Anekdota strategjike

17
Nov
2024
Shkruan: Beqir Elshani

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

1. BUKURESHTI

A e dini që emri i kryeqytetit të Rumanisë vjen prej fjalës shqipe ‘bukur’? – e hapi bisedën profesori i filozofisë.

Vërtet emrin e ka të bukur, ama biberonin e ka të Beogradit, – ia kthyen të pranishmit.

2. STRATEGJIA

Cili prej tyre është më i rrezikshëm, Parimi që thotë të vërtetën, apo Zani që gënjen? – e pyeti drejtori shefin në zyre.

Dihet, Parimi­… – e miratoi shefi.

3. QYTETI I DIPLOMAVE

Cili qytet të pëlqen më së shumti? – e pyeti një grua kolegen e punës.

Më pëlqen Elbasani, atje burri im ka diplomuar brenda javës, – u përgjigj gruaja.

Mua më pëlqen Shkodra, ime bijë me anën e facebookut brenda ditës ka doktoruar, – tregoi e para.

4. PËR STUHINË

Mësues, a i luten kafshët zotit, sikur njerëzit që po luten për ndaljen e stuhisë me shi e rrufe dhe për shuarjen e zjarrit në pyje? – e pyetën nxënësit mësuesin në klasë.

Jo, të nderuar nxënës, kafshët më mirë se ne i njohin ligjet e natyrës, prandaj nuk i luten zotit, secila kafshë di të gjendet në natyrë, – tregoi babai.

Ua kemi lakmi, mësues, më mirë njohja e ligjeve të natyrës se nënshtrimi dogmatik, – thanë njëzëri nxënësit.

5. VDEKJA METAFORIKE

Baba, ku është dallimi në mes “vdekjes” së kalit dhe “ngordhjes” së tradhtarit? – e pyeti i biri babain.

Dallimi është se kali nderohet për punën që ka bërë, ndërsa tradhtari fyhet për dëmin që i ka sjellë atdheut, – tregoi babai.

6. BISEDË ME QENTË

Ju qenë, shumë po lehni, prandaj ujqit po ikën prej zhurmës suaj, – i qortoi fshatari.

Po ikën, sepse frikohen prej nesh, ne jemi të lidhur dhe mbrohemi prej tyre, – thanë qentë.

Jo, ata nuk tremben dot prej jush, por nuk e durojnë zhurmën tuaj monotone, – tha fshatari.

7. HESHTJA

Besimi është politikan i zoti, – tha një deputet.

Ku e sheh zotësinë politike të Besimit, kurrë në mbledhje nuk flet? – ndërhyri deputeti tjetër.

Vërtet nuk flet, mirëpo zemërimin e shpreh me grushte e me klithma, – tregoi deputeti i parë.

8. FUSTANI

A e di që fustani i moderatores kushton hiq më pak se 2000 euro? – tha një grua.

Çudi, më shtrenjtë fustani i moderatores se lopa holandeze, – u habit tjetra.

9. ”AMAZONA”

Një burrë e shikoi fotografinë e së dashurës me njërën sisë të zbuluar, prandaj i shkroi:

M’u ngri zemra prej frikës, kur të pashë me një sisë, mendova mos të ka mbetur në sallën e kirurgjisë.

10. MARTESA FETARE

I dashur, a do ta martojmë çikën? – iu drejtua gruaja burrit.

Jo, e dashur, ende asht fëmijë, – kundërshtoi burri.

Çikës i kanë ardh teshat, e ti po thue fëmijë… – tha gruaja mendjelehtë.

Paske lujt mendsh sikur Igballja, – e qortoi bashkëshorti.

11. LUANI

Qysh mund të dalloj Luanin sipas emrit nëse është njeri apo kafshë? – e pyeti vajza plakën.

Nëse i ka dy këmbë bisedo, nëse i ka katër … largohu, – e këshilloi plaka.

12. LAPSI DHE PASQYRA

Cilat vajza të pëlqejnë më së shumti, vajzat e lapsit apo të pasqyrës? – e pyeti njëri psikologun,

Mbase vajzat e pasqyrës janë më të pasura, mirëpo vajzat e lapsit janë më të zgjuara, – u përgjigj psikologu.

13. BARESHA

Në kohën time ka pasur shumë barinj e baresha, kurse princat dhe princeshat numëroheshin në gishta, – tregoi gjyshja 80-vjeçare.

Sot është e kundërta, më shumë ka princër e princesha se barinj e baresha, – shtoi nipi.

14. GRUAJA ME KËNAÇE

A më shumë gjen kënaçe apo hekura? – e pyeti gazetari gruan e varfër duke mbledhur kënaçe.

Më shumë gjej lapsa e fletore, se kënaçe… – gruaja e varfër.

Këtu po shihet, pse nxënësit janë të dobët në mësime, – tha gazetari.

15. ZGJEDHJET

A beson që sipas deklaratës së ish-kryeministrit se Kosova në zgjedhjet e ardhshme do të ketë një qeveri të re pa Vetëvendosjen? – e pyeti gazetari analistin.

Nostalgjia e ish-kryeministrit është e zjarrtë, megjithatë fitorja do të jetë e Vetëvendosjes, – tha analisti.

16. KOMPLEKSI

Dajë, zor se do të fitosh në zgjedhje, po përshëndetesh me grusht si Enver Hoxha, – e qortoi daja nipin.

Jo si Enver Hoxha, por si Donald Trumpi po përshëndetem, – ia ktheu kandidati për zgjedhje.

17. MONOGAMIA

Si quhet martesa e burrit me një grua, me dy gra dhe me shumë gra? – e pyeti arsimtari i sociologjisë studentin.

E para, siç jam unë i martuar me një grua – quhet monogami, e dyta, siç është i martuar baca me dy gra – quhet bigami, ndërsa e treta, siç po martohen burrat në Afganistan – quhet poligami, – u përgjigj studenti.

18. POLIANDRIA

Poliandria është e kundërta e poligamisë me shumë gra, në të cilën gruaja martohet me shumë burra, – tregoi arsimtari.

Cila prej tyre është më fisnike, poligamia apo poliandria? – vazhdoi të pyes gazetari.

Nuk ka fisnikëri këtu, të dyja janë veprime të këqija që i përkasin kohës primitive, – u përgjigj profesori.

19. MJEKËSIA

Në pyetjen e gazetarit se a më shumë mjekë ka Suedia apo Kosova, ministri i shëndetësisë së Kosovës përgjigjet:

Suedia ka më shumë mjekë, kurse Kosova ka më shumë doktorë.

20. KËSHILLA

Ku shkon, bir? – pyeti e ëma të birin.

Po shkoj në kafene të pi kafe me shokë.

Kujdes, bir, mos i shiko njerëzit shtrembër se të zë taksirati! – i tha e ëma.

Suedi, 18 nëntor 2024

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 17/11/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk