AJAKSI TRIM DHE ODIESEU DINAK

04
Mar
2023

Shkruan: Beqir Elshani

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Pas përfundimit të luftës në Trojë, në mesin e luftëtarëve të dalluar, siç ishin Ajaksi, Filokteti dhe Odise pritej që trimat të nderoheshin me shpatën e lavdishme të Akilit, megjithatë shpatën e Akilit ia dhanë Odisesë, i cili ishte një nga udhëheqësit më të guximshëm dhe më dinak në Luftën e Trojës. Ndryshe me Odisenë, Ajaksi ishte arkitekt i pushtimit të rrufeshëm të Trojës legjendare. Vetë lufta e gjatë dhe e përgjakshme dhjetëvjeçare në Trojë tregon se pa strategjinë luftarake të Odisesë me anën kalit të drunjtë, fitorja nuk do të arrihej. Prandaj derisa Odise shkëlqente me anën e dinakërisë, Ajaksi dhe Filokteti shkëlqenin me shpatë. Me të drejtë parashtrohet pyetja pse hyjnitë shpatën nuk ia dhanë Ajaksit, që me të vërtetë, si askush tjetër në Trojë, i ngjante Akilit trim, por ia dhanë Odisesë dinak? Jo vetëm që ishte shpata e lavdishme e Akilit trim, por edhe sepse e kishte farkuar hyjniu Hefest, i cili ishte sundimtar i zjarrit, ashtu siç ishte Poseidoni sundimtar i detit dhe Aresi sundimtar i luftës. Vlen të përmendet zemërimi i Filoktetit, i cili para vdekjes këshilloi që me mishin e tij të mos ushqenin peshqit e zogjtë, sepse do të pësonin, prandaj kërkon që trupi i tij të hidhet në krater të vullkanit. Akili në kohën e tij përshkruhet si trim i famshëm në luftën e Trojës, më vonë trimat tjerë krahasohen me natyrën, fuqinë, guximin, shpejtësinë, besa edhe me zemërimin e rrufeshëm të Akilit.

Shpata e Akilit kishte mbetur simbol i meritës luftarake, të cilën e kishte kalitur farkëtari i shquar – hyjniu Hefest, mirëpo pas vdekjes së mjeshtrit, nuk gjendet një lloj i tillë i shpatës. Sipas mitologjisë, Hefesti, përndryshe i biri i Zeusit dhe i Herës, me kërkesën e Tetidës, dhe atë me zjarrin e vullkanit, kishte fabrikuar helmetën dhe shpatën me gjithë mburojën për Akilin, ashtu siç ia kishte farkuar Poseidonit ttrefurkun dhe mburojën Herakliut, në mënyrë që asnjë forcë njerëzore të mos e thyente, me anën e së cilës Herakliu u bë i lavdishëm. Ndërsa me kërkesën e gruas së tij, Afërditës, farkoi armët edhe për trimin trojan – Eneun. Ky hiperbolizim i zjarrit të farkëtarit është i arsyeshëm, meqë kishte nxehtësinë prej 1000 shkallësh, prandaj romakët e quajtën ”vulcanus”. Të rrallë ishin ata që e kishin fuqinë e Hefestit, i cili njësoj me dy duar mund të rrihte hekurin, prandaj si i tillë, ky farkëtar ka zënë vend në Iliadën e Homerit. Më vonë armët e Akilit, që i ka fabrikuar dora e Hefestit, do të bëhen shkas i grindjes në mes të luftëtarëve trojanë e grekë. Hefesti kishte edhe anën e shëmtuar, jo pse ishte topall, larg qoftë, por sepse në maje të shkëmbit me prangat e tij, me urdhër të Zeusit, kishte gozhduar kreshnikun e lavdishëm të mbarë njerëzimit – Prometheun,

Siç dihet, në letërsinë e vjetër homerike, luftën e trimave e kanë udhëhequr perënditë në krye me Zeusin, prandaj detyrë e lexuesit është që të kuptojë edhe fitoren e tyre të padrejtë për mbrojtjen e atdheut me anën e luftës, por që nën urdhrat e perëndive fitoren ia ndante pushtuesit, si psh. Agamemnonit me bashkëluftëtarët e tij, të cilët me urdhrin e orakullit të Delfit Troja shkatërrohet dhe pushtohet. Prandaj me anën e dinakërisë së madhe të sajuar nga mbreti i Itakës, Odise, trojanët autoktonë që kishin lindur në vendin e të parëve të tyre, u zhdukën. O sa dhimbshëm, populli i vjetër u zhduk, kurse mbi gërmadhat e Trojës perënditë po vendosnin një sundues të ri.

Nuk i mohohet strategjia e Odisesë që me anën e dinakërisë e pushtoi Trojën, për të cilën edhe Ajaksi pajtohet, mirëpo asnjë luftëtar nuk doli më trim se Ajaksi me shpatë fill pas Hektorit dhe Akilit. Prandaj shpatën e lavdishme të Akilit, perënditë ia dhanë Odiseut, jo pse me dinakërinë e tij e pushtoi Trojën, por sepse Ajaksi nuk besonte në hyjnitë. Siç dihet, Ajaksi ishte kryengritës kundër perëndive, ishte i bindur në forcat vetjake dhe veten e konsideronte trashëgimtar të Prometheut e të Herakliut trim, kurrë jo të hyjnive. Ajaksi më parë do të pranonte vdekjen se nënshtrimin ndaj hyjnive. Tani jo me anën e luftës, por me anën e mashtrimit të kalit të drunjtë, pas një rrethimi të mundimshëm e të pasuksesshëm dhjetëvjeçar të Trojës kreshnike, grekët në krye me komandantin e tyre, Agamemnonin, e pushtuan Trojën. Prandaj një luftë e tillë diplomatike që ka zënë vend në letërsinë dhe në diplomacinë e sotme, njerëzimi duhet t’ia ketë frikën dhe të jetë vigjilent. Nëse kalin e Trojës e krijuan zotat, sot po këtë kalë trojan e zbaton fort mirë diplomacia ndërkombëtare, kudo në botë, dhe atë gjithmonë në dëm të popujve të tjerë.

Në fund vlen të shtoj se Homeri ka kuptimin e shkrimtarit që është autor i dy epëve të mëdha – klasike Iliada dhe Odisea, dhe është sinonim i popullit besnik për ruajtjen e tyre. Prandaj nuk është me rëndësi nëse e shkroi apo nuk e shkroi epin Homeri, me rëndësi është që kujtesa e popullit e ruajti dhe e skaliti një kohë të gjatë, dhe autorin e vuri në krye të veprës epike. Homeri ka ditur t’ia drejtojë jetën Odisesë, psh. po të martohej Odise me ndonjë nga femrat e bukura, siç ishin Nausika dhe Cirka, atëherë përfundimi i veprës do të dilte gjysmake. Mirëpo Homeri me anën e hyjnive bën që Odise fitimtar të kthehet te bashkëshortja – Penelopa dhe i biri – Telemaku.

Prej Sizifit deri te Odise

Sipas anekdotës korbi korbit nuk ia nxjerrë sytë, që ka kuptimin e të ligut dhe që nuk i bën keq të ligut e argumenton edhe legjenda e Sizifit mitologjik që ishte vjedhës, gënjeshtar dhe dinak, i cili për dinakëri ia kalonte edhe Autolikut – birit të Hermesit. Këtij të fundit Sizifi ia kishte vjedhë bagëtinë, megjithatë Autoliku e bëri dhëndër Sizifin dhe për grua ia dha bijën e tij, Antiklenë, me të cilën lindi Odisenë. Kjo tregon traditën familjare që janë mbajtur me anën e plaçkitjes, gënjeshtrës dhe dinakërisë, prandaj prej Sizifit lind dinaku më i madh i botës, Odise, i cili me anën e kalit të drunjtë e shkatërroi Trojën legjendare të mbretit Priam. Nuk thonë kot se për t’u bërë njeriu dinak me emër si Odise, të parët e tij duhet të jenë hajdutë, gënjeshtarë dhe plaçkitës. Qysh në fillim Odise nuk dëshironte të merrte pjesë në Luftën e Trojës, mirëpo e detyroi Agamemnoni. Në anën tjetër, aq sa ka qenë fajtor Odise për pushtimin e Trojës me anën e kalit të drunjtë, po aq fajtor ka qenë edhe Priami, që me fanatizmin e tij pranoi dhuratën e hyjneshës Athena.

Sa i përket Sizifit, ai ka qenë i dënuar të çojë gurin e madh gjer në maje të kodrës, mirëpo sapo i afrohej majës, guri rrokullisej tatëpjetë, prandaj duhej të fillonte punën rishtazi. Sot guri i Sizifit ka domethënien e një pune të mundimshme dhe pa rezultate. Prandaj kjo urti ka zënë vend edhe në fjalorin e sotëm, me kuptimin e zgjidhjes me pasoja të rënda. Është me rëndësi të theksohet që Sizifi nuk u dënua prej Zeusit si hajdut dhe gënjeshtar i kohës për të bartur gurin, por u dënua, sepse tregoi planet e fshehta të perëndive. Flitet se Sizifi e ka parë Zeusin kur Azopit, zotit të lumit, ia vodhi të bijën, Eginën, me anën e së cilës e kishte zemëruar Hadin.

Njëri prej tyre ishte edhe Iksioni, i cili ka qenë bir i Elegiut, mbretit të Thesalisë, përndryshe djalit të Lapitit, mbretit të lapitëve. Zeusi Iksionin e kishte ftuar në gostinë e zotave dhe e pastroi nga vrasja e kushërinjve, i doli borxhit duke ia sulmuar gruan, Herën, dhe tentoi ta dhunojë. Gjithashtu flitet se Zeusi e ka dhunuar bashkëshorten e Iksionit, mirëpo sipas mitit në atë kohë, ajo çka u lejohej zotave, nuk i lejohet njeriut. Me bashkimin e Nefelës dhe Iksionit u lind Kentauri, përndryshe stërgjyshi i kentaurëve. Për tentim dhunimi të Herës, Zeusi Iksionin e dënoi në Tartar të lidhur në rrotë, e cila sillej pa ndërprerë. Prandaj mundimet e Tantalit dhe të Sizifit kanë zënë vend proverbin bashkëkohor. Tregimet mitologjike tregojnë që Zeusi është zemëruar për shkak të arrogancës, i cili në gostinë zotave trupin e të birit, Pelopsin, ua ofroi për ushqim, për të cilin zotat u tronditën për shkak se Tantali, mbret i Lidisë, veten e konsideronte si mbinjeri dhe të barabartë me perënditë dhe atë me Zeusin.

Pasojat e Edipit mbret

Sa herë që shkaktari i murtajës gjendet në pozitë të vështirë, shan e kërcënon, plakun Tirez e quan matuf, mashtrues e sharlatan. Mirëpo të vërtetën që thoshte shortari Tirez, nuk mund të besonte Edipi mbret, i cili nga padija kishte vrarë babanë e tij. Për fatkeqësinë më të madhe, Edipi ishte martuar me nënën dhe në fund ishte vëlla me fëmijët e tij. Të gjitha këto i dinte shortari me përvojë, Tirezi plak. Plaku nuk kishte frikë nga vdekja, sepse thoshte një gjë të vërtetë që e ka ruajtur në thellësinë e shpirtit të tij, që as thellësia e detit nuk do ta mbante dot derisa i erdhi dita për ta rrëfyer ngjarjen tronditëse, meqë mbarë populli po vuante për gabimet e mbretit teban. Po ta kishte bërë ndonjë qytetar i thjeshtë këtë marri e poshtërsi, dihet që populli mund të besonte dhe ta mallkonte, mirëpo e kishte bërë Edipi mbret, një njeri i madh i pushtetit, që për nga lavdia menjëherë vinte pas Apolonit, ndaj ishte vështirë ta kapërdinte fajin e tij.

Më në fund, murtaja nuk do të largohet para se të dënohet vrasësi i Lajit. Lajmi që pritej për shpëtimin e Tebes nga mynxyra e urisë. Për shkak të thatësisë së vendit ngordhte bagëtia, njerëzit vdisnin nga uria, prandaj me padurim pritej ardhja e Kreontit se do të sillte lajmin e orakullit për shpëtimin e vendit. Lajmi ishte i mirë për popullin, por i hidhur për mbretin e Tebes – Edipin. Edipi bëhet aq trim sa që lajmin e pranon që t’ia drejtojë popullit. Dhe Kreonti tregon porosinë e Apolonit që të keqen ta largojnë nga vendi, dhe kjo e keqe ishte pikërisht te vëllai i tij – Edipi, që kishte vrarë babanë dhe kishte marrë të ëmën për grua. Edipi pranon që vrasësi të dënohet, por nuk dinte që vrasës ishte vetë ai. Kështu Edipi premton se po të gjendet vrasësi, do ta dënojë me varje ose do ta dëbojë jashtë vendit. Shqetësimi për vrasjen e Lajit bëhet aq i madh, sa që Edipi mallkon edhe me zhdukjen e familjes së tij. Duket qartë që orakulli e dinte se kush është vrasës, por ai donte të vinte në sprovë guximin e popullit për të gjetur vrasësin. Më në fund, sollën shortarin Terez që t’ua rrëfejë shortin se ku ishte enigma. Ndërkohë që Edipi me padurim priste lajmin për largimin e murtajës, Tirezi i tregon që vrasës i babit është vetë Edipi, sepse është martuar me nënën.

Siç dihet, Edipin në kohën e lashtë e lindi gojëtaria dhe letërsia, i cili me kalimin e kohës u bë figurë e shumë gjinive letrare e artistike, hyri në histori, në pikturë, në dramë e në film, në filozofi e në psikologji, pothuaj në të gjitha gjinitë popullore e artistike që i krijoi populli. Vlen të theksohet se kur lexuesi lexon ndonjë vepër letrare të shkrimtarëve bashkëkohorë, për shkak të dinamizmit të madh zakonisht i numëron faqet e librit, sado vëllim i vogël të jetë. Mirëpo kur lexon poemat e Homerit dhe tragjeditë e Eskilit e të Sofokliut, atëherë nuk shikohet numri i faqeve nga kureshtja duke dëshiruar që dramat e tyre të fuqishme, po aq shpirtërore të zgjatin edhe ndonjë faqe më shumë. Kështu ndodh, meqë dihet se letërsia e vjetër greke është djepi i krijimtarisë së mëvonshme i të gjitha gjinive të artit e të letërsisë deri më sot.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 04/03/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk