NE, BREZI, QË I MBETËM BORXH TË SHKUARËS DHE TË ARDHMES !

20
Nov
2023
Shkruan: Gjon Bruçi

Në fillimet e punës si nëpunës i shtetit, i ndikuar nga novelat e shkrimtarit amerikan, Ernest Heminguej, perifrazoja midis shokëve, në formë shakaje, se brezi ynë (të lindurit në periudhën e socializmit), ishte një brez i humbur, si ai i shkrimtarit në fjalë. Përcaktimi im kishte dy argumente, të cilat kur i dëgjoje, dukeshin si shaka pa kripë. Ne, brezi ynë, u “recitoja” shokëve, nuk arritëm të gëzonim as dekoratat dhe nderet e LANÇ, e as miradinat e komunizmit. Të parat, se nuk kishim lindur në atë kohë. Për të dytën, dihet se komunizmi donte më shumë se një jetë njeriu për të “mbërritur” me të gjitha arritjet e tij. Tani, kur po I afrohem të tetëdhjetave, vërej me dhimbje, se shakaja ime nuk ishte larg së vërtetës. Jo vetëm komunizmin nuk e arritëm, por humbëm edhe paradhomën e tij, socializmin.
Dikush, kthesën që ndodhi në fundvitetet nëntëdhjetë, e quan të pashmangshme, objektive. Socializmi e komunizmi, thonë ata, nuk mund të fitojnë, sepse janë idera dhe praktika utopike. Unë, megjithëse jam nga pala e humbur e betejës gjysëm shekullore midis Socializmit e Kapitalizmit, e kundërshtoi me bindje këtë tezë. Socializmi humbi betejën, por jo luftën. Lufta vijon gjer në fitoren e pashmangshme të socializmit e Komunizmit. Humbja e kësaj beteje ka shkaqe subjektive të dukshme. Në këto shkaqe subjektive, vendin kryesor e zë brezi im.
Kur them brezi im, kam parasysh të gjithë ata që ishin të interesuar për Socializmin e Komunizmin, si rend shoqëror, i cili në praktikën gjysëm shekullore të vendit tonë, e vertetoi progresin dhe vitalitetin e tij në të gjitha fushat e jetës politike e socialekonomike. Në avangardë të këtij brezi, doemos ishin bijt e Dëshmorëve të Atdheut dhe veteranëve të Luftës. Shifra 28 mijë dëshmorë, mund të shumëzohej pa frikë me të paktën njëzet persona, që kishin dhe kanë lidhje gjaku me Dëshmorët. Pa ishin dhe bijt e bijat e Veteranëve të Luftës, të cilët përbënin dy apo trifishin e Dëshmorëve, që duke i bashkuar me pjesën dërmuese të klasës punëtore dhe të fshatarësisë, plus komunistët e organizuar politikisht, Armata e Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Socializmit, përbënte më tepër se gjysmën e popullsisë së vendit.
Por pas dekadave të para të pasçlirimit, kur ishin hedhur bazat ekonomike të socializmit, dhe ishte siguruar pushteti politik, në “skenë” doli profecia e places Nurihan, personazh I romanit “Nëntori I një kryeqyteti”, ose I filmit artistic”Radiostacioni. Në dialogun midis disa grave të pasanikëve, që LANÇ i rrëzoi nga pushteti, njëra prej tyre, plaka Nurihan, thotë afërsisht kështu: “Mos u mërzisni, ata (populli, rajaja) do të mërziten pa ne, dhe shpejt do të na kërkojnë”.
Dy dekada pas kësaj profecie, “plaka Nurihan”, me shoqe e shokë, erdhën në pushtet. Nuk erdhën vetë, por i sollëm ne, “rajaja”, ku deri dje bëja pjesë edhe unë me shokët e mi të brezit të pasçlirimit. Si e qysh ndodhi kjo?
Brezi im, nuk arriti ta merrte në dorë seriozisht stafetën e veprës së Dëshmorëve. Se stafeta në fjalë kërkonte mundë e djersë pa kursim. Por kjo e fundit, siç u pa, nuk na vinte “për shtat”. Të gjithë e dinim teorikisht se “Pushteti mund të fitohet, por është më vështirë të mbrohet”. Por kësaj vështirësie ne i bishtnuam. Liria dhe Paqa që na dhuruan prindërit, na shijonte më mirë nëpër zyra, se sa atje ku dielli digjte në fytyra. Në bijt e bijat e Dëshmorëve dhe të Veteranëve të Luftës e të Punës, duket se u llastuam me nderet që na bëheshin për hir të veprës së prindërve tanë. Veprën e tyre, nuk e përvetësuam, por e privatizuam. Dhe me këtë “çertifikatë” pronësie, u lëshuam drejt shkollave, zyrave e kolltuqeve, shpesh herë të pamerituara. Për fat të keq, edhe disa prej veteranëve të luftës, ndonëse mbanin në gjoks plot dekorata të merituara, në vitet e fundit u bëri lak këmba. Jo prej pleqërisë, por prej lakmisë. Lakmisë për vete dhe për pasardhësit e tyre. Pse ndodhi kjo, kur në luftë ata kishin bërë sakrifica e heroizma të pashëmbullta? Eh, Lufta! Në luftë, siç është vertetuar praktikisht, dalin në pah vlerat më të larta të qytetarit të vërtetë. Ndërsa në paqe lulëzojnë të gjitha sëmundjet, fizike e morale.
Në fund të viteve tetëdhjetë, veçanërisht pas vdekjes së Udhëheqësit tonë të madh, Enver Hoxha, ne Armata e madhe e Socializmit, ishim përfshirë nga një makth i pashpjegueshëm për gjendjen e mjegullt, nëpër të cilën po notonte vendi ynë. Por të mbërthyer nga probleme meskine e personale, dhe të nanurisur nga paqja gjysëm shekullore, truri ynë ishte topitur, syri ynë ishte lbyrur dhe nuk arritëm ta shihnim “Kalin” e drunjtë, që po rendëte drejt nesh. I vetmi nga intelektualët e vendit, Hysni Milloshi, ishte ai që e kuptoi situatën dhe nëpërmjet penës së tij të artë, në vitin 1988, iu drejtua popullit me kushtrimin:
“Hapni sytë, hapni sytë ju punëtorë të çliruar / Ju heronj pa dekorata, ju viganë të shenjtëruar / Fryejnë erëra të sëmura jasht’ e brenda si lubitë / Jo, s’ka vdekur Bot’ e vjetër, hapni sytë, hapni sytë/. Hapni sytë ju fshatarë, e ju veteranë të Luftës / Revolucioni nuk përmbyset, vetëm me ushtri të pushkës / Lisin që s’e shemb rrufeja, krimbat mundet ta rrëzojnë / Krimbat me fytyrë njeriu, që ilegalë mes nesh jetojnë”. (Marrë nga poema “ATDHEU”).
Kushtrimi i poetit Hysni Milloshi nuk ishte retorikë, por një thirrje për t’i dalë të keqes përpara. Dhe ajo që tërheq vëmendjen, kushtrimi i poetit, nuk u drejtohet intelektualëve, as pushtetarëve, e madje as komunistëve, të cilët, siç u pa, e kishin tradhëtuar, apo do ta tradhëtonin Atdheun dhe popullin. Ai u drejtohet punëtorëve, fshatarëve, veteranëve dhe heronjëve pa dekorata. Veçse mjerisht, edhe këta mbrojtës të vërtetë të Lirisë e të Atdheut, paqja e pabesë, dhe tradhëtia, i kishte nxjerrë jashtë loje.
Në vitin 1990, u përsërit 7 prilli i vitit 1939. Veçse kësaj here jo me helmeta, topa e mitraloza, por me “Flamurin e Demokracisë”. Nuk është nevoja të japim shifra e fakte, për regresin e tmerrshëm që ka pësuar vendi ynë, gjatë këtyre tri dekadave të pas restaurimit kapitalist. Mjafton të citojmë parashikimin e Institucioneve Ndërkombëtare, përfshi dhe OKB-në, të cilët konstatojnë se Shqipëria, nga tre apo katër milion banorë që ka sot, në vitin 2050 do të zbresë në 800 mijë deri 1 milion banorë.
A mund të ndalohet kjo gjëmë që po na përgatitet?
Ish Armata e madhe e Socializmit, megjithëse u vetmashtrua dhe u tradhëtua poshtërsisht, i pati të gjitha mundësitë të mos e linte vendin të degradonte në këtë shkallë që ka degraduar aktualisht. Brezi im, i pati intelektualët e të gjitha fushave, të cilët po të viheshin në drejtim të punëve, do të kishin amortizuar shumë nga goditjet vdekjeprurëse të “lumpenëve” të shoqërisë, të cilët në bashkëpunim me reaksionin antishqiptar, kanë mbërthyer vendin, duke e çuar drejt asfiksimit dhe asimilimit.
Por fatkeqësisht, brezi në fjalë dështoi. Dështoi, sepse midis sakrificës së luftës dhe paqes së gënjeshtër, zgjodhi këtë të fundit. Për më keq, inteligjenca jonë, që është dhe drejtuesja e fateve të popullit, në shumë raste për hir të pragmatizmit, për hir të qetësisë e lumturisë personale, iu bashkua “Lumpenëve”, rrëmbyesve të pushtetit, duke u bërë ortakë me ta në shkatërrimin e vlerave të krijuara e të konsoliduara të Epokës së ndritur të Socializmit.
Ja, pse, unë qysh në titull të shkrimit, e quajta brezin tim, brezin që i mbeti borxh të shkuarës dhe të ardhmes, duke e cilësuar atë “Brezi i humbur”!
Po më tej? Cikli nuk mbyllet këtu, sepse brezat rifreskohen me gjenerata të reja. Sido që të vijnë rrethanat, Shqipëria do ta lindë brezin, i cili do të përballet me të keqen, dhe do të kthejë vendin në parametrat e dinjitetit dhe identitetit kombëtar, që sot është nëpërkëmbur keqas. Për këtë jam më se i sigurtë. Shoqëria njerëzore nuk mund ta pranojë gjatë regresin. Aq më pak kjo për shoqërinë shqiptare, e cila, pati fatin ta provonte Socializmin, arritjet e të cilit janë fiksuar përjetësisht në memorien e saj. Këto arritje, rezatojnë dritë të qartë, me të cilën vendi ynë do të mundë të gjejë rrugën për daljen nga tuneli i errët, ku e kanë futur tradhëtisht dhe forcërisht antishqiptarët dhe mercenarët e tyre në pushtet.
Kjo luftë e brezit të ardhshëm, nuk mund të jetë veçse ngjashëm me Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, e cila u kurorëzua me sukses në 29 Nëntorin e lavdishëm të vitit 1944.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 20/11/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk