30 vjet nga shfaqja e këtij emri dhe kësaj embleme Ushtria Çlirimtare e Kosovës!

18
Nov
2024
Shkruan: Ali Sh Mehmeti


30 vjet nga shfaqja e këtij emri dhe kësaj embleme, që na ktheu dinjitetin dhe ngjalli shpresën.
Urime çdo pjesëtari dhe kontribuuesi të vërtet të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! LAVDI DËSHMORËVE TË KOMBIT!
Po si ishte situata në Kosovë, para se të shfaqej ky emër dhe kjo emblemë:
“Qetësia që mbretëronte në ato vite në Kosovë ishte e përkryer për regjimin serb. I kishin suprimuar të gjitha autorizimet e krahinës, kishin përjashtuar nga puna të gjithë të punësuarit shqiptarë, i kishin mbyllur shkollat dhe fakultetet në gjuhën shqipe, burgosjet dhe keqtrajtimet ishin shndërruar në përditshmëri, kurse shpërngulja ishte masive në drejtim të Evropës perëndimore. Nga ana tjetër, në Kosovë silleshin refugjatë serbë nga pjesët e Kroacisë dhe të Bosnjës, ku Serbia kishte humbur luftën. Me fjalë të tjera, i kishin zhveshur shqiptarët nga të gjitha të drejtat njerëzore, qytetare dhe nacionale, madje kishte filluar edhe kolonizimi masiv. Megjithëkëtë, në pyetjet e përfaqësuesve ndërkombëtarë se çfarë po ndodhte në Kosovë, Millosheviqi me qetësi mund t’u përgjigjej, madje edhe me “habi”, si një i paditur:
– Çfarë keni me Kosovën, atje po mbretëron qetësi, pse nuk e shikoni Bosnjën dhe Kroacinë, ku po vriten serbët?
Në fakt, qetësia dhe normaliteti ishin të simuluara, sidomos falë thirrjeve të pareshtura të Ibrahim Rugovës për durim dhe qetësi. Madje ky normalitet i simuluar i “shitej” edhe opinionit serb jashtë Kosovës, me qëllim që kolonët serbë të mos frikësoheshin dhe më lehtë të pranonin vendosjen e tyre në Kosovë, sepse ata më me dëshirë zgjidhnin brendinë e Serbisë, sa më larg Kosovës.
Edhe pse disa vite para konferencës së Dejtonit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte ndërmarrë disa aksione të armatosura, edhe më tutje mbretëronte një konfuzion se kush ishte prapa këtyre aksioneve. Viti 1996 shënoi një kthesë të rëndësishme. Deri atëherë kjo enigmë krijohej nga LDK-ja, gjoja këto aksione janë duke i kryer vetë serbet si pretekst për keqtrajtimin e shqiptarëve. E nëse ishin duke i bërë shqiptarët, atëherë ata ishin disa ”individë të frustruar”. Në shkurt të vitit 1996 u organizua një aksion i sinkronizuar në 5-6 qendra të Kosovës në të njëjtën kohë, ku domosdoshmërish do duhej të kishin marrë pjesë disa dhjetëra pjesëtarë. Përveç tjerash, ky aksion duhej t’i thoshte popullatës se ekzistonte një forcë e organizuar dhe të mos u besonin deklaratave që vinin nga baraka e Shoqatës së Shkrimtarëve. Mjegullnaja që ishte krijuar dhe krijohej nga dita në ditë nga LDK-ja dhe që do vazhdonte edhe më vonë, kishte dhe do ketë efekt edhe një kohë të gjatë, por jo mbi mua”
Nga libri “Në kërkim të Idesë” – Ali Sh. Mehmeti, Botimi Artini – 2021

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 18/11/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk