Lufta e klasave është një proçes i pandalshëm, i pamëshirshëm dhe pa kompromis. A mundet të lejojmë dikë të devijojë sadopak nga vija e partisë e të na kritikojë udhëheqjen?… dilema është që, nëse e vrasim, mund të bëhet hero. Syrgjyni bën punë. Po si ta syrgjynosim Agron Dalipajn?
Nuk ka ndonjë çudi që Akademia e Shkencave të Shqipërisë të funksionojë me mendësi njesiti guerril apo komisari stalinist “o me ne o kundër nesh, rrugë të mesme s’ka”!
Kohët e fundit “është ngrohur dajrja” dhe në vallen e debatit rreth shqipes janë zgjuar dhe përfshirë edhe “rangjet e larta”, sindozot edhe prof. Rahmi Memushi. Pa mohuar kontributin e plot grave dhe vajzave që janë lebetitur nga qortimi që Agron Dalipaj i bën etimologjisë zyrtare të derisotme dhe Eqerem Çabejt personalisht.
Ky zgjim e përfshirje kishte pas për të qenë shumë i shëndetshëm sikur këta profesorë, studiues, fansa dhe akademikë thjesht të kishin pas mundur të bënin punën e tyre. Çfarë pune?
Agron Dalipaj ka dy dekada që troket në dyert e Akademisë së Shkencës dhe (ish) Institutit të Albanogjisë duke kërkuar që kajmaku i dijes dhe shkencës sonë ta studiojë teorinë e tij dhe makar edhe ta hedhë poshtë një herë e mirë. Ç’të mirë do të kishte Agroni dhe ne të tjerët ( edhe gjuha jonë, njëkohësisht) nëse hidhej poshtë e gjithë teoria dhe puna e Agronit?
Së pari, do të çimentosej teoria zyrtare mbi etimologjinë. Së dyti, do ti kursehej mund, kohë dhe para kujtdo tjetër që do të kërkonte të ndiqte këtë vijë. Së treti, për sy e faqe, do tregonte që nuk është njesit guerril por një institucion mendjehapur, profesional dhe elitar, që nuk le jashtë vëmendjes asgjë që ka lidhje me dijen, kërkimin dhe shkencën, qoftë edhe kur këto shkëndija mund të jenë të paplota, amatoreske apo edhe “idiotësi”, siç shprehen këta profesorë të nderuar, gardianë të betuar të një ideje dhe dogme të dhënë që nga koha e merhumit.
Ky skenar – në rast se teoria e Dalipajt është pa vlerë. Por kush na qenka ky Zeus që, pa argumenta shkencorë, me një opinion kuturu për nja 6 – 7 fjalë të shpjeguara nga autori, na jepka verdiktin që , si Petro Zheji, si Agron Dalipaj ashtu edhe të tjerët ia fusin kot? Ose, për ta bërë më konkret, në kushtet e njesitit gueril, kapter Rahmiu nxjerr koburen dhe i ekzekuton gjitha ata që i rrezikojnë identitetin, emrin, të shkuarën, të tashmen dhe krejt ekzistencën e tij. Ç’do të ndodhë me një profesor që gjithë jetën ka besuar në teoritë zyrtare të gjuhësisë, i ka shpjeguar me zell e përkushtim të madh, ka ngelur në klasë studentë që s’ia kanë përvetësuar lëndën dhe ka fjetur e është zgjuar, ka kënduar në gëzime e ka qarë në ksodhe me vetëdijen se është mishërimi i asaj gjëje… e tani dalin ca e thonë se ajo gjëja mund të mos jetë ashtu? Një profesor që, edhe kur i thotë bota se shqipja është folur që nga lashtësia e thellë del e mbron në publik tezën se gjuha jonë ka lindur vetëm 1500 vjet më parë, kur erdhën sllavët këtu. Pau! Pau! Pau! Një në ballë, një në zemër e një plumb pas qafe gjithë plangprishësve!!!
U zgjata me këtë muhabet jo për Agronin, por për shkencën tonë! Për njesitin gueril “Akademia e Shkencave, që, në vend të hapë dyert e të bëjë ndonjë punë, harxhon energji të pafundme për të ruajtur me fanatizëm jallanhistorinë, jallanetimologjonë dhe gjithë jallanshkencën e gatuar nga diktatura e proletariatit.
P.S: Shkencën dhe dijen e ka shtyrë përpara dyshimi dhe debati dhe jo dogma e fanatizmi
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!