39 vjet më parë këta 20 shqiptarë ishin dënuar me 160 vjet burg nga gjykatat serbe

25
Jul
2023
shkruan: Ramadan Avdiut

Më 25 qershor 1984, në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës zhvillohej seanca fundit në procesin gjyqësor kundër 20 veprimtarëve të organizuar në kuadër të Organizatës politike çlirimtare, Fronti Nacionalçlirimtar i Kosovës.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Atë ditë herët në mëngjes erdhën gardianët dhe më nxorën nga dhoma nr. 20, në burgun e Mitrovicës. Burgu i Mitrovicës ishte ndërtesë në formë rrethi. Nga dhoma që ishte në katin e dytë, i shoqëruar nga gardianë shumë shpejtë u ndodha në korridor para hyrjes kryesore ku po prisnin të burgosurit Afrim dhe Ilaz Zhitija.

Na lidhën me pranga dhe na përplasen në bunkerin e “maricës”.

Rruga deri në Prishtinë na u duk e shkurtër, sepse ishim zhytur në bisedë bashkë me Afrimin e Ilazin. Po bisedonim për ekzekutimin e shqiptarit Ferat Muja nga Samadrazha e Vushtrrisë.

Ai në vetëmbrojtje kishte vrarë një bashkëfshatar të tij serb. Serbi e kishte goditur Feratin me shat në kokë dhe kishte tentuar ta vrasë…

Ferati kishte qëndruar për disa ditë në një dhomë burgu me Afrimin. Afrimi evokoi kujtime gjatë qëndrimit në dhomë me të… Në burg të Mitrovicës në shenjë proteste për ekzekutimin e tij patëm bërë grevë urie për disa ditë….

Nuk e vrisnim mendjen fare për vete nëse do të na dënojnë apo jo. Ishim shumë të rijnë Afrimi ishte 19, unë 20 kurse Ilazi 21 vjeçar.

Vetura u ndal. Kur hapën derën e pamë se kishim arritur në një hapësirë prapa Gjykatës së Qarkut në Prishtinë. Kur dolëm nga bunkeri i “maricës”, u ktheva dhe shikova nga rruga me kalldrëm që shpie drejt hyrjes në tregun e gjelbër. Pashë disa fytyra të njohura që ishin futur në një gjellëtore që ndodhej mu përballë, gjoja për të ngrënë dhe prisnin momentin të na shohin qoftë edhe për një sekondë. Nuk guxonin as të na përshëndesin sepse kishte përplotë policë të uniformuar e me rroba civile për rreth…

Ashtu të lidhur na rrëmbyen duke na tërhequr me forcë. Këmbët thuajse na shkonin zvarrë shkallëve të ndërtesës së gjykatës. Kot e keni. Ju nuk mund të na dënoni sa jemi ne në gjendje të sakrifikojmë për liri të popullit tonë, iu thoshte Afrimi policëve me zë të lartë, që ta dëgjojnë edhe ata punëtorë të gjykatës që kishin dalur shkallëve apo në korridor të ndërtesës… Edhe Ilazi e unë flisnim me zë të lartë duke protestuar e hedhur parulla si poshtë gjyqet antipopullore, me dënime nuk na ndalni nga rruga e lirisë, e fjalë të tjera të kësaj natyre… Ishte kjo njëfarë demonstrate e llojit të vet shkallëve dhe korridoreve të gjykatës…

17 veprimtarët e tjerë tashmë i kishin futur në sallën ku na bëhej gjyqi. Ishim ne të tre që na prisnin për të kompletuar numrin e 20 të akuzuarve. U përshëndetëm me ata që mund të përshëndeteshim. Secili veprimtarë që ishte ulur në bankat e gjykatores kishte nga një polic në të dy krahët. As prangat nuk na i hoqën. Salla e gjyqit ishte shumë e vogël për të zënë të gjithë ata njerëz.
Të gjithë të pranishmit në sallë, ne që akuzoheshim, policët që na ruanin, anëtarët e familjeve, avokatë, gjykatës e prokurorë, e kalonin numrin prej 150 vetave në atë sallë të vogël ku të zihej fryma.

Kur secili kishte arritur të zë vend, në sallë hyri paksa triumfalisht Ahmet Ahmeti, kryegjykatësi me disa letra në dorë dhe akoma pa zënë vend mirë me një fodullëk dhe arrogancë filloi të flasë dhe të kumtoj vendimin për dënimin tonë.

Ai lexojë me shpejtësi:

Pas shqyrtimit të akuzës dhe dëgjimit të të 20, të akuzuarve të cilët kanë vepruar në kuadër të organizatës armiqësore Fronti Nacional Çlirimtar nga pozitat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptaro madh, me qëllim të rrënimit të sistemit socialist të klasës punëtore dhe rendit kushtetues të RSF të Jugosllavisë, Gjykata e Qarkut në Prishtinë në emër të popullit dënon, të akuzuarit :

Sejdi Veseli 14 vjet burg.
Rrahman Bahtiri 13 vjet burg.
Shemsi Veseli 12 vjet burg.
Esat Brajshori 11 vjet burg.
Sabri Sopi 10 vjet burg.
Musli Prebreza 10 vjet burg.
Ilaz Zhitija 10 vjet burg,
Hamdi Rafuna 9 vjet burg.
Agim Sahiti 8 vjet burg
Sali Sefa 8 vjet burg.
Afrim Zhitija 8 vjet burg
Ramadan Avdiu 8 vjet burg.
Fatmir Sopi 7 vjet burg.
Xhemajl Rexhepi 7 vjet burg.
Tefik Ramadan 6 vjet burg.
Islam Krasniqi 6 vjet burg.
Dr. Skender Boshnjaku 4 vjet burg.
Kadri Haziri 3 vjet burg.
Rexhep Makolli 3 vjet burg.
Muhamet Kryeziu 3 vjet burg.
Sa e lexoi emrin e fundit gjykatësi iku nga salla me shpejtësi, kurse neve na kthyen nëpër dhomat e burgjeve prej nga na kishin marrë mëngjesin e asaj dite, këtu e 39 vite më parë…

P.S. Nga gjykimi i këtyre veprimtarëve, që është zhvilluar nga 19 deri më 25 qershor1984, është vetëm kjo foto e sjellë më poshtë.

(Ky shkrim është marr nga faqja e ’facebook”e Ramadan Avdiut)

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/07/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk