AGIM VINCA, NJË AKADEMIK PËR T’U HARRUAR.

01
May
2024
Shkruan: Agron Dalipaj


Shpesh, kur më duhet të hedh një etimologji në fcb, ka dhe nga ata që bien për herë të parë në kontakt me etimologjinë e metodës që unë ndjek dhe nuk e kuptojnë logjikën time motivuese e tentojnë edhe të më tallin. Nuk janë të gjithë të ushtruar në etimologji dhe kjo “tallje” nga ana e tyre është disi “e natyrshme”. Por kjo nuk mund t’i falet një akademiku, qoftë ai dhe jo i fushës përkatese.
Ndoqa në emisionin “penxhere” të Rudina Xhungës përqeshjen që i bënë etimologjisë sime për fjalën [polemik]ë i ftuari ak. Agim Vinca dhe moderatorja Xhunga.
Për ta ishte e pamundur që koncepti [POLEMIK]a të rrjedhë nga shqipja. Për shkak se fjala polemikë ngjan me fjalën polemos (gr. luftë), akademiku Vinca dha versionin se polemika (debat shkencor) vjen prej gr. polemos (luftë). Por ja që polemika nuk është luftë dhe dy ushtri armike me njëra tjetrën nuk bëjnë polemikë. Polemika eshtë debat në fushën e ideve e jo luftë. Nuk mund të themi se “Rusia po bën polemikë me Ukrainën” se kështu do na tallnin të gjithë. Por ja që kështu mendon akademiku Vinca…
Nëse akademiku Vinca do ish në një polemikë televizive me mua, do e pranoja një moment versionin e tij se [polemik]ë (debat) vjen nga gr. polemos (luftë), por mandej do e pyesja: po fjala [polemos] e greqishtes nga vjen dhe cila është etimologjia e saj? Vinca nuk është etimolog dhe nuk ka si ta dijë. Pa e vënë në lojë do i shpjegoja se gjuhëtarët grekë e italianë nuk kanë një ide as për etimologjinë e fjalës [polemo] e as për origjinën nga vjen ajo dhe për këtë do i jepja referencat nga fjalori i Babinjiotit dhe nga “il nuovo etimologico” f. 1219, ku në këtë të fundit fjala quhet me origjinë preindoeuropiane ashtu si edhe gjuhëtari më i madh grek, Babinjioti (ELNEG 1132), hamendëson një rrënjë inekzistente i.e *pel-a-.
Nëse askush në gjuhësinë botërore nuk ka asnjë ide se nga vjen fjala polemos, si e ditka Vinca?! Shumë mendojnë si Vinca, se fjala polemikë vjen nga fjala polemo dhe nuk kanë asnjë ide se nga vjen kjo e fundit. Njësoj do besonte Vinca se fjala BIDON vjen prej BEDEN, meqë ato ngjajnë, porse bidoni është enë dhe bedena është dhemb muri në horizontin e rrethues të një kështjelle. Apo të mendonte se emri i shpezës [pata] të vijë nga folja [pata], meqë ato ngjajnë (“pata tri pata e i këmbeva me dy rosa”). Njëjtë Çabeji emrin [Dardan]i e sjell nga fjala [dardh]ë, por kur rreket të gjejë etimologjinë e fjalës [dardh]ë, thotë se: “kjo është me etimologji të errët” dhe një të panjohur e sjellin nga një tjetër e panjohur dhe këtë e pranojnë si shkencë etimologjike e me këtë “metodë shkencore” kanë shkombëtarizuar 93% të fjalorit të shqipes për ta stigmatizuar si të huaj.
Për Vincën, mbase është e panjohur se ekziston një shkencë e re etimologjike, e cila të vërtetën e fjalës e gjen brenda fjalës dhe brenda çdo fjale. Filosofët bëjnë polemikë e flasin miqësisht mes tyre dhe Vinca mund të shohë se fjala polemos nuk e përmban fonemën [k] që gjendet te fjala [polemik]a e kështu as fjala polemikë nuk mund të përqaset me fjalët polem (popull), polis, polen etj.
E qeshura “tallëse” e Vincës për etimologjinë time vetëm sa tregon se Vinca nuk ka asnjë mendim etimologjik dhe shkon nëpër tv sa te Yzeiri e sa Xhunga si mish i gjezdisur nga distributori Xhufi, vetëm për të sulmuar Dalipajn e Kocaqin.
Vinca është rekrutuar në ASh të Tiranës pas një procesi të paligjshëm e vetëm për të ruajtur dominimin e ideologjisë sllave në albanologjinë zyrtare.
Profkat e Vincës për ruajtjen e gjuhës shqipe nuk kanë të bëjnë vërtet me të. Gjuhën shqipe nuk e prish mungesa e ca ë-ve apo e ca ç-ve në kaligrafinë e disave. Gjuhën shqipe e kan tharë nga pasuria e saj leksikore akademikët që kanë sulmuar identitetin gjuhësor të shqipes, duke e quajtur shqipen 93% të huazuar dhe si gjuhën më të re në botën e gjuhëve (vetëm 1500 vjeçare). Vinca mbron tezën se shqipja është krijuar pas ardhjes së sllavëve në Ilirik. Vinca e Qosja janë virgjëreshat e balerinat albanologjisë që bënin sfilata në vitet 70 sa në Beograd e sa në Tiranë e nuk u cënuan kurrë nga Beogradi, kur të tjerëve (si Ukshin Hoti, Fehmi Agani etj.) regjimi i Beogradit u mori jetën.
Nëse Vincës do i dhembte vërtet gjuha shqipe, ai do fliste për zhgrryerjen e etnicitetit të saj gjuhësor. Do dilte pro revistës “science”, që e konfirmon shqipen të folur 6000 vjet pa ndërprerje dhe pro universitetit të Laipcig-ut që e sjell shqipen si gjuhën më të vjetër të gjallë në familjen i.e. të gjuhëve. Në emision të Xhungës Vinca përqeshi tezën se shqipja është gjuha më e vjetër i.e.
Për çka Vinca, hapur, mbron e sulmon në albanologji, ai është njësh me tezat e Beogradit për identitetin e kombit shqiptar dhe rekrutimi i tij në ASh-në e Tiranës është fiks për të forcuar statukuonë sllave në këtë akademi. Përndryshe Vinca nuk ka ndonjë vlerë të spikatur që të bëhej antar i ASh-së dhe veprimtaria e tij intelektuale nuk ka patur asnjë ndikim në publikun shqiptar.
Vinca, në vend të merret me gabimet e drejtshkrimit, le të lexojë së pari veprat e kryeakademikut Gjinushi, nëse i gjen ku ndodhen. Morali i Vincës është morali i një “intelektuali” që ka pranuar të jetë antar i një akademie shkencash, ku i pari i saj nuk ka asnjë vepër shkencore. Me Vincën e pa Vincën ASh e Tiranës ishte dhe është një qenef i Beogradit në kryeqytetin e Shqipërisë e Vinca, një akademik për t’u harruar.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 01/05/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk