Dje, nga “konaku” i vredistëve në Shkup, u shfaq për publikun e gjerë dhe për media spektakli i radhës nga fraksionisti Arben Fetai, i cili mblodhi çupëlinat dhe djalërinë, burra dhe gra, aleancistë të lodhur dhe qylaxhinj, interesaxhinj dhe halabakë, që për shkak të ruajtjes së vendit të punës janë bashkuar rreth flamurit të ri të ndryshimit dhe dolën në konferencë për shtyp, duke na shitur dëngla dhe përralla me mbret se “shqiptarët duan vazhdimin e ndryshimit, jo kthimin e së vjetrës”, apo si rrruga e tyre për ndryshimin është e drejt ndërsa atyre që ndenjën me Taravarin qënkësh e gabuar!
Duke qënë neutral dhe i pavarur, pa asnjë tifozllëk ndaj asnjë subjekti politik, më duhet të theksoj se kjo shfaqje teatrale që shfaqi dje djali plëngëprishës Arben Fetai me dyzetë trimat e tij, paraqet vetëm fillimin e çarjes dhe fraksionit të dytë brenda aleancistëve më pak se dy vite nga divorci i parë mes Selës dhe Taravarit.
Por, fraksioni i dytë mes aleancistëve tashmë duket qartë se nuk është për çeshtje parimore e idealit për ndryshime por, për përfitime pragmatike dhe karrieriste, të mbajtjes së postit dhe leverdive të ndryshme të pushtetit.
Nëse do të ishte për çështje parimore dhe të idealit ndaj mbajtjes së premtimit për ndryshim, krahu i ri fraksionist i Arben Fetait, do ta mbante fjalën dhe do t’i kish kërkuar me kohë despotit të tij Micko, t’i bënin ndryshimet kushtetuese si zotim i dhënë brenda 6 muajve, ashtu siç kishin premtuar dhe jo të priste deri tani, kur po mbushet një vit nga formimi i qeverisë së koalicionit, por që fatkeqësisht ndryshimi i premtuar nuk duket në horizont.
Pyetja që shtrohet natyrshëm është: A vjen ndryshimi me personazhe të djegura si ish këshilltari i Gruevskit?
A mund ta sjell ndryshimin Azir Aliu, këshilltari që këshilloi Grujon si kryeministër, premieri që i bëri gjëmën shqiptarëve me vite të tëra dhe z. Aliu heshti para despotit Grujo, që u Artanizua i pari si ikanak?
Dhe vjen një ditë që të gjithë fraksionistët e krahut të ri si ish këshilltari Aliu, që kishte këshilluar Grujon së prapthi, marrin guximin të thonë sot se ( jo se po e mbroj z. Taravari në këtë rast por për hir të realitetit) Taravari shkoi në prehrin e Ali Ahmetit dhe pranë integristëve, të cilët janë kriminelë dhe hajdutë që i kanë bërë gropën shqiptarëve për 20 vite në pushtet.
Ndërkohë që Grujo me VMRO-në kishte bashkëqeverisur me integristët për shumë vite nuk qënkëshin kriminelë dhe hajdutë, por vetëm intrgristët!
Amnestimi i Grujos dhe i komitëve nga bëmat dhe gjëmat e tyre ndaj shqiptarëve përmes fushatave ushtarako-policore siç është Monstra, vrasja e grupit të Arun Aliut, me veteranë të UÇK-së, që nuk u pajtuan me statusin inferior të shqiptarëve në “državën Severna”, rasti i Brodecit apo rasti i grupit të Kumanovës etj., janë vepra kriminale të udhëhequra nga Grujo dhe nga komitët e VMRO-së, ku ju aleancistët e fraksionit të ri bashkë me vredistët i keni amnistuar ata nga ato krime, ndërsa sot akuzoni vetëm njërën palë siç janë integristët e Ali Ahmetit të cilët gjithashtu janë fajtor dhe përgjegjës.
Përse qënkan vetëm integristët (pa dashur të bëj avokatin e integristëve) hajdutë dhe kriminelë, kur ata bashkëqeverisën me po ata komitët që qeverisni ju sot?
Mos vallë komitët e sotëm janë të ndryshëm nga ata të djeshmit?
Ky lloj qëndrimi në politikë paraqet sharlatanizëm dhe papjekuri politike të cilitdo subjekti politik që për hir të pushteti amniston krimin dhe hajdutët, ndaj shqiptarët nuk mund t’u besojnë juve që i keni shërbyer atij pushteti që vrau dhe ngriti kurthe kundër shqiptarëve si terroristë, kurse nga ana tjetër flisni për ideale dhe parime, për ndryshimin që do të vij dhe plot broçkulla pa fund për punësimet dhe kthimin e dinjitetit shqiptar që nuk duket asgjëkundi.
Zgalemi i revolucionit nuk do të ndodh as me ju dhe as me vredistët, pasi në qeverinë e koalicionit ju keni “çelësat e kashtës”.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!