A. Vuçiq e pranon se e njeh Radojeviqin, një nga kryesit e sulmit në Banjskë

25
Dec
2023

Rrustemi i VV-së publikon video ku Vuçiq e pranon se e njeh Radojeviqin, një nga kryesit e sulmit në Banjskë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Adnan Rrustemi, ka publikuar një video të vitit 2021 ku shihet presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke thënë se njeh personalisht Vladimir Radojeviq, i njohur me nofkën “Mami’’, i cili ka qenë i përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Siç ka thënë Rrustemi, në sulmin terrorist në Banjskë, Vladimir Radojeviqit i është gjetur telefoni në vendin ku është ekzekutuar shpërthimi i minës që la të vdekur policin e Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Vuçiq njihet personalisht me kokat e grupit terrorist që kreu sulmin e 24 shtatorit në Banjskë. Më 13 tetor 2021, disa serbë kishin shkruar t’i rrëfeheshin Vuçiqit për kinse terrorin që Qeveria e Kosovës po i bënte atyre. Ndër ta që u rrëfyen ishte edhe Vladimir Radojevic, i njohur me nofkën ‘Mami’”, ka shkruar Rrustemi në Facebook.

Në videon e publikuar nga Rrustemi, disa serbë, përfshirë edhe Radojeviqin, i drejtohen Vuçiqit me pyetje, ai i kërkon që të prezantohen përveç “Mamit”, të cilin thotë se e njeh.

“Në videon më poshtë shihni momentin pasi flet ‘Mami’ (personi me flokë të gjata) flet një tjetër person, atij Vuçiq i kërkon të prezantohet. ‘Atë (Mamin) e njoh, ndërkaq këtë jo’, thotë Vuçiq. Çka tregon se ai ka lidhje direkte e personale me këta individë”, ka shkruar tutje ai.

Kjo, sipas Rrustemit, paraqet një lidhje personale mes presidentit serb dhe personit me nofkën “Mami”, i cili ishte i përfshirë në sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës.

“’Mami’ përveçse i njohur gjatë gjithë këtyre viteve për luftimin që i ka bërë rendit juridik dhe kushtetues në veri, në sulmin terrorist në Banjskë i është gjetur telefoni i tij mu në vendin ku është ekzekutuar shpërthimi i minës që la të vdekur heroin, policin e Kosovës, Afrim Bunjaku”, ka shkruar deputeti i VV-së në Facebook.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/12/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk