Adresa e Duhur për Akuzat: Prokuroria, Jo Televizionet

04
Jan
2025
Shkruan: Ferat Selimi

Oslo
Adresa e Duhur për Akuzat: Prokuroria, Jo Televizionet
Është për t’u habitur niveli i urrejtjes që kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, po shfaq në paraqitjet e tij publike ndaj kryeministrit Albin Kurti. Në vend që të shërbejë si një zë opozitar konstruktiv dhe i fokusuar në interesin e qytetarëve, Haradinaj po përqendrohet në sulme personale dhe akuza të pabaza, të cilat duket se më shumë dëmtojnë atë vetë se sa objektivin e tij politik.
Rezultatet e zgjedhjeve të fundit duhet të jenë ende të freskëta në kujtesën e Haradinajt. Vjosa Osmani, garuese në kuadër të listës së Vetëvendosjes, mori 300,788 vota – një mbështetje popullore e jashtëzakonshme. Albin Kurti, pavarësisht se nuk u lejua të garojë për shkak të një dënimi për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, ishte figura qendrore e fushatës dhe listës që dominoi zgjedhjet. Kjo mbështetje popullore për Kurtin ishte pothuajse gjashtëfish më e madhe se rezultati që mori vetë Ramush Haradinaj me vetëm 41,406 vota.
Me këto shifra, është e qartë se qasja aktuale e Haradinajt, e cila përfshin akuza të pabazuara dhe fyerje ndaj kryeministrit dhe elektoratit të tij, nuk e ndihmon aspak në rindërtimin e kredibilitetit politik. Përkundrazi, kjo qasje vetëm sa thellon hendekun me votuesit dhe ekspozon mungesën e një strategjie konkrete për të qenë një alternativë reale në politikën kosovare.
Nëse Haradinaj vazhdon me këtë linjë të sulmeve të pamatura dhe me një koalicion të dobët si ai me Nismën – parti që për dy palë zgjedhje rresht nuk e ka kaluar pragun – është shumë e mundur që të përjetojë të njëjtin fat, duke mos kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme.
Daljet publike me akuza të pabazuara dhe të mbushura me paragjykime nuk sjellin asgjë të mirë. Në vend që të shpenzojë kohën nëpër studio televizive, ku akuzat nuk kanë asnjë peshë ligjore, Haradinaj duhet të drejtohet te organet kompetente – prokuroria dhe gjykatat. Nëse pretendimet e tij për korrupsion apo keqpërdorime nga ana e Kurtit janë të vërteta, atëherë vetëm drejtësia mund të japë vendimin përfundimtar.
Deri atëherë, këto akuza mbeten thjesht rrëfime të pabaza që shërbejnë vetëm për rritjen e shikueshmërisë së televizioneve dhe jo për ndonjë përmirësim real të jetës politike apo sociale në Kosovë. Televizionet kanë për qëllim të krijojnë spektakël, jo të japin drejtësi. Prandaj, është koha që Haradinaj të kuptojë se rruga e duhur për të ndjekur akuzat është përmes prokurorisë, jo përmes fushatave denigruese televizive.
Adresa e duhur është prokuroria, o Ramush!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 04/01/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk