“21 JANARI I 2011-s”, RIKTHEHET NË SKENËN E TRAGJEDIVE SHQIPTARE!

19
Jul
2024
Shkruan: Gjon Bruçi


-Gazeta SOT, datë 18 Korrik 2024-
Më në fund, pas 13 vite e gjashtë muaj, rikthehet në “skenë” tragjedia e 21 janarit 2011, një nga ngjarjet më shokuese për qytetarët shqiptarë, njëherësh edhe pasqyra më e saktë e psudodemokracisë borgjeze, të instaluar në vendin tonë në fundvitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Kësaj radhe, “producent” i shfaqjes është Gjykata e Strasburgut, e cila, pasi shqyrtoi ankesat e të dëmtuarëve në këtë datë fatale për qytetarët që demonstronin paqësisht në bulevardin e Tiranës, i bëri thirrje Gjyqësorit shqiptar për rihetimin dhe dënimin e personave përgjegjës për krimin shtetëror të 21 janarit 2011.
Fillimisht, ankuesit e dëmtuar nga masakra në fjalë, ju drejtuan SPAK-ut, si i vetmi institucion që gëzon ende njëfarë besimi e shprese për drejtësi. Ky i fundit, duke i bërë “dredha plumbit”, për “mungezë Kompetence”, ia përcolli Gjykatës së Kryeqytetit, autores së parë gjykuese, e cila, pas disa ecejakeve në Kryeministri dhe institucione të tjera, e pati “varrosur” çështjen në fjalë. Mirëpo, falë këmbënguljes së avokatit Idajet Beqiri, dhe i detyruar nga Strasburgu, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, problemin ia rekomandoi (me saktë ia drejtoi) për hetim e gjykim SPAK-ut.
Po, a do mundet SPAK-u t’i dalë më anë kësaj çështje, e cila është varrosur para 13 viteve së bashku me viktimat e pafajshme dhe maskaradat e vrasësve?! Tepër e vështirë, në mos e pamundur. Le t’i lemë supozimet dhe hamendjet, e të sjellim disa argumente për përcaktimet “tepër e vështirë” dhe “e pamundur”:
1.-Të gjithë e pranojmë se SPAK-u po mundohet të rikthejë drejtësinë e munguar dhe të nxjerrë “jashtë loje” pandëshkueshmërinë tridhjetë e ca vjeçare në vendin tonë. Shifrat e të burgosurve dhe të të gjykuarëve për korrupsion e krime, duken sinjifikative, por cilësia le për të dëshiruar. Të ndaluar e të dënuar gjer tani kemi vetëm peshqit e vegjël, dhe disa peshq mesatar, dënimi i të cilëve falë “gjykimeve të shkurtuara”, apo arsyeve të tjera proçeduriale, është tepër minimal, në krahasim me “bëmat” e tyre. Pothuajse asnjë ministër, zv/Kryeministër, apo kryetar bashkie në detyrë, nuk e kemi të ndaluar apo të dënuar, por vetëm kur ata bëhen “isha”. Për të mos folur për ish kryeministra e ish presidentë, të cilat më e shumta dënohen “arrest shtëpie”, me të drejtën e ligjërimeve publike nëpër ballkone. Mbi të gjitha, ndonëse kemi arrestime e dënime jo të pakta, diagrama e uljes së korrupsionit dhe krimit nuk ka ulje, përkundrazi.
2.- Çështja e 21 janarit, është një çështje tepër e madhe, e cila barazohet me gjëmat e ‘97-tës, ‘98-tës dhe të Gërdecit. Ashtu si këto tre vite me gjëmat e tyre, edhe 21 Janari i vitit 2011, ka një mori personazhezh, që nisin nga ushtari i gardës e gjer tek Kryeministri e Presidenti i Republikës. Në këtë labirinth personazhezh, një pjesë e të cilëve tashmë është arratisur nga Shqipëria, ështrë e vështirë të vësh në efiçencë vullnetet politike dhe veprimtarinë praktike të institucioneve. Vini re: Nëse për inceneratorët, sterilizimin, che-kapin etj. kanë kaluar tre apo katër vite me hetim, dhe ende nuk ka rezultatete konkrete, merreni me mend se çdo të ndodhë me 21 janarin, i cili do të kërkojë dy e trefishin e viteve. Pa llogaritur këtu “arratisjet” para ekzekutimit të ndalimeve, siç ndodhi edhe me 8 fletë arrestet më të fundit, të cilat nuk arritën të ekzekutoheshin asnjëra prej tyre.
3.-Por vështirësia më e madhe e hetimit dhe dënimit të shkaktarëve të masakrës shtetërore të 21 janarit, qëndron në faktin, se kjo masakër, jo vetëm ka perzonazhe nga i gjithë “fronti” politik e shtetëror, por në vobullën e kësaj date janë nakatosur edhe vetë ndërkombëtarët. Kush i ka ndjek me vëmendje ngjarjet e bujshme të tri dekadave të fundit në vendin tonë, është i bindur se ’97, ’98, Gërdeci dhe 21 janari, janë katër pikat kulminante të krimit të organizuar kundër interesave të vendit dhe qytetarëve. Autori kryesor i këtij “kuarteti”, si i shumë gjëmave të tjera që nuk numërohen, ka qenë Sali Berisha. Por ai nuk ka vepruar vetëm. Askush nuk mund të thotë se ’97-tën e bëri vetëm Berisha. Ai ishte “kumandari”, por me të gjitha format, dashje apo pa dashje i ndihën edhe politikanët e të gjithë spektrit politik, plus ndërkombëtarët e afërt e të largët. Amnistia e këtij krimi të përbindshëm që shembi Shqipërinë, e verteton më së miri këtë përcaktim. Për grushtin e shtetit të ’98 –tës, personazhi kryesor përsëri ishte Berisha, të cilin në vitin 2000 e ndaluan në një nga rajonet e policisë së Kryeqytetit. Por pas disa orësh, telefonatat nga SHBA, Italia dhe Gjermania e nxorën përsëri në liri, e madje pas disa vitesh e rikthyen edhe në pushtet. Dëshmitarë për këtë kemi ish ministrin e jashtëm të asaj kohe, Paskal Milo, i cili e deklaroi këtë fakt në një nga emisionet televizive të vitit 2020. Gërdecin po e përcjellim pa koment, sepse dihet që Gërdeci ishte vepër e Pentagonit, ku Saliu me djalin e tij e të tjerë, nxirrnin “ndonjë lek” nga allishverishet e tregëtisë së armëve. Po 21 janari? Pyesni ish shefin e SHIK-ut të asaj kohe, zotin Klosi, i cili deklaroi në televizion se ishte ai, që mesazhin e ndërkombëtarëve ia ka përcjellur Berishës. Dhe mesazhi, siç la të kuptohej Klosi, ishte “të ruante me çdo mjet stabilitetin”, që rrezikohej nga demonstratat e fuqishme e të përditshme të qytetarëve, të drejtuara nga PS. Kjo arsyeja e fundit, është kryesorja, sepse jo vetëm rrezikon daljen e miqve perëndimorë, por mbi të gjitha do të shembte si një kala rëre edhe “demokracinë fasadë” të sistemit të kalbur kapitalist, që imponuan në vendin tonë.
4. Argumenti tjetër që vështirëson e bllokon hetimin dhe gjykimin gjer në fund të 21 janarit, është rreziku i daljes në shesh të të gjithë kupolës politike të vendit tonë. Kur themi kupola politike, kam parasysh tri partitë kryesore, PD, PS dhe PL (LSI), që kanë drejtuar politkën dhe qeverisjen e këtyre tri dekadave e gjysëm të tranzicionit të pambarimtë. Të gjithë qytetarët e dinë fort mirë se, shkëndia që ngriti në demonstratë militantët e PS-së dhe jo vetëm ata, ishte “blloku 700 mijë eurosh i Ilir Metës, ish kryetarit të LSI, dhe ish ministrit të energjitikës, Dritan Prifti. Akoma më tej; nëse do të vijë puna që Berisha të dalë para bankës së akuzës për 21 janarin, domosdoshmërisht në krah të tij do të vendosej edhe Edi Rama, organizatori dhe drejtuesi i demonstratës së 21 janarit 2011. Duke mos qenë në krye të demonstratës, po diku pas kullave të Fidelit, turmat kapërcyen të drejtat e tyre si demonstrues, duke qëlluar me gurë e me hunj mbi policinë, e cila gjendej sipas rregullave në vendin e saj të rojes. Kjo, pa diskutim, përbënte dhe një nga shkaqet që puna arriti gjer tek armët e zjarrit, çka asnjë prokuror apo gjykatës nuk mund t’i mënjanojë nga gjykimi.
Nisur nga sa cilësuam më sipër, mund të themi pa frikë se gabojmë që, pjesëtarë të krimit të 21 janarit 2011, janë jo vetëm Berisha me zinxhirin komandues që drejtonte, por edhe dy politikanët Meta e Rama, i pari pjesëtar i qeverisë e i dyti, opozitar i saj. Sigurisht këta dy të fundit, nuk mund të barazohen me Berishën, alias “Arturo-ui-shqiptar”, por sidoqoftë ndëshkimit të drejtësisë nuk mund t’i shpëtojnë.
Këta janë argumentët që unë mendoj se do të bllokojnë e pezullojnë drejtësinë e vërtetë për 21 janarin e kobshëm, dhe jo vetëm.
Ndryshon puna, nëse prokuror Dumani dhe shokët e tij të SPAK-ut marrin në sy betimin që kanë bërë dhe vihen me guxim në mbrojtje të drejtësisë dhe në dënimin e pandëshkueshmërisë, kësaj plage e cila ka ushqyer dhe ushqen krimin e organizuar dhe korrupsionin galopant që ka mbërthyer politikën, shtetin dhe krejt vendin.
A mund ta arrijë SPAK-u këtë? Tepër e vështirë, madje e pamundur, sepse ata janë pjesë e sistemit, i cili i ka themelet pikërisht të mbështetura tek krimi dhe korrupsioni, asete që ai i pjell e i shumon çdo ditë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 19/07/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk