6
Grenell dhe Pushteti që Nuk Kthehet Më

I dëbuar me turp nga Gjermania, i përjashtuar si i pabesueshëm nga inteligjenca amerikane, i nderuar nga Serbia dhe tani i degraduar në një teatër pa ndikim, pa relevancë dhe pa të ardhme. — SPOTLIGHT.

7
Mora Fjalë, Mori Heshtjen: Kur Shqipëria Fik Zërin e Lirisë

Shqipëria hesht këngën ‘Mora Fjalë’, ndërsa Serbia rikthen dhunën. Tradhti ndaj Jasharit, tradhti ndaj Kosovës, tradhti ndaj çdo shqiptari që kujton lirinë! — SPOTLIGHT.

8
Agjentja që nuk u verifikua kurrë

Agjentja e shkarkuar Kosovare tani drejton SHiSH-in, duke ndezur frikë për besnikërinë dhe ndikimin e huaj. Derisa Edi Rama hyn në mandatin e tij të katërt, a e ka zëvendësuar shteti në hije atë real? — SPOTLIGHT.

Aktualisht jeni një lexues falas i SPOTLIGHT. Për të na ndihmuar dhe mbështetur misionin tonë fisnik, ju lutemi regjistrohuni si anëtar i plotë me pagesë.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 09/06/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk