AKADEMIK ALEKSANDAR MATKOVSKI (1922 – 1992)

14
May
2023

Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti
Shpalime

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

(Një homazh për historianin e shquar nga Krusheva e Maqedonisë, që i dha impulse të reja shkencore historisë së popullit shqiptar)
Në bibliografinë e publikuar nga institucionet shkencore të Republikës së Maqedonisë janë përfshirë gjithsej 204 punime shkencore të tij, në disa gjuhë, mes tyre edhe disa punime në gjuhën shqipe.
Nga bibliografia e plotë* e punimeve shkencore të akademikut Aleksandar Matkovski (Mati), të publikuara mes viteve 1952 – 1992:
1. Një kryengritje e panjohur por e rëndësishme në nahijen e Dibrës në vitin 1560. – Gjurmime Albanologjike (1), Prishtinë 1969, f. 239 – 253.
2. Stemat shqiptare në të kaluarën. Gjurmime Albanologjike (2), Prishtinë 1969, 2, f. 89-158.
3. Kryengritje të panjohura në sanxhakun e Ohrit në vitet 1566-1576. Studime Historike, Akademia e Shkencave e RPSH: Instituti i Historisë – Tiranë, 1973, XXVII (X), f. 53-66; 177 -206.
4. Kryengritja e Dervish Carës (përkthyes Lutfi Rusi). Shkup: “Flaka e vëllazërimit”, 1985, – 239 faqe.
5. Udhëpërshkrimi i vitit 1833-1838 i David Urquhartit. – Jehona, Shkup, 1987, XXV, 10, f. 128-135.
Në biografinë e historianit dhe akademikut Aleksandër Matkovski, mes tjerash jepen të dhëna edhe për vendlindjen e tij, qytetin Krushevë, si edhe për emrin dhe mbiemrin, përveç në gjuhën maqedonase, emri i tij lakohet edhe në gjuhë vllahe, si Leko Matku.* Në të vërtetë, shtrembërohet përkatësia e tij kombëtare, kur dihet fakti se, asgjë nuk i lidh vllahët me emrin Lekë dhe mbiemrin Mati, një mbiemër tipik i shqiptarëve.
Pse nuk e ka deklaruar publikisht përkatësinë e tij kombëtare (prejardhjen) ky historian i shquar dhe akademik nga Maqedonia, kjo duhet të lidhet me rrethanat e kohës dhe procesin e asimilimit të shqiptarëve të krishterë (ortodoksë) në ish-Republikën e Maqedonisë, nën regjimin serbomadh (1913-1941) dhe atë komunist jugosllav (1945 – 1991).
Me këtë rast do të përmendim vetëm një fakt nga rrethanat në të cilat ka jetuar, punuar dhe krijuar ky historian. Nga dosja personale, ku ruhen dorëshkrimet dhe shënimet e tij, mes tjerash ka edhe shënime që dëshmojnë për përndjekjen e tij nga organet e sigurimit të shtetit, sidomos pas publikimit të punimit të tij “Stemat shqiptare në të kaluarën”, të publikuar në Gjurmime Albanologjike, në Prishtinë, më 1969, që sigurimi i shtetit (UDB-ja) gjatë kohë e ka hulumtuar rastin, kush e kishte përkthyer këtë punim në gjuhën shqipe (në mos vetë autori i punimit, apo dikush tjetër).
Shumë çështje nga historia popullit shqiptar, të cilat i ka hulumtuar ky autor nëpër arkivat e shumë shteteve, përmes tij janë ndriçuar për herë të parë, sidomos Kryengritja e Dervish Carës, një nga kryengritjet më të madha (çlirimtare, jo mbrojtëse), të shqiptarëve në gjysmën e parë të shek. XIX, (1843-1844), kur kryengritësit shqiptarë, pasi i kishin liruar pjesën më të madhe të trojeve etnike, nga Nishi deri në Janinë, kanë kërkuar edhe shpalljen e Autonomisë së Shtetit Shqiptar, në Shkup.
Para publikimit të kësaj vepre (1985), historianët shqiptarë nuk e kanë përmendur fare këtë kryengritje, as në librat e historisë dhe as në literaturën shkencore.
* Nga burimet në gjuhën maqedonase: “Александар Матковски (влашки: Leko Matku, Леко Матку; Крушево, 30 мај 1922 – Скопје, 15 април 1992) — прв доктор на историски науки од Македонија и прв ориенталист.”
** Për herë të parë në botën shqiptare, ky personalitet është riafirmuar pas pavarësimit të Maqedonisë, në fillim të vitit 1994, me rastin e 150-vjetorit të Kryengritjes së Dervish Carës, përmes një akademie solemne madhështore e organizuar nga Bashkësia Kulturore Shqiptare në Maqedoni (nën udhëheqjen e autorit të këtij shkrimi, A.M.), e mbajtur në Pallatin e kulturës në Tetovë, ku referatin kryesor e ka mbajtur historiani i shquar, prof. dr. Ali Vishko, është përgatitur edhe një këngë enkas për këtë përvjetor, kushtuar kësaj kryengritje, nga prof. Mustafa Arifi (e kënduar nga vëllezërit Sejdiu), me ç’rast edhe janë afirmuar këto vlera përmes diskutimeve të shumta dhe paraqitjeve në mediet në gjuhën shqipe, në gjithë hapësirën etnike shqiptare.
(14 maj 2023)

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 14/05/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk