ALI HADRI –HISTORIANI I GJITHMONSHËM

02
Dec
2024
Shkruan: Akademik Rexhep Qosja


Sivjet është 50 vjetori i Institutil të Historisë së Kosovës. Njëkohësisht sivjet është edhe 30 vjetori i ndarjes nga jeta e themeluesit të këtij Instituti, që në fillime quhej Enti për Historinë e Kosovës, Ali Hadrit.
Emri i Ali Hadrit në mendjet tona njëjtësohet me historinë.
Nuk mund të shqiptohet emri i Ali Hadrit e të mos mendohet historia; nuk mund të shqiptohet ky emër e të mos kujtohen shekujt: jeta e njerëzve, e popujve dhe e figurave të tyre të mëdha. Para tij ne, në Kosovë, e kishim dëgjuar fjalën histori, por historinë, si të popullit tonë, ashtu edhe të popujve të tjerë të Ballkanit ose nuk e dinim mirë, ose e dinim fare pak.
Ai ishte historiani ynë i parë dhe më i rëndësishëm, në të vërtetë historian i pakrahasueshëm me të tjerë, që historinë tonë do ta bëjë dije të çmuar, të nderuar dhe të dëgjuar. Në sajë të punës së tij historike, ne, sidomos brezi im, do të mësohemi ta kuptojnë të kaluarën e popullit tonë dhe të kuptojmë edhe të kaluarën e popujve të tjerë. Përpara tij mund t’i thoshim histori edhe kallëzimit, edhe legjendës, edhe këngës, edhe mitit; por, duke lexuar veprat e tij do të kemi mundësi të bindemi se historia është një dije, në të cilën njerëzit mësohen të kuptojnë se kush ishin, se kush janë dhe, më në fund, se kush duhet të jenë.
Prej veprave të tij historike do të mësojmë se historia është mësuese e jetës, mësuesja më e sigurt e jetës sonë.
Pikërisht pse ishte historiani ynë i parë, që do të merret si shkencëtar me historinë, Ali Hadri do t’i caktojë vetes detyra jashtëzakonisht të mëdha; dhe pikërisht pse ishte historiani ynë me masën më të lartë të dijetarit, ai do të bëjë përpjekje të jashtëzakonshme që ato detyra t’i sendërtojë. Do të merret me shumë epoka e periudha, me shumë tema dhe me shumë çështje të historisë. Dhe, pikërisht pse masën e historianit e kishte ashtu të lartë, përkushtim të veçantë do t’u falë: epokave a periudhave, që janë ngritur më së shumti në kohë; ngjarjeve që kanë ndikuar më së shumti në jetën e njerëzve dhe figurave, që kanë luajtur rolin më të madh në ato epoka e në ato ngjarje.
Dhe, pikërisht pse masën e historianit e kishte ashtu të lartë, pra, ai do të merret me kohën e Ilirëve, me shekullin XV, me epokën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, me Lidhjen e Prizrenit, me Luftën Nacional-Çlirimtare në Kosovë, me Skënderbeun, me Fan Nolin, me Bajram Currin, me Ali Kelmendin.
Vetëm epokat me shtrirjen e tyre; a vetëm ngjarjet me peshën e tyre; a vetëm figurat me rolin e tyre me të cilat është marrë Ali Hadri do t’u mjaftonin shumë të tjerëve që gjatë gjithë jetës të merreshin vetëm me ato epoka, a ngjarje, a figura. Por, detyra e të parëve është e tillë: duhet të bëjnë aq shumë vetëm, sa më vonë do të mund të shihet se e kanë kaluar edhe masën e një jete njerëzore.
Kur thuhet se Ali Hadri është historiani i ynë i parë që historisë do t’ia sjellë dinjitetin e dijes, të çmuar e të popullarizuar, pa dyshim, nuk thuhen të gjitha ato që duhet të thuhen për rolin e tij në jetën tonë shkencore dhe, në përgjithësi, kulturore. Mund të pohohet kështu për arsye se veprimtaria e tij gjithnjë e ushtruar në funksion të historisë, është me të vërtetë e gjerë dhe e gjithanshme.
Shumë vjet ai ishte kryeredaktor i Përparimit – i të vetmes revistë në të cilën botoheshin edhe shkrime historike, kurse, mandej, kryeredaktor ose anëtar redaksie, pothuaj, i të gjitha revistave historike që do të botohen në gjuhën shqipe në Kosovë. Vetëdija historike e lexuesve në gjuhën shqipe do të fillojë të ndërtohet edhe nën ndikimin e tij pavarësisht a ishte autor punimesh, kryeredaktor apo, tekembramja, vetëm anëtar redaksie – sepse Ali Hadri ishte njeri dhe dijetar i ndikimit të fortë me fjalën e shkruar e të folur, me origjinalitetin e mendimit e të sjelljes.
Shumë vjet Ali Hadri ishte drejtor i Entit e, pastaj, i Institutit të Historisë së Kosovës. Pa dyshim, në sajë të prirjes së tij organizuese, mandej të revistave, të veprave dhe projekteve shkencore, që do të nxjerrë ky institut, apo edhe të veprave e të projekteve historike shkencore që do të sendërtohen edhe në institucione të tjera në mjedisin tonë e në sendërtimin e të cilave ndihet edhe kontributi i tij, historiografia kosovare do të pushtojë me sukses edhe fazën e zhvillimit të saj institucional.
Shumë vjet Ali Hadri ishte profesor i historisë në shkolla të mesme dhe, pastaj, në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Dega e historisë në këtë fakultet në të vërtetë do të mund të hapet, para së gjithash, sepse kishte një dijetar sikundër ishte Ali Hadri dhe sepse mendimi ynë shkencor historik kishte arritur shkallën deri te e cila ishte ngritur, para së gjithash, me punën e tij.
Është i madh numri i nxënësve të tij, sidomos i Normales së Prishtinës, e njëri prej tyre jam edhe unë, që s’e harrojnë kurrë profesorin e historisë. Mësimet që shpjegonte ai bëheshin dije e përhershme. Në kohën kur arsimtarët fare rrallë zbritnin nga katedra, ai i shkruante pikat kryesore të ligjëratave në tabelë, bënte skica, vizatime, sillte veprat, që kërkonte t’i lexonin nxënësit.
Për këtë arsye nuk do të jetë i vogël as numri i nxënësve që pikërisht prej tij do të frymëzohen t’i kushtohen punës shkencore. Në Përparimin jo rrallë botoheshin punimet e diplomës të maturantëve dhe botoheshin pse Ali Hadri ishte kryeredaktor i saj. Disa prej autorëve të këtyre punimeve sot janë studiues të shquar të historisë, të letërsisë, të pedagogjisë, të gjuhësisë a të ndonjë dije tjetër.
Në qoftë se edhe në shkollën e mesme ka luajtur kësi roli në nxitjen e kërshërisë shkencore, mund të merret me mend se sa i madh do të jetë roli i tij si profesor i parë i Degës së Historisë në Fakultetin Filozofik për formimin e kuadrit shkencor të historisë. Është me të vërtetë i madh numri i magjistrave, i doktorëve, i pedagogëve të historisë në fakultete e në shkolla të mesme; është me të vërtetë i madh numri i magjistrave, i doktorëve, i hulumtuesve në institutet tona shkencore, që si historianë janë ndërtuar nën kujdesin e Ali Hadrit. Duke ia dhënë historisë dinjitetin e dijes, ai është kujdesur që të krijojë kuadrot të cilat atë dinjitet do ta përforcojnë me studimin e temave e të çështjeve të ndryshme historike, duke i parë prej këndesh të ndryshme studimore. Edhe sikur të mos ishin veprat shkencore që la pas, emrin e Ali Hadrit do ta bënte të paharruar numri i nxënësve të tij dhe, të shpresojmë, puna shkencore që bëjnë dhe do të bëjnë më të mirët nga radhët e tyre.
Thashë se prej Ali Hadrit ne e kemi mësuar më së pari të kaluarën tonë; duhet të them, ndërkaq, se prej Ali Hadrit edhe të tjerët, sidomos folësit e gjuhëve të tjera në Jugosllavi, kanë mësuar më së shumti për të kaluarën tonë. Duke marrë pjesë në shumë tubime shkencore në vend, por edhe në botën e huaj, ai e ka përhapur me nder e dinjitet mendimin për historinë:
për historinë tonë, për të arriturat e historiografisë sonë, në përgjithësi, për shkencën e për kulturën shqiptare.
Hulumtues i epokave zëmëdha, i ngjarjeve vendimtare dhe i figurave të rëndësishme historike; kryeredaktor a redaktor i sa revistave shkencore; drejtor i Institutit të Historisë; pedagog i historisë në shkollë të mesme e në fakultet; mentor i kuadrove të historisë; një nga projektuesit kryesorë të hulumtimeve historike duke filluar nga fakultetet e institutet tona e deri te Akademia e Shkencave dhe e Arteve; analizues dhe sintetizues i temave dhe i çështjeve nga më të rëndësishmet; themelvënës i kulturës historike – kjo është një punë madhore, me të cilën njeriun mund ta ngarkojë vetëm një kohë sikundër ishte kjo e pasluftës – një kohë e përpjekjeve, e tendosjeve trupore e shpirtërore dhe e synimeve tona të mëdha; kjo është një punë madhore, që duket se e kalon masën e njeriut të rëndomtë.
Çdo punë e madhe, e bërë në kohë vendimtare, që, rëndom, shkakton tendosje ashtu të mëdha trupore dhe shpirtërore, e ka edhe çmimin e madh.
Këtë çmim Ali Hadri e ka paguar me jetën e vet.
Puna e pandërprerë që ka bërë në disa fusha, por gjithnjë në shërbim të historisë shqiptare si dije dhe të kulturës pa të cilën nuk mund të paramendohet ngritja e saj, i ka sjellë atij shumë nam, shumë miq, dhe shumë nderim të përjetshëm. Emri i tij kaherë e ka kaluar hapësirën e Kosovës; miq edhe nderues ai kishte dhe ka në krejt Jugosllavinë, në krejt Ballkanin dhe në të gjitha ato vende ku sot studiohen historia, gjuha dhe letërsia e popullit shqiptar. Dhe, si të mos ketë ai aq shumë miq?
Ali Hadri ishte historian i popullit shqiptar, por Ali Hadri e thoshte, me plot të drejtë, se ishte historian, i cili dashurinë ndaj popullit të vet e quante të pandarë nga nderimi për të gjithë popujt e tjerë. Nderimi për të gjithë ishte, ashtu, masa e domosdoshme e humanizmit të tij.
Është ironi e fatit, prandaj, pse kjo fjalë nderimi për punën dhe emrin e Ali Hadrit sot duhet të thuhet vetëm këtu, vetëm para anëtarëve të kësaj Akademie dhe në një dhomë kaq të vogël. Është ironi e fatit, prandaj, pse institucionet ku ka lënë krejt prirjen dhe krejt jetën e vet – Instituti i Historisë dhe Fakulteti Filozofik sot as s’ia bëjnë nderimin e fundit, as nuk kanë lëshuar sallat që në to t’ia bëjmë ne nderimin e fundit- sepse ashtu janë të urdhëruara prej pushtetit!
Thashë se puna prej historiani të parë të popullit shqiptar i ka sjellë Ali Hadrit shumë nam e shumë miq, por s’e thashë se kjo punë i ka sjellë Ali Hadrit edhe shumë dëshpërime. Jeta e tij prej dijetari në atë mënyrë është bërë një jetë më e plotë, në të vërtetë një jetë në të cilën janë pirë gotat e mjaltit dhe gotat e helmit. Pse i ka provuar, pas gëzimeve që sjell nami, edhe dëshpërimet që sjellin sulmet publike, nuk kemi arsye ta ankojmë sot. Jo. Duhet ta ankojmë pse vepra e tij është ndaluar pa iu nënshtruar kritikës shkencore, prandaj edhe pa argumentet shkencore: me të ashtuquajturin “argumentin” e fuqisë.
Duhet të jemi të pikëlluar pse vepra e tij shkencore sot për sot është mohuar për shkaqe politike, me qëllim që të ndalohen edhe të vërtetat shkencore të historisë shqiptare, të afirmuara përmes veprave të tij.
Duhet të jemi të pikëlluar pse ana e dëshpërimeve i është rënduar shumë pikërisht atëherë kur krijuesve të mëdhenj, zakonisht, u vijnë njohjet dhe paqja: në vitet e fundit të jetës, madje deri para vdekjes.
Duhet të jemi të pikëlluar pse pikërisht vitet e fundit të jetës i takoi t’i kalojë në një kohë tepër të vrazhdë kur gota e helmit ishte posaçërisht e madhe, kur konsideratat, nderimi për punën e bërë, mirësjellja, mendimi humanist i shkencës janë tërhequr para turrit të pasioneve, të fyerjeve dhe të përpjekjeve për asgjësimin e dinjitetit të njeriut dhe të shkencëtarit. Kjo kohë do ta rëndojë aq më tepër jo vetëm pse ishte posaçërisht e rëndë për të, por pse ishte e rëndë për ne të gjithë. Kjo kohë tepër e vrazhdë ishte aq më e rëndë për të sepse edhe disa nga shokët, miqtë dhe kolegët e tij u larguan prej tij dhe e lanë gati vetëm. Duke menduar vetëm për veten, ne, të gjithë, nuk kemi menduar sa duhet për të; duke e menduar karrierën vetjake, nuk kemi menduar se çfarë dëshpërimesh e dhembjesh mund t’i sjellë veçimi; duke menduar vetëm për mirëqenien tonë s’ia kemi drejtuar shikimin edhe shpirtit të tij. Studiuesit e ardhshëm të jetës dhe të veprës së tij do të kuptojnë se vjetëve të fundit Ali Hadri ishte i dëshpëruar rëndë, por do të doja të më besojnë se këtë dëshpërim e duronte me krenarinë e banorëve të lashtë të Olimpit.
Kam drojën mos vdekja e tij e parakohshme do të shikohet dikur si dënim që u është çuar ndërgjegjes sonë dhe shkencës sonë për mungesën etike intelektuale të atyre që sot quhen krijues të saj. Kam drojën mos brezat e ardhshëm do të na akuzojnë edhe ne, kolegët e tij, se vdekjen e tij të parakohshme e kemi bërë aq më tronditëse me moskujdesin, egoizmin dhe servilizmin tonë politik.
Duke e shikuar të shtrirë në shtrat, kam parë se si njeriu bie me trup, por, njëkohësisht, kam parë se si njeriu ngrihet, bëhet vërtet i madh me moral e me shpirt. Ashtu si ai në ato çaste para vdekjes, mund të sillet vetëm njeriu që beson në veprën e vet, që beson në pavdekësinë e vet.
Le të jetë kjo e vërtetë ngushëllim për familjen e tij, për nxënësit dhe studentët e tij, për të gjithë ata që e kanë dashur!
Le ta përcjellë falënderimi ynë për të gjitha ato që ka bërë në përpjekjet tona qytetëruese e liridashëse!
Lavdi historianit që është bërë edhe vetë histori: histori e madhe, e çmuar dhe e paharruar!
Rexhep Qosja

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 02/12/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk