ME FAT…!

14
May
2023

Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti
Dita e sotme, kur mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Republikën e Turqisë, 14 maj 2023, përbën një koinçidencë me përditësimin (kujtesën) e këtij shkrimi nga arkivi im në fb.
Me këtë rast, lexuesit duhet ta dinë se shqiptarët në Turqi, me pak përjashtime, historikisht i kanë ndryshuar pozitivisht rrjedhat politike dhe shoqërore në këtë shtet, i cili është shtet edhe i disa milionë shqiptarëve vendës në Turqi.
Me fat dita e re, e paqes, demokracisë, ndryshimit dhe progresit për popullin e Turqisë!
(14 maj 2023)
* * *
SHQIPTARËT JANË AUTOKTONË, NË TROJET E TË PARËVE TË TYRE, NË GADISHULLIN E ILIRISË DHE GADISHULLIN E ANADOLLIT, QË PARA TROJËS DERI NË TURQINË E SOTME
TROJA (në gjuhën greke: Τροία, Troja ose Τροίας, Troias dhe Ἴλιον, Ilion dhe Ἴλιος, Ilios; në gjuhën latine: Troia dhe Ilium; në gjuhën hittite: Wilusha dhe Truwisha; në gjuhën turke: Truva dhe Troya) etj.
Në asnjë gjuhë tjetër si në gjuhën shqipe (gjuhën e vetme pasardhëse e pellazgjishtes dhe ilirishtes) nuk kanë kuptimin më të plotë, të qartë, shpjegues dhe bindës, emrat e lashtë të qyteteve dhe krahinave në Anadollinë e Turqisë së sotme, si emri TROJA (qytet dhe krahinë), ILION (emër i qytetit-Troja), DARDANIA (qytet dhe krahinë), DARDANELE etj.
A nuk ishin pellazgët, dardanët-ilirët-shqiptarët, banorët e parë të këtyre trojeve, shumë përpara banorëve të mëvonshëm persë, mongolë, tartarë, egjiptianë, arabë, sllavë e të tjerë?
A mos ishte i rastësishëm themelimi dhe drejtimi i Perandorisë Bizantine (pjesa lindore e Perandorisë Ilire-Romake), e Perandorisë Osmane (jo turke), zgjerimi i saj nga vezirët dhe pashallarët e famshëm të gjakut shqiptar, si dhe mbrojtja e këtyre trojeve nga coptimi pas rënies së kësaj Perandorie, nga fuqitë e mëdha evropiane më 1915, në Betejën e Çanakkalasë, ku 42 mijë shqiptarë u flijuan, jo si mercenarë por si mbrojtës të tokave të gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre pellazgë-trojanë-dardanë?
A mos ishte e rastësishme përkrahja e gjermanëve në krah të shqiptarëve në Luftën e Çanakkalasë? Pse u desh që pas nënshtrimit të plotë të popujve të tjerë në brendi të vendit, të mobilizohen forca ushtarake nga pjesa evropiane, kryesisht me ushtarë dhe komandantë shqiptarë, në krye me Mustafa Qemal pashën e racës shqiptare, më vonë i quajtur Ataturk, babai i Turqisë moderne?
A mos rastësisht Lëvizja e Rilindjes Kombëtare, për çlirim kombëtar dhe krijimin e Shtetit të pavarur Shqiptar në Gadishullin Ilirik, filloi dhe koordinohej nga kryeqyteti historik i shqiptarëve, Buzana-Konstandinia (qyteti i themeluar nga Shën Konstandini i Dardanisë, me gjak ilir-shqiptar), qytet të cilin e qeverisën shqiptarët së paku 1 mijë e 129 vjet para krijimit të Perandorisë Osmane? A mos ishin të gjithë vezirët, pashallarët, guvernatorët dhe gjeneralët, shqiptarë me përkatësi fetare islame në Perandorinë Osmane? Jo. Kujtoni Pashko Vasën, Jani Vreton, Filip Shirokën dhe të tjerë!
A mos rastësisht, edhe sot në Turqi dhe disa shtete të tjera përreth jetojnë disa milionë shqiptarë dhe dhjetëra milionа banorë të tjerë me rrënjë pellazge-ilire-shqiptare?
Po të mos ishte kështu, si pati mundësi që shqiptarët ta sundojnë dhe qeverisin Egjiptin nga një dinasti mbretërore shqiptare, së paku 150 vjet, nga Mehmet Ali Pasha deri tek pasardhësi i tij i fundit, mbreti Faruk, i larguar dhunshëm më 1952 nga pushteti përmes lëvizjes komuniste të përkrahur nga klika komuniste sllave, propaganda greke dhe regjimi i Rusisë sovjetike?
Si mund të shpjegohet që edhe Turqinë moderne e kanë qeverisur me sukses të madh disa kryetarë shteti me prejardhje shqiptare dhe shumica e gjeneralëve të ushtrisë turke kanë qenë dhe janë edhe sot me prejardhje shqiptare?
Historitë e popujve janë si rrjedhat, shtretërit e lumejve, herdokurë e kërkojnë rrjedhën e tyre të mëparshme, të natyrshme, që ua kanë ndryshuar në mënyrë të dhunshme njerëzit, pushtetet dhe rrethanat historike.
Shqiptarët nuk kanë humbur kaq shumë territore dhe njerëz pse u kanë takuar besimeve të ndryshme fetare, por pse kanë qenë të rrethuar me shumë armiq të egër, popuj barbarë dhe primitivë, të dyndur nga vise dhe kontinente të tjera, me raca të përziera që kanë luftuar jo vetëm për territore të reja banimi, por edhe për krijimin e identiteteve të tyre të reja, gjuhëve, kulturave, zakoneve, besimeve fetare, duke përvetësuar dhe falsifikuar gjithçka që kanë gjetur në trullin e ri të pushtuar nga ata, të krijuar më parë nga populli autokton pellazgo-ilir. Në këtë drejtim janë shquar sidomos grekët dhe sllavët pas ardhjes së tyre në këto hapësira.
Hiqni perden e errët të pushtimeve, sundimeve dhe falsifikimeve të së kaluarës, që ta shihni pastër të kaluarën ilire-shqiptare të Gadishullit Ilirik, Gadishullit të Anadollit dhe jo vetëm!
Ka edhe shumë „pse“ të tjera, të cilat kërkojnë përgjigje të qartë, të drejtë dhe mbi baza shkencore, sidomos nga studiuesit shqiptarë.
(14 maj 2018)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 14/05/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk