A është LDK-ja partia e humorit të keq?

29
Dec
2024
Shkruan: Dr. Sadri RAMABAJA

Lavjerrësi i rënies permanente të LDK-së në historikun e saj aktiv politik të pas çlirimit, me theks pas vdekjes së liderit të saj Ibrahim Rugova, ka marrë tatpjetën. Në zjedhjet e fundit ajo u rendit si forca e tretë politike në vend, me një distancë të ndjeshme nga forca e dytë [PDK-ja] dhe tejet të thellë nga forca e parë – LVV-ja. LDK-ja vazhdon të jetë në krizë të thellë morale, pavarësisht historisë së mitizuar.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Hyrje

LDK-ja hyn në histori si forca dominuese politike në Kosovën e Apart’heidit që ushtroi Serbia në dekadën e fundit të shekullit 20-të. Ishte krijuar një lloj imazhi se ajo ishte forcë politike që drejtohej nga një qerthull intelektualësh me begraund politik nacional, të veshur me petkun e liberalëve modern! Por fillimi i rezistenëcs së armatosur dhe dalja në skenë e UÇK-së i dha fund epokës së rritës të LDK-së dhe atij qerthulli intelektualësh snob në politikë, që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të tallen me intelegjencien e një populli të tërë. Jo rastësisht politikat që kishte promovuar ajo kastë snobësh, Arbër Xhaferi me të drejtë do t’i cilësonte si produkt i piramidës së vetmashtrimit. [1]

Dalja në skenë e UÇK-së do ta përmbysë përjetësisht këtë piramidë vetmashtrimi, duke krijuar kështu hapësirë për inaugurim të një shtrese të re intelektualësh e veprimtarësh në jetën politike të vendit, me theks pas çlirimit. Por do të jetë Lëvizja Vetëvendosje ajo që, përmes revolucionit të heshtur demokratik të 14 shkurtit 2021, do ta shemb për tokë këtë piramidë vetmashtrimi.
Për rrjedhoj ky katërvjeçarë i pushtetit të LVV paraqet vetëm fillimin e një dekade të re e të pazakontë, kur një shtresë e re intelektualësh të mirëfilltë, filozofë, shkrimtarë, artistë dhe intelektualë të fushave tjera të dijes e mendimit, do të promovojnë publikisht Lëvizjen Veëtvendosje. Ata e bënë atë për ta sjell në pushtet liderin e saj Albin Kurti, i cili edhe vet është i interesuar për kulturën dhe mendimin politik.

Pretendimi i pinjollit të Institutit RIINVEST – Lumir Abdixhiku, i katapultuar në krye të LDK-së, për ta promovuar një lloj entuziazmi të shpifur për gjoja “Rrugën e tretë” të LDK-së, tok me gjoja rritën e saj, duket si akt i shpifur. Shkrimtari Jusuf Buxhovi, i cili njihet si njëri nga ideatorët për krijimin e LDK-së, me gjasë mund ta ketë ende një librezë të saj-së, por ai publikisht nuk mund ta shpreh këtë fakt, meqë ka kohë që artikulon një lloj solidariteti kritik dhe të distancuar nga LDK-ja. Kështu bëjnë pothuajse shumica e atyre që njihen botërisht si pjesë e atij qerthulli intelektualësh që ishin në dy dekadat e autonomisë kosovare pjesë e redaksive të Rilindjes dhe revistave për kulturë që popullonin Pallatin e Rilindjes.

Pas dështimit spektakolar të 14 shkurtit 2021, LDK-ja do të bëjë sprovën e parë serioze për një reformë të bredshme, duke pretenduar të shkëputet nga “përqafimi” i rreptë i PDK-së dhe kontrollit që segmente të sigurisë [SHIK-ut] kanë mbi të.

Ndërkohë zgjedhjet e reja janë caktuar për 9 shkurt 2025. Asnjë lider paraprak i LDK-së nuk ka pasur ndonjëherë vlerësim më të përzier se sa lideri aktual i LDK-së – Lumir Abdixhiku. Gjatë mandatit të tij si drejtues i LDK-ja, tani për herë të parë, do të përballet me valën e re të plebishitit të dytë demokratik, që duket se do ta çimentoj epokën e Albin Kurtit.

Me vetëm 12 për qind miratim nga zgjedhjet e fundit, LDK-ja e ka të qartë se hynë në garë për vendin e dytë, në përballje me PDK-në e dërmuar pa liderët e saj themelues.

I. Historia e rrudhjes dhe shuarjes graduale

Historia e fundit e LDK-së duket se është histori rrudhjeje, zbehjeje dhe humbjeje. Por, si ishte në të vërtetë ngjitja e saj? Cili është burimi i krenarisë së shpifur që ende i mbush zyrtarët e saj? Nga vjen ndjenja e tyre për gjoja epërsinë morale, e cila në fakt është thembra e Akilit për këtë forcë politike?

Kosova e dekadës së zotërimit moral të LDK-së [1989-1999] ishte de fakto shpirtërisht e moralisht peng i saj. Këtë mungesë të moralit politik, lideri aktual i LDK-së pretendon ta rikuperoj sot, tri dekada më vonë, duke harruar fare se tani Kosova është e lirë dhe se qytetarët e saj nuk mund të trajtohen si pengje të Serbisë!
Historia e rrudhjes dhe shuarjes graduale të Lidhjes Demokratike të Kosovës është një proces që lidhet me ndryshimet politike, sociale dhe ekonomike që ndodhën në Kosovë gjatë dhe pas luftës së vitit 1998/99 dhe shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.
Opozita e parë reale e LKJ-së në Kosovë, siç tashmë njihet si akt e fakt historik, është Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës [LPRK e më pas LPK], e krijuar nga bashkim-shkrirja e organizatave e grupeve atdhetare [që quheshin ilegale] në 17 janar 1982, në Untergrupenbah, afër Shtutgardit, që publicisti dhe shkrimtari i njohur Bedri Islami, përndryshe kryetari i fundit i saj [1998-korrik 1999], e kishte cilësuar me të drejtë si një Lindje e përgjakur në një bashkëbisedim të gjatë që kishte bërë me njërin prej themeluesve të saj, Ibrahim Kelmendin, meqë dy akorduesit dhe autorët e marrëveshjes, Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka, ishin vrarë disa oër pasi ishte arritur marrëveshja, tok me vëllain e Jusufit, Bardhin.

LDK-ja, po, ishte partia e parë politike e formuar në Kosovë në vitin 1989, si parti legale, e që pati një rol kyç në organizimin e rezistencës paqësore ndaj regjimit serb dhe ndihmoi në homogjenizimin dhe konsolidimin e unitetit nacional, së paku derisa po merrte rrugë shkërmoçja e Jugosllavisë, me fillimin e luftës në ish republikat veriore të saj, me theks deri kur po mbahej Konferenca e Dejtonit, që do t’i imponohej Bosnjës si marrëveshje për ndërprerjen e luftës.

Megjithatë, pas suksesit të saj fillestar, partia filloi të përballej me sfida të shumta që ndikuan në dobësimin e saj.

1. Suksesi dhe konsolidimi fillestar (1989–1999)
LDK-ja u themelua më 23 dhjetor 1989 nga një grup intelektualësh, përfshirë Mehmet Krajën, kryetarin aktual të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës; Ibrahim Rugovën, ish drejtuesin e Lidhjes së Shkrimtarëve në prag të instalimit të Aprt’heijdit nga ana e Serbisë në Kosovë, i cili u bë lideri historik i partisë. Gjatë viteve të ’90-ta, LDK-ja u shndërrua në forcën kryesore politike të shqiptarëve të Kosovës, duke organizuar të ashtuquajturën rezistencë paqësore dhe “shtetin nën hije” ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Partia edhe si e tillë kishte një ndikim të madh në krijimin e institucioneve paralele të vetëqeverisjes dhe në ruajtjen e solidaritetit kombëtar gjatë periudhës së represionit.

2. Pas luftës: sfida të reja (1999–2006)
Pas përfundimit të luftës dhe kthimit të Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, LDK-ja vazhdoi të dominojë skenën politike. Ky fakt ishte një absurditet i lloit të vet, por ishte fakt historik, meqë kishte ndërhyrë Drejtoria Politike e Shtabit të UÇK-së dhe ishte penguar ecja normale e transformimit të LPK-së në një formacion politik modern. Rrjedhimisht Ibrahim Rugova në zgjedhjet e vitit 2002 do ta fitonte garën në përballje me PDK-në dhe LDK-ja mbeti partia më e madhe deri në vitin 2004.
Pas vdekjes së Rugovës, në janar 2006, partia humbi një figurë unifikuese dhe u përball me ndarje të brendshme dhe konkurrencë më të madhe nga partitë tjera, veçanërisht Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

3. Përçarjet dhe humbjet elektorale (2006–2010)
Vdekja e Rugovës krijoi një vakum lidershipi në LDK. Figura të tilla si Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa morën drejtimin, por nuk arritën të ruanin të njëjtin ndikim dhe popullaritet.
LDK-ja humbi zgjedhjet e vitit 2007 në përballje me PDK-në, e cila formoi qeverinë e parë pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.
Përçarjet e brendshme midis krahëve të ndryshëm të partisë [LDK-së] dobësuan kohezionin dhe ndikimin e saj.

4. Konkurrenca dhe margjinalizimi (2010–2020)
Në dekadën pasuese, LDK-ja vazhdoi të humbiste terren ndaj PDK-së dhe me kalimin e kohës ajo do të shndërrohet në një patericë të saj, duke u bërë bashkëpërgjegjëse për gërryerjen e brendshme të Republikës dhe krijimin e parakushteve për rrëshqitje të saj drejt një shteti të dështuar.

II. Lëvizja Vetëvendosje – Rilindja e rezistencës urbane

Roli i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në parandalimin e rrëshqitjes së Kosovës drejt një shteti të dështuar mund të analizohet nga disa perspektiva, duke u fokusuar në përpjekjet e saj për forcimin e institucioneve, luftimin e korrupsionit dhe ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të qëndrueshme.

1. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
Vetëvendosje ka artikuluar një platformë të qartë kundër korrupsionit, duke e identifikuar atë si një nga arsyet kryesore për dobësimin e institucioneve shtetërore dhe pengesën për zhvillimin ekonomik. Si subjekt politik, LVV ka promovuar transparencën dhe llogaridhënien si mjete qenësore për forcimin e qeverisjes. Në periudhën që kur LVV është në pushtet, me theks nga 14 shkurti 2021, ajo ka ndërmarrë disa hapa konkretë për të luftuar korrupsionin, përfshirë forcimin e organeve të drejtësisë dhe pastrimin e strukturave publike nga individë me të kaluar të dyshimtë.

2. Forcimi i institucioneve shtetërore
Një nga qëllimet kryesore të LVV-së ka qenë ndërtimi i institucioneve të forta dhe funksionale, të cilat mund të ofrojnë shërbime të besueshme për qytetarët dhe të jenë të afta të përballen me sfidat kombëtare dhe ndërkombëtare. Kjo përfshin reforma administrative, forcimin e sundimit të ligjit dhe promovimin e meritokracisë në rekrutimin e stafit publik.

3. Politikat sociale dhe ekonomike
LVV ka theksuar rëndësinë e drejtësisë sociale dhe zhvillimit ekonomik si elementë kyç për stabilitetin e shtetit. Përmes politikave që synojnë zvogëlimin e pabarazisë, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e standardit të jetesës, LVV kërkon të adresojë problemet që mund të çojnë në destabilizim dhe në humbjen e besimit të qytetarëve ndaj politikës dhe shtetit.

4. Rimëkëmbja e sovranitetit dhe politikës së jashtme aktive
LVV ka promovuar sovranitetin e Kosovës dhe ka kërkuar një politikë të jashtme më aktive dhe të dinjitetshme, veçanërisht në raport me dialogun me Serbinë dhe njohjet ndërkombëtare. Ajo argumenton se një qasje më e vendosur në mbrojtjen e interesave kombëtare forcon pozicionin e Kosovës si shtet funksional dhe të respektuar ndërkombëtarisht. Këtë qasje e ka imponuar sidomos në raport me politikat e saj që ka aplikuar në veriun e Republikës.

5. Angazhimi qytetar dhe demokracia participative
Një element tjetër i rëndësishëm në filozofinë e LVV-së është përfshirja aktive e qytetarëve në vendimmarrje. Duke promovuar demokracinë participative dhe transparencën, LVV kërkon të sigurojë një lidhje të ngushtë midis qytetarëve dhe institucioneve, duke forcuar kështu legjitimitetin e shtetit.

Kritikë dhe sfida
Pavarësisht përpjekjeve, LVV përballet me kritika për mënyrën e menaxhimit të disa proceseve dhe për sfidat në zbatimin e premtimeve të saj. Ndërsa disa e shohin si një forcë transformuese, të tjerë argumentojnë se rezultatet e saj konkrete në disa fusha ende mbeten të kufizuara, sidomos në atë të drejtësisë. Por, kur mirret në konsideratë kapja e këtij segmenti nga PDK/LDK-ja, fryma polarizuese në jetën politike edhe si rezultat i kontrollit të mediave nga oligarkët që janë pjesë e opozitës, rezistenca nga segmentet e veçanta të saj dhe të një lagjeje të shoqërisë civile, duket se ishin pengesa reale për zbatimin e plotë të agjendës së saj jo vetëm në fushën e drejtësisë.

Sidoqoftë, roli i LVV-së në parandalimin e rrëshqitjes së Kosovës drejt një shteti të dështuar është i rëndësishëm, duke u bazuar në përpjekjet e saj për reforma të thella dhe ndërtimin e një shteti funksional. Megjithatë, sukseset e saj varen nga aftësia për të përballuar sfidat e brendshme dhe të jashtme, si dhe nga bashkëpunimi me aktorë të tjerë politikë dhe shoqërorë, me theks pas fitores së pritshme të 9 shkurtit 2024.

III. LDK-ja dhe mungesa e moralit politik

LDK ishte partia që organizoi të ashtuquajturat zgjedhje parlamentare gjatë marsit të vitit 1998 vetëm dy javë pas masakrës serbe në Prekaz. Duke dështuar të organizojë Ministrin e Mbrojtjes dhe organizimin e rezistencës, organizimi i këtyre zgjedhjeve ishte mesazh se ajo ishte e gatshme të pranojë çfardo zgjidhje politike, mjafton që LDK formalisht të jetë në krye të çfardo institucionesh që do t’i toleronte Serbia në Kosovë!

Parlamentit inegzistent të Kosovës së perudhës së apart’heijdit dhe kryesisë së LDK-së ju mungoi një Otto Wels që të artikulonte një fjalim historik [“Liria dhe jeta mund të na hiqet, por jo nderi”], që do të dënonte mbajtjen e zgjedhjeve në kohë lufte dhe do të gjykonte rreptë faktin se lufta na kishte gjetur pa një Ministri të mbrojtjes funksionale.
Pas atij fjalimi historik të Oto Velsit, siç dihet Partia Social Demokratike [SPD] qe ndaluar më 22 qershor 1933. Në Gjermani ishte inauguruar Hitleri. Valsi i munguar i LDK-së do t’i hapte rrugë turpit që qe stivuar në histori si akt politik – mabjtja e zgjedhjeve parlamentare në kohë lufte dhe dezertimi masiv nga lufta çlirimtare që u kurorëzua me ekzodim masiv në Kukës e Stankovec…

Moraliteti dhe politika janë dy koncepte që shpesh ndërlidhen në mënyrë komplekse, sidomos kur analizohen në kontekstin e një partie politike si Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka pasur një rol të ndjeshëm në historinë politike të Kosovës. Për të kuptuar marrëdhënien mes moralit dhe politikës në historinë e LDK-së, mund të shqyrtojmë disa aspekte kyçe:

1. Themelimi i LDK-së dhe parimet morale
LDK u themelua në vitin 1989 si partia e parë opozitare legale në korpusin e etnikumit shqiptar në ish-Jugosllavi dhe përfaqësonte një lëvizje të gjerë kombëtare e cila, në aparencë, synonte pavarësinë dhe lirinë e Kosovës përmes mjeteve paqësore. Ndërkaq de fakto ishte e gatshme të pranonte kthimin e autonomisë, në rast se Beogradi do të ishte i gatshëm për kompromis.
Mungesa e një programi të qartë politik, madje edhe në prag të luftës, e sjellë LDK-në, në përplasjen më serioze pikërisht më 1 Tetor 1997 me Unionin e Studentëve të UP, por edhe me Lëvizjen revolucionare që tashmë kishte strukturuar bërthamat e para të UÇK-së. Intenca e studentëve për ta thyer STATUS QUO-në, ishte jo vetëm e ligjshme, por ajo ishte në përputhje edhe me frymën revolucionare që po ndërlidhte Lëvizjen studentore me UÇK-në në lindje. Kësaj ngjarjeje zonja Luljeta Pula ia ka kushtuar njërin prej kapitujve më të mirë të librit që mban titullin “Viti 1997, kthesë serioze e Lëvizjes”. Po të mirreshin parasysh sugjerimet e saj, hisoria e Kosoëvs do të mund të kisht rrjedhë krejtësisht tjetër.
Në kohën kur faktori ndërkombëtar po këmbëngulte në mënyrën më arrogante të mundshme për mbajtjen e Kosovës nën Serbi, në skenë del UÇK-ja, që do të gëzojë menjëherë mbështetjen e studentëve. Shih për këtë, në atë periudhë që po hynte Kosova, “funksionimi përmes partive politike në ato rrethana ishte një nonsens dhe një absurd.” [2]
„Ne nuk kemi informacione se ekziston Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe në emër të saj mund të paraqiten shërbime të ndryshme, pasi ende nuk është paraqitur askush i kësaj UÇK’je. Dënojmë edhe njëherë shpërthimin terrorist të autobombës në Prishtinë, si moment i rrezikshëm për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe kërkojmë që këtë rast ta hulumtojë FBI dhe INTERPOL-i, të shihet se çfarë ishte ai shpërthim mjaft i sofistikuar. Po ashtu dënojmë edhe rastet e vrasjet që po bëhen me pretekst të kolaboracionizmit dhe kërkojmë ndërprerjen e tyre“. Kjo ishte deklarata që kishte dhënë Ibrahim Rugova në një konferencë për media fill pas atentatit ndaj rektorit të Universitetit të Prishitnës, Radivoje Popoviqit.
Kjo deklaratë vinte në kohën kur UÇK-ja kishte nevojë për mbështetje politike, që do t’i garantonte rritën e zhvillimin normal.
Mungesa e theksuar e parimeve politike dhe moralit politik do ta sjell LDK-në në prag të luftës në pozicione absurde dhe t’pa akceptueshme nga kushdo që gjykon racionalisht.
“Në valën e dhunës dhe terrorit e krimeve kundër njerëzimit, kryetari i kësaj partie më të madhe e më jetëgjatë të Kosovës [Ibrahim Rugova v.a] do të bëjë marrëveshje me 28 prill të vitit 1999 me zbatuesin besnik të politikës së Millosheviqit, në atë kohë kryetar i Serbisë, Millan Millutinoviqin, për krijimin e qeverisë kuislinge shqiptare. Dhe kjo marrëveshje tradhëtare do të nënshkruhet në ndërtesën e Kuvendit e të Qeverisë së dikurshme të Kosovës. Me atë rast ‘solemn’ kryetari i partisë shqiptare do i çojë dhurata kriminelit Millan Millutinoviq… [3]

Në kulm të aplikimit të apart’heijdit serb në Kosovë, morali politik i LDK-së vazhdonte të bazohej tutje në retorika të kësaj natyre:
Paqja dhe rezistenca pasive: Në vend që të dilte në ballë të popullit dhe rezistencës aktive, duke u njësuar me UÇK-në, LDK-ja insistonte tutje në promovimin e dialogut dhe diplomacisë si mjete për të arritur qëllimet kombëtare.
Uniteti kombëtar: LDK-ja tentoi të unifikonte spektrin politik dhe shoqëror të Kosovës në kontekstin e pranimit të çfardo zgjidhjeje që do të shmangte luftën me Serbinë, qoftë edhe duke pranuar një kuaziautonomi politike që do të bashkëqeverisej nga ajo!

2. Sfida morale gjatë luftës dhe pas luftës
Gjatë luftës së Kosovës (1998-1999), LDK u përball me sfida të reja morale dhe politike:
Ndërhyrja e aktorëve të tjerë politikë: Dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) solli tensione mes qasjes paqësore të LDK-së dhe qasjes luftarake të UÇK-së.
Uniteti dhe përçarjet e brendshme: Në disa momente, LDK u përball me akuza për mungesë veprimi të drejtpërdrejtë, gjë që sfidoi moralin dhe kohezionin brenda partisë.

3. Politika dhe morali në periudhën pas pavarësisë
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, LDK-ja hyri në një fazë të re, ku sfidat morale dhe politike morën formë të ndryshme:
Qeverisja dhe integriteti moral: Në qeverisje, LDK u përball me akuza për korrupsion dhe nepotizëm, të cilat minuan kredibilitetin moral edhe ashtu të cenuar të partisë.
Riorganizimi dhe sfidat elektorale: Përçarjet e brendshme dhe konkurrenca nga partitë e reja politike e detyruan LDK-në të përballej me humbje të mbështetjes popullore dhe të reflektonte mbi bazat e saj morale dhe politike.

4. Dilemat bashkëkohore
Në kohët e fundit, LDK është përballur me dilema të rëndësishme morale dhe politike:
Koalicione të diskutueshme: Aleancat politike, veçanërisht me parti të cilat kanë histori dhe qasje të ndryshme, kanë shkaktuar debat mbi ruajtjen e identitetit moral të partisë.
Qasja ndaj reformave: Aftësia për të qëndruar besnike ndaj parimeve themelore, ndërkohë që përballet me realitetet moderne politike, është një sfidë e vazhdueshme.

Përfundim
Morali dhe politika brenda LDK-së kanë qenë në një marrëdhënie të ndërlikuar, ku tensionet mes parimeve dhe pragmatizmit kanë formësuar historinë e saj. Ndërsa LDK-ja përpiqet të ruajë trashëgiminë e Ibrahim Rugovës dhe rolin e saj gjoja historik, sfidat bashkëkohore kërkojnë një balancim të kujdesshëm midis vlerave morale dhe nevojave politike.
LDK-ja ka ndërkohë, megjithëse cilësia dhe intensiteti ndryshon shumë, një jetë të ringjallur që lënë përshtypje pamjet nga sallat e tubimeve në raste konkrete e festime sezonale: nga nejat në klube nate deri te festivalet me darka lame e sallam të pjekur në skarë. Muzika rok e tallava në këto raste është e rëndësishme, megjithëse nuk mungon as himni “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë…”!
Këto shpërfaqje jo rrallë e portretizojnë LDK-në si një lloj karikature moderne politike.
Në një periudhë ndryshimesh dhe reformash, siç është ajo që shpesh karakterizohet si “proces transformues”, karikatura përqendrohet në imazhet e luftës për lidership. Ato ilustrojnë konfliktet e brendshme midis fraksioneve të ndryshme apo figurave kryesore që përpiqen të marrin drejtimin.

Nëse LDK po përpiqet të ndryshojë drejtimin politik ose të reformojë qasjen e saj, karikatura e saj na shpërfaqet si një përplasje midis brezave. Ndërkaq po ta shihnnim LDK-në si një anije që lundron në ujërat me turbulencë më të theksuar, atëherë pamja e saj na rezulton më shumë si të ishte një anije që përpiqet të riparohet gjatë lundrimit. Në këso rastesh karikaturistët mund t’na paraqesnin skepticizmin mbi suksesin e reformave, duke përdorur humorin për të ilustruar proceset e ngadalshme ose pengesat e brendshme. Rrjedhimisht LDK-ja po shndërrohet pashmangshëm në një parti të humorit të keq.

Në kontekstin politik të Kosovës, këto pamje prej karikature të LDK-së shpesh përçojnë mesazhe që shkojnë përtej satirës, duke shërbyer si një analizë vizuale dhe e menjëhershme e asaj që ndodh në skenën politike.
______________________

1. Arbër Xhaferi, Marrëdhëniet Shqiptaro-Serbe / Çështja e Kosovës, Vëllimi 3, f.143
2. Më 22. 06. 1996, në gazetën „Rilindja“ Ibrahim Rugova deklaron: “Mendoj se nuk ekziston UÇK-ja“.
Kah mesi i janarit 1997 kur UÇK’ja kreu një atentat kundër rektorit famëkeq të UP-së Radivoje Papoviq, në konferencën me gazetarë, të mbajtur më 24.01.1997, Ibrahim Rugova lidhur me këtë rast deklaron :
„Ne nuk kemi informacione se ekziston Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe në emër të saj mund të paraqiten shërbime të ndryshme, pasi ende nuk është paraqitur askush i kësaj UÇK’je. Dënojmë edhe njëherë shpërthimin terrorist të autobombës në Prishtinë, si moment i rrezikshëm për gjendjen e rëndë në Kosovë dhe kërkojmë që këtë rast ta hulumtojë FBI dhe INTERPOL-i, të shihet se çfarë ishte ai shpërthim mjaft i sofistikuar. Po ashtu dënojmë edhe rastet e vrasjet që po bëhen me pretekst të kolaboracionizmit dhe kërkojmë ndërprerjen e tyre“ — përfundon citati. (Lexo: Gazeta “Rilindja”, 25. 01. 1997).
3. Dr. Luljeta Pulës “Rrëfimi i një jete për Kosovën” – botim i Shtëpisë botuese: KOHA, Prishtinë, 2020, f. 305

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 29/12/2024

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk