22 MARSI – DITA E DEMOKRAZISË!

22
Mar
2024
Shkruan: Gjon Bruçi

Shqiptarë, “gëzuar” ditën e “demokrazisë”!

Data 22 mars e vitit 1992, shënon ditën e “fitores” së Partisë Demokratike të Sali Berishës në zgjedhjet e përgjithshme për pushtetin politik. Sot mbushën plot 32 vjet nga ajo datë, e cila pretendohet të quhet “Dita e demokracisë”. Por realisht ajo duhet të përkujtohet si “Dita e demokrazisë”, e cila i dha fund Lirisë, Pavarësisë dhe Sovranitetit të Shqipërisë, fituar me gjak në 29 Nëntorin e lavdishëm të vitit 1944.
Në prag të kësaj date të vitit 1992, kur po votohej për revanshin e demokratikasve të Sali Berishës, mbështetur nga lukunia antishqiptare e brendshme dhe e jashtme, të cilët inspiroheshin e drejtoheshin hapur nga ambasadori amerikan, Rajerson, ish kryetari i Partisë Komuniste të Shqipërisë, poeti Hysni Milloshi, iu drejtua popullit me këtë thirrje:
“SHQIPTARË: MOS I LIDHNI SYTË ME SHAMI TË ZEZË PËRPARA KUTISË SË VOTIMIT, NDRYSHE AS QYQJA S’DO TË MUND TË VAJTOJË FATIN TUAJ!”
Por kjo thirrje nuk u dëgjua. Zëri i “sirenave” të demokrazisë borgjeze i thithi shqiptarët në ishullin e “Circes”, për t’i bërë skllevër të saj. Përcaktimi i mësipërm “se 22 marsi i vitit 1992 nuk është dita e “demokracisë”, por dita e “demokrazisë”, nuk është një krahasim letrar, por një realitet. Një realitet i hidhur. Nga gërmadhat e demokrazisë tridhjetë e dy vjeçare, mund të shihet fare qartë batërdia që ajo datë fatale bëri mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Asnjë pushtim i huaj, i çfarëdo kohe qoftë, nuk ka sjellë aq shkatërrime mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, sa solli demokrazia borgjeze, e cila zuri fill në atë 22 mars të kobshëm të vitit 1992. Dhe jo thjeshtë shkatërrime ekonomike, por shkatërrime në të gjitha fushat e jetës politike, sociale e shoqërore.
Neroni e dogji Romën, duke i vënë zjarrin, ndërsa Shqipëria jonë, u dogj e po vijon të digjet, jo vetëm nga “Neronët e zjarrit”, por po digjet nga “Neronët” e degjenerimit, të tradhtisë, të poshtërsisë, të korrupsionit, të krimit, të perversitetit, të kiametit; nga të gjitha të zezat që polli e pjell sistemi borgjez dhe mendja e njerëzve të çakërdisur dhe bastardëve të kombit, nxitur e ushqyer prej antishqiptarëve shekullorë.
Nëse do të kishim mundësi të shpërndanim certifikata turpi për këtë kolerë-demokrazi që u impostua mbi trupin e atdheut tonë, “medaljen” më të madhe do ta merrte Berisha, ky “Neron” bastard i shekullit njëzet. Por edhe sivëllezërit e tij të shpërndarë nëpër pothuaj gjithë partitë politike të vendit tonë, nuk do të mbeteshin pa dekorata. Qoftë për heshtjen e neglizhencën që kanë treguar e po tregojnë ndaj “Neronëve”, të cilët ende mbajnë në duar urën e zjarrit për ta batërdisur këtë vend gjer në themel, por edhe për mosveprimet dhe veprimet e tyre ndaj fateve të vendit. Është fjala për “skotën moderne” të ashtuquajtur të “majtë”, e cila, ndonëse e shpalli veten parti e iluminizmit dhe e socializmit shkencor, degjeneroi pashmangshëm në një socialdemokraci rrenegate të interesave të popullit, e madje me prioritet drejt ngjyrave fashiste.
E bëjmë këtë përcaktim të ashpër, sepse tashmë është kuptuar nga të gjithë shqiptarët, përjashtuar militantët e sëmurë, se Partia e ashtuquajtur Socialiste, së bashku edhe me “socialisten” tjetër, me tri germa nistore “LIS”, apo “Partia e Lirisë”, janë bërë simotra të vërteta të partisë që i vuri zjarrin vendit në atë 22 marsin e zi të vitit 1992. Të dy këto partitë e fundit, së bashku me atë të Berishës dhe bishtave që i përcjellin në “ceremonialet” politike e shtetërore, e kanë zhytur Shqipërinë në krizën më të madhe politike, ekonomike e shoqërore që ka përjetuar ndonjëherë, qyshse ajo është shpallur shtet i pavarur në vitin 1912; duke e detyruar vendin të dalë si lypsare e copës së bukës në tregun ndërkombëtar, çka ka vënë në pikëpyetje mbijetesën dhe të ardhmen e popullit.
22 Marsi meriton të jetë një ditë zie. Por berishianët dhe militantët e tij, me siguri do të festojnë, siç festonin kolaboracionistët tanë me Jakomonin në ditën e 7 prillit. Nuk është çudi, që edhe nga kampi tjetër, të ketë vizita kortezie. Se në fund të fundit, të gjitha partitë borgjeze luftuan dhe po luftojnë për këtë “demokrazi” që i bëri me superpasuri! Një superpasuri mbi kurrizin e popullit dhe të vetë demokracisë!
Në vitin 1997 qytetarët shqiptarë u prekën në paratë e fituara e të kursyera me djersë e gjak. Sot po cenohen në statusin e tyre të minimumit jetik. Për këtë situatë më të fundit, do të doja t’i drejtohesha kryeministrit aktual, i cili, megjithëse kriza është ulur këmbëkryq midis nesh, vijon të shalojë si një bajraktar, kalin e ngordhur të Rilindjes, kthyer tashmë si Rosinanti i Don Kishotit:
-.Zoti Kryeministër, mblidhe kabinetin tënd “elegant” dhe thuaju atyre dhe vetes, se qeveria nuk është Kabinet valltarësh, resortesh e batutash, por ekuipazh me përgjegjësi jetike në drejtimin e anijes së shtetit. Nëse nuk e kuptoni këtë dhe vijoni të fshiheni pas gishtit, atëhere qytetarët do të dalin në shesh dhe do t’iu gjykojnë për tradhti të lartë ndaj interesave të tyre dhe të vetë shtetit.
Populli është i madh e i gjerë sa deti. Ai nuk është përrua malor, që zemërohet e hidhet përpjetë sapo derdhet në të një rrëke shiu. Populli, ashtu si edhe deti, fryhet e lëviz ngadalë, dhe kur i vjen ora, apo kur i soset durimi, shpërthen me dallgë të hatatshme dhe përlan gjithçka i del përpara.
Mjerë kush nuk e kupton këtë filozofi të thjeshtë, por reale.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 22/03/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk