83 vjet më parë, më 13 mars 1941 duke gdhirë 14, Babë MYSLIMIfilloi luftën antifashiste

13
Mar
2024
Shkruan: Luan Dervishi


83 vjet më parë, më 13 mars 1941 duke gdhirë 14, Babë MYSLIMI
e nezi (ndezi), filloi luftën antifashiste-nacionalçlirimtare.
Lufta e Parë Antifashiste në Shqipëri është krejtësisht e panjohur në literaturën historiografike të huaj, pak në historiografinë shqiptare, por e dokumentuar mjaftueshëm në Arkivin Qendror të Shtetit, ku vetëm Dosja Nr. 173 e Fondit “Gjykata Ushtarake” përmban mbi 300 faqe me raporte, dëshmi e analiza mbi zhvillimin dhe jehonën e saj. Aksioni që i parapriu kësaj lufte u krye në mesnatën e 13-14 marsit 1941, në Pezë të Vogël, në një kohë kur në Shqipëri ndodhej vetë Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Fashiste të Italisë, Benito Mussolini), që po ndiqte luftimet në frontin italo-grek nga pika e vrojtimit të fshatit Rehovë të Beratit.
Në kundërshtim me iluzionet e Musolinit, ushtria kombëtare greke, e mbështetur fuqimisht nga Mbreti Jorgos II dhe e drejtuar me mjeshtri nga gjenerali Papagos, kaloi shpejt në kundërsulm. Pas tërheqjes në brendësi të Shqipërisë, ushtria italiane u mbërthye në një vijë fronti nga Himara në bregdetin perëndimor deri në liqenin e Ohrit në lindje. Qeveria kuislinge e Shefqet bej Vërlacit kishte dërguar në front dy batalione me shqiptarë, të cilët nuk pranuan të luftonin për robërimin e popullit fqinj grek dhe dezertuan në masë nga fronti. Një pjesë e ushtarëve u hodh në anën e ushtrisë greke, të tjerët u arrestuan autoritetet ushtarake fashiste italiane dhe u mbyllën në kampin e përqëndrimit në Shijak, prej ku, shumica e tyre dezertoi. “Ndërkaq,” thuhet në botimin e Historisë së Shqipërisë, “çeta vullnetare e Myslim Pezës kreu në prapavijat e ushtrisë italiane një varg goditjesh kundër vijave të komunikacionit.” (“Historia e Shqipërisë”, Vëll. II, Tiranë, 1965, f. 695)
I ndodhur përpara katastrofës, Musolini ishte nisur urgjent nga Roma për në Shqipëri për t’u dhënë zemër ushtarëve të tij të dëshpëruar. Në rubrikën “Ditët e Duçe-s në frontin grek”, gazeta “Tomorri” botoi këto lajme: “2 mars 1941: Duçeja, i nisur nga Bari, në ora 8.45 të ditës 2 mars, arriti në Tiranë në ora 10.05, i pritur prej gjeneral Kavallero, prej Mëkëmbësit të Përgjithshëm dhe gjeneral Ranza. Duçeja shkoi menjëherë në Rehovë me automobil. Gjatë rrugës qëndroi në Ndroq, midis bersalierëve të Regjimentit i, që i bëri manifestime enthusiastike…13-14 mars 1941: Duçeja shkoi përsëri në observator dhe asistoi në vazhdimin e veprimeve që e ndjek deri në orën 22.°° Në frontin grek: Natën, midis 13 – 14 mars dhe ditën e djeshme, repartet tona ajrore kanë qëlluar vazhdimisht rrugë automobilash, pozita, bateri dhe trupa të armikut”.
Po më 14 mars 1941, Komandanti i Përgjithshëm i Karabinierisë Italiane në Shqipëri, gjeneral Cristino Agostinucci shkroi në ditarin e tij: “Nga ora 1 më 14 vazhdues, të panjohur në pritë gjatë rrugëss automobilistike Durrës – Tiranë, në afërsitë e Urës mbi përruan Pezë (Komuna Ndroq) zbrazën gjithsej nga 30 herë pushkë kundër dy veturave që kalonin me largësi prej pak minutash njera prej tjetrës, duke pasur brenda kapitenin Bencini Guidon, i zyrës punimeve të Xhenjos në njerën dhe Kontin Campello në tjetrën, i cili mbeteshe i plagosur shumë lehtë…”
Konti Gianfranko Campello: “Unë isha përpara, ndërsa pas meje, në të majtë, presidenti i Institutit Nacional “Luçe”, Augusto Fanteçi…Makina është vënë në shenjë nga një numur i madh të shtënash arme zjarri. Këto vinin nga krahu i majtë i rrugës, nga një distancë 15 m. nga lartë e nga poshtë. Një nga të shtënat e para hyri në karroceri nga pjesa e sipërme e saj, majtas dhe çau dërrasën, duke gërvishtur lehtë Fanteçin dhe mua. Edhe pas largimit, zjarri i pushkëve na ndoqi nga pas.”
Nënkolonel Carlo Gario, Komandanti i Grupit të Karabinierisë të Durrësit, në raportin e tij shkruan: “Durrës, 15 mars 1941. Sapo u njoftuam për këtë fakt të rëndë, unë vajta në vend me personelin tim dhe, së bashku me oficerët e ushtarët e dërguar nga Tirana, kreva një kontroll të lehtë në zonë, pa gjetur asnjë gjurmë të autorëve, përveç një duzinë gëzhojash pushkësh italiane, austriake e turke në një ngritje terreni rreth 250 m. larg urës mbi Përroin e Pezës. Gjithashtu u konstatua se linja telefonike e aviacionit mbretëror që është vendosur në rrugë, ishte prerë në të njëjtin lokalitet, në disa pika me të prera, të shkaktuara nga një sëpatë. Ndërprerja e komunikimeve u vërtetua rreth orës 1.30 –2 të së njëjtës natë, të datës 14 të muajit në vazhdim. Kështu u formulua, ndër të tjera, hipoteza se autorët e dy episodeve ishin të arratisurit e zonës së Pezës së Madhe.”
Sipas dëshmive të tre të arrestuar kuestori i Tiranës ka shkruar:
H: “Në shtëpinë e Myslim Pezës rrinte nji mokrar i quejtun Kajo. Ishin edhe toskë e kosovarë, të cilëve nuk ua di emnat, mbasi ata ishin 30-40 vetë. Unë nuk i njifshe, mbasi në shtëpinë e Myslimit hyjshin e dilshin shumë njerëz.”
S: “Në shtëpinë e Shyqyri Pezës ndodheshin rreth 60 persona të arratisur e dezertorë dhe, meqë vëllezërit e lartpërmendur, nuk kishin vend për të tërë, 20 vetë qëndronin me ta, ndërsa të tjerët shkonin në fshatrat për rreth, si në Çelmetaj, Çullhaj, Zguraj, Gror, Grecë etj…Për të hangër dhe furnizimin me municione mendonte gjithnji Shyqyri Peza…”
P: “Një ditë ndodhi që disa nga shokët kishin vjedhur një dele dhe një qingj, duke i sjellë në shtëpinë e vëllezërve Peza. Shyqyriu, vëllai i madh, sapo e vuri re këtë gjë, i shau ashpër, duke ju thënë t’i shpinin menjëherë atje ku i kishin vjedhur”.
Myslim Peza në kujtimet e tij “Kur dhashë besën” (1987) ka dëshmuar:
U mendova, u mendova, por ma në fund e ndava mendjen ta filloj luftën. Vendosa vetëm. Kujtdo që t’i thojshe, aq ma tepër tim vllai, do të më merrte për të luejt mendsh. Se s’ishte gja e vogël, o babë, ishte punë e madhe. Thirra veç e veç shokët ma të besueshëm: Kajo Karafilin, Sulë Jonuzin, Sadi Sinanin, Hamdi Grorin, Muharrem Hakën e Vath Korrikun. Mbasdite shtova edhe tre veta të tjerë që dojshe me i përgjakë me fashistat… Shokët e njoftuem u armatosën mirë, morën municion, sopata, litarë, sharra e thika dhe mbas darke u nisën drejt Pezës së Vogël. Komandant të njësitit caktova Sadi Sinanin, burrë i pjekun dhe vendali. Rrugës, njësiti kishte takue Zyber Pezën dhe e kishte marrë me vete. Kështu, aksioni jonë i parë u ba me dhjetë veta…
Nënkolonel Carlo Gario: “Z. Komandant i Legjionit të Tiranës, ditën e 15 të këtij muaji, më dha urdhër që të kryeja qysh të nesërmen një aksion të gjerë…për të kryer një aksion të papritur…Unë dhashë urdhërat e mëposhtëme:
Një kollonë prej 20 burrash, nën komandën e togerit Stavro Jaho…të shkonte natën e 15-16 marsit nëpër fshatrat Kolaj dhe Çelmetaj, nën drejtimin e komandantit të stacionit të Ndroqit, përtej vendbanimit të Pezës, për të zënë pozicion në shkallë të përroit me të njëjtin emër, me qëllim t’u mbyllja rrugën të arratisurve për ndonjë ikje eventuale.
Në të njëjtën natë, një kollonë tjetër, e përbërë prej dy togash, me nga 30 njerëz secila, të komanduara respektivisht nga toger Dhimosten Kondura dhe të toger Mario Bonxhoanini…të merrte kontakt me kolonën e parë dhe të proçedonte në rrethimin e vendbanimit.
Pasi të kryhej rrethimi, të bëheshin kërkime të hollësishme, shtëpi më shtëpi, me qëllim që të ziheshin dezertorët dhe të arratisurit dhe rimarrjen e armëve e municioneve.
Një skuadër nën komandën e brigadierit Antonio Butto, të nisej në mbrëmjen e dartës 15 mars nga Harizaj dhe të afrohej nga jugu sa të mundet në drejtim të Pezës…
Ushtarët e stacionit të Golemit dhe Kryemëdhenjve (Kavajës) në mëngjesin e datës 16 të kryenin veprime në zonën kufitare të Pezës, për të spastruar atë zonë dhe për të zbuluar ndonjë të arratisur eventual që mund të ikte nga Peza.
Myslim Peza: Në të ngrysun, im vlla përcolli miqtë e vet dhe, vet’i katërt, shkoi për të fjetë te Ramazan Çelmeta. Unë ngela në shtëpi me njizet vetë; gjysmët kishin marrë pjesë në aksion, gjysmët ishin miq e shokë të mi të sprovuem në luftë. I porosita gratë të na nxirrshin mish e raki për darkë. Sa filloi darka, hynë në dhomë edhe katër vetë që duhej të ishin me Shabë Rexhën në Pajanë.
“Hë?” i pyeta. “Ne nuk lëvizim prej këtu”, foli im kushëri, Hasan Peza.
“Sido që të bahet”, foli Lul Brahja. “Ne duem që të jemi me ty.”
“Mirë, mirë, rrini, ne shokë duem”, iu thashë. Gratë shtuen edhe katër meze të tjera. Shokët filluen bukën, kurse unë sillshe për të njëqindën herë ndër mend kangën e heroit shkodran, Oso Kuka, që ishte rrethuar në Vraninë me njëzet e katër vetë.
Edhe unë, për çudi, atë natë kisha në sofër njizet e katër vetë. I pashë të gjithë me radhë, ngrita gotën e rakisë dhe fola: “Shokë! Unë për veten time e kam nda mendjen, do t’i pres fashistat këtu, në shtëpi. Ju bani si të doni.”
Shokët u përgjigjën njizani: “Edhe ne Babë, do t’i presim me ty!”
Unë fola për së dyti: “Do t’i presim me pushkë e jo me llafe. Do t’ia bajmë si Oso Kuka, me barot e flakë. Atij që ia mban, le të rrijë këtu, atij që nuk ia mban, ma mirë të ikë që sonte, nesër do të jetë tepër vonë.”
“Jo, ne jemi të gjithë me ty”, thirrën shokët në kor. “Ne do të vdesim me ty!”
Mue m’u ba zemra mal. “Po qe kështu, ngrini gotat. Të pimë për fitoren!”
Filluem rakinë edhe kangën. Pimë e kënduem, o babë, se të nesërmen na priste lufta dhe s’dihej a do të mblidheshim prapë të gjithë apo jo. Nja dhjetë herë e kemi këndue kangën “Nji lulishte me trandafila” të Isuf Myzyrit. Ishte kanga e dëshirës për jetën, për dashuninë e njizet e pesë burrave që kishim vendosë me sfidue vdekjen. Edhe ma mbrapa, sa herë që ma kërkojshin shokët, e këndojshe me mall atë kangë, mbasi kujtojshe pesë djem, pesë trandafila që mbollëm atë ditë për lirinë…
Nënkolonel Carlo Gario: Togeri Stavro, duke zbritur nga Çelmetaj, arriti rreth orës 5.30 në afërsi të fshatit Pezë. Pasi la një skuadër prej katër karabinierësh kalorës dhe marshallin Reale në bregun e majtë të përroit me të njëjtin emër, kaloi me të tjerët në bregun përballë, duke zënë pozicionin në mes të fshatit dhe një kreshte. Prej aty mendonte të rrethonte nga lart një kodër të vogël 168 m. mbi nivelin e detit, mbi të cilën ishte vendosur një ndërtesë që në vitin 1932, ish kazermë e stacionit të xhandarmërisë dhe tani thuajse ishte strehim për të arratisurit. Rreth orës 5.50, ndërsa njerëzit e togerit Stavre vazhdonin të zinin vend, dy të arratisur të paidentifikuar, por që dukej qartazi se po vigjilonin, për të parandaluar sulmin e karabinierëve, dhanë alarmin, duke hapur zjarr kundër skuadrës së marshallit Reale. Menjëherë nga shtëpitë e fshatit u hap një zjarr i dendur pushkësh…
Një grup të arratisurish zbritën nga kreshtat e Çelmetajt dhe, duke iu përgjigjur thirrjes, të shtënave të pushkëve, si dhe britmave të kryetarëve të tyre që ndodheshin në Pezë, u fut si pykë pa u parë mes njerëzve të togerit Stavre dhe të togerit Kondura… Në breg të lumit, pikërisht atje ku kishin kaluar ushtarët tanë, gjeti si vende të përshtatshme për të vënë nishan të lehtë ata që kishin zënë vend në bregun e djathtë, në afërsi të përroit, për të kontrolluar daljen nga fshati. Në fakt këtu ranë brigadieri Alberto Palomba, komandant i stacionit të Ndroqit dhe karabinieri kalorës Grigorio Molluso, të skuadrës së mobilizuar dhe u plagosën karabinierët kalorës Dino Pasini, Pjetro Tonelato dhe Vinçenso Makaferri, të të njejtës skuadër…
Disa nga rebelët nisën të sprapsen në drejtim të Kodrës së Çelmetëve, ndërsa të tjerët nga vendbanimi i Pezës u vendosën mbi kreshtat që dominojnë nga bregu i djathtë i përroit tërë luginën dhe që atje mbajtën një zjarr të fortë e të saktë mbi pozicionet e karabinierëve të togerëve Kondura e Bonxhoanini, të vendosur më poshtë dhe gati të gjithë të zbuluar… Unë arrita në vend rreth orës 7.30, i pritur nga një breshëri të shtënash pushke akoma më parë se të takoja trupat e rrethimit. Megjithatë, duke u vendosur me katër ushtarë shoqërues në një pozicion, nga i cili pata mundësi të njihesha me situatën, para se të arrija të kuptoja se si ishin dislokuar ushtarët, munda të konstatoj se të shtënat vinin nga Lindja, nga Jugu dhe nga Perëndimi. Një zjarr veçanërisht i rrezikshëm vinte nga një kreshtë në kurriz tonë, në drejtim të Çelmetajt. Për këtë arsye dërgova në atë drejtim një skuadër të vogël ushtarësh me qëllim eliminimi të rrezikut nga mbrapa. Ndërsa nga kodrat përpara, në bregun e djathtë të Pezës, grupe të vegjël të arratisurish vazhdonin zjarrin dhe karabinierët vazhdonin t’i rrethonin nga Veriu…
Myslim Peza: Gryka e Pezës u nxi nga këmishëzinjtë e tjerë që erdhën në përforcim. U banë me qindra karabinierë, xhandarë, milicë e ushtarë; siç na thanë ma mbrapa, katundarët u banë rreth 700 vetë. Në krye të trupave dalluem shtabin e oficerave. Edhe atyne ua uruem “mirëseardhjen” me nji breshni pushkësh nga të gjitha anët. Lufta vazhdoi pa pushim gjithë ditën… Mbasdite lufta ra. Fashistat e hoqën rrethimin dhe filluen me u tërhjekë poshtë luginës së Pezës. Po ashtu edhe shokët tonë u mblodhën te Kodra e Postës. Shokët s’kishin ma fishekë. Unë, tuj folë e tuj bërtitë gati gjithë ditën, kisha humbë zanin. Nuk mujshe me folë, veçse me gishta. Me shenjë e dhashë edhe sinjalin e tërheqjes. S’kishim se çfarë të bajshim tjetër… Në luftën e parë ne humbëm pesë shokë: Sadi Sinanin, Vath Korrikun, Muharrem Hakën, Hasan Pezën dhe Xhafer Dyrishtin… Në një dokument të rrëmbyer nga arkivi i MPB nga Tahmaz Beqari, që u lexua në Konferencën e Mukjes, thuhej se në luftë me ne atë ditë ishin vrarë 80 fashistë italianë e shqiptarë…
Përpara se dokumenti i MPB i regjimit fashist të lexohej në Mukje, gazeta klandestine “Zëri i popullit”, në shkurt 1943, kishte shkruar: “Goditja e parë u bë, Myslimi dhe shokët e tij katundarë, si luanë, ju sulën këmishëve të zeza italiane dhe u dhanë mësimin e merituar. Tetëdhjetë qenër armiq gjetën vdekjen në malet e Pezës. Lufta e hapët e Myslimit me okupatorin kishte filluar…” Po ashtu, gazeta ilegale “Bashkimi”, organ i Frontit Nacionalçlirimtar, në numrin e parë, mars 1943, duke folur mbi Luftën e Pezës së Madhe, kishte shkruar: “Ajo çetë [Çeta e Pezës] që u kishte dhënë një mësim hordhive të Mussolinit në kodrat e Pezës së Madhe, aty ku ranë 6 [në të vërtetë 5] djem të Myslimit, por pasi rrëzuan 80 kokë fashistë, laro të Duçes”.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 13/03/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk