15 Gusht 1943 u krijua dhe u përurua Brigada Parë Sulmuese …

14
Aug
2023
Shkruan: Dilaver Goxhaj

80 vite më parë, më 15 Gusht 1943 u krijua dhe u përurua Brigada Parë Sulmuese e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, në fushën e Makrëzës –Vithkuq. Br1S ishte formacioni i parë i kësaj madhësie, me luftëtarë të zgjedhur nga të gjithë formacionet partizane ekzistuese, me një efektiv prej 556 vetash. Atë ditë pati 4 batalione partizane; pas kapitullimit të Italisë Fashiste, më 9 shtator 1943, kësaj brigade iu shtua edhe batalioni “Antonio Gramshi” me 137 ushtarë italianë. Më pas Brigada u shtua deri në 1860 veta. Komandant I Br1S u emruar Mehmet Shehu dhe Komisar Tuk Jakova.
Nga radhët e Br1S dhanë jetën 370 dëshmorë, ndërmjet të cilëve Heronjtë e Popullit: Inajete Dumi, Xheladin Beqiri, Myslim Shyri, Gjok Doçi Estref Osoja, Fejzi Mecolli. Edhe vetë Br 1 S është dekoruar me titullin “Hero i Popullit”.
Oficeri i misionit anglez në Shqipëri gjatë LANC-it, Reginald Hibbert, në librin e tij “Fitorja e hidhur”, shkruan: “Brigada e Parë nën Mehmet Shehun mbeti corps d’elite e partizanëve, e kalitur nga vështirësitë e dimrit deri në nivelin e një qëndrushmërie të madhe dhe nga komandanti i saj i ashpër e i patundur deri në një shkallë disipline e manovrueshmërie që do ta habiste David Smajlin, i cili u zhgënjye aq shumë në përpjekjet e tij të para më 1943. Brigadat e tjera partizane e kishin si një model të shquar për të konkuruar me të: së bashku ata përbënin bërthamën e një ushtrie të aftë për t’u përdorur lirisht nëpër gjithë Shqipërinë, kur të vinin pranvera dhe vera (f.191)….Mund të diskutohet që pushteti I Enver Hoxhës u rrit nga armët e Brigadës Parë. Ishte mbijetesa e kësaj Brigade në dimrin 1943-1944 që I siguroi bërthamën rigjallërimit dhe zgjerimit fenomenal të LANC-it dhe të Ushtrisë Partizane në pranverën e vitit 1944. Në rast se Br1S nuk do të kishte ekzistuar në dimrine vitit 1943-1944, kishte mundësi që LANC-i të ishte shkatërruar nga bashkërendimi i gjermanëve dhe ballistëve….Kjo bëri që zogu Feniks partizan, sido që të ndodhte, do të ringjallej nga hiri në pranverë dhe, nëse nuk do të kishte qenë në dispozicion një sasi e konsiderueshme armësh britanike, partizanët do të përdornin armët që qenë në gjendje t’ua merrnin italianëve dhe i vunë mënjanë gjatë dimrit dhe pastaj do ta ngrinin forcën e tyre duke u rrëmbyer armët armiqve…Me që nuk u bë një zbarkim nga forcat perëndimorë (dhe duhet vënë në dukje se nuk kishte forca në dispozicion për këtë qëllim), duhej të pritej që më në fund të fitonin partizanët”. (f.364-365).
“Operacionet e partizanëve, – shkruan oficeri tjetër anglez i atij misioni anglez në Shqipëri, Julian Amery në librin e tij “Bijtë e shqipes”, – morën formën e inkursioneve të vazhdueshme guerile dhe, lëvizja e tyre ushqehej nga nga shkretimi që shkaktohej, ashtu si Feniksi ringjallej prej hirit të vet….Disiplina e tyre shoqërohej nga eksperienca e betejave.”(f.202)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 14/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk