A E DINË SHQIPTARËT SE ÇFARË KREMTOJNË NË DITËT E FESTAVE SHTETËRORE TË TYRE, NË TIRANË, PRISHTINË DHE SHKUP?!

21
Nov
2023
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

Shpalime

Përveç festave të tjera të shpallura nga organet e pushtetit shtetëror në Tiranë, pas rënies së regjimit komunist, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ku përcaktohet qartë karakteri LAIK i shtetit, jo fetar, kalendari i festave shtetërore përfshin kryesisht festa fetare, disa festa me karakter ndërkombëtar (internacional) dhe vetëm dy festa me karakter kombëtar, 28 Nëntorin – Ditën e Pavarësisë dhe 8 Dhjetorin – Ditën Kombëtare të Rinisë.
Asnjë festë shtetërore në Republikën e Shqipërisë nuk lidhet me ngjarjet e rëndësishme për lirinë dhe fatin e pjesë tjetër më të madhe të kombit shqiptar të mbetur jashtë shtetit amë të tyre, që duhet të jenë njëkohësisht festa shtetërore dhe kombëtare për të gjithë shqiptarët, për shkak të rrethanave historike, që e lidhin fatin edhe të gjysmës së kombit shqiptar të mbetur jashtë kufijve administrativ të shtetit të tyre amë.
Mes festave shtetërore në Republikën e Shqipërisë, shënohet edhe 8 Dhjetori – Dita Kombëtare e Rinisë, prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë. Kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.*
Nëse kjo është kështu, pse pushteti demokratik ka pritur 19 vjet që ta vendos këtë datë në kalendarin e festave shtetërore, 18 vjet nga vrasja e liderit të studentëve antikomunistë, Arben Brocit me 3 shokë të tij studentë në Shkodër, dhjetë vjet nga vrasja e Azem Hajdarit, i njohur si lideri i studentëve shqiptarë, të cilët i organizuan protestat popullore për ndryshimin e rendit shoqëror në Republikën e Shqipërisë, me rënien e regjimit komunist, edhe atë, siç thuhet zyrtarisht “në mënyrë të qetë”, ku nuk pati fitues apo humbës nga asnjëra palë.*
Nëse kjo datë lidhet me punën e shërbimeve sekrete rusomëdha për ta kontrolluar situatën politike në Shqipëri edhe pas rënies së regjimit komunist, këtë duhet ta hulumtojnë studiuesit në bazë të burimeve, sidomos me hapjen e Dosjeve të mbyllura për likuidimin e liderëve të Lëvizjes studentore në Shqipëri, dhjetor 1990 – prill 1991.
Me këtë rast, ua përkujtojnë studiuesve të analizojnë faktet, pse kjo datë, 8 Dhjetori, duhet të lidhej patjetër me festën tradicionale ortodokse – Ditën e Shën Klimentit të Ohrit, e cila tradicionalisht shënohet si festë kombëtare dhe shtetërore në Bullgari, Maqedoni dhe shtete të tjera me popullsi sllave-ortodokse, dhe për aq më tepër, kjo datë – 8 Dhjetori shënohet më tepër se një shekull edhe si Dita e Studentëve Bullgarë, që lidhet me ditën e hapjes së Universitetit të Sofjes (fillimisht si shkollë e lartë), i cili e mban këtë emër, jo për ta nderuar figurën e një shenjti të besimit të krishterë, por për shkaqe politike, sepse kjo figurë fetare lidhet me emrin e qytetit të Ohrit, i cili pretendohet gjatë dy shekujve të fundit si qytet historik (edhe seli e shenjtë) e pretendimeve bullgaremëdha (lexo: rusomëdha), ndaj rajonit gjeografik të Maqedonisë dhe trojeve etnike historike të shqiptarëve.
Asgjë nuk është e rastësishme në politikë, kur në pushtet instalohen bandat kuislinge dhe mercenare në shërbim të interesave të huaja, që në të gjitha mënyrat dhe format ta godasin qenien kombëtare të shqiptarëve, lashtësinë, autoktoninë, historinë, kulturën, gjuhën, përfshirë edhe traditat fetare të kombit shqiptar.
(21 nëntor 2023)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 21/11/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk