Figura të shquara shqiptarësh të lënë në harresë
Angelika Pali (Angelica Palli, 1798 – 1875) ishte një shkrimtare italiane me prejardhje arbërore nga Epiri, Janina e Çamërisë. Ajo ishte poete, dramaturge, autore romanesh në frymën romantike, përkthyese dhe veprimtare e shquar për të drejtat e grave, një feministe e përkushtuar. Salloni i saj letrar tërhoqi intelektualët më të shquar të kohës.
Angelika ishte vajza e një tregtari të pasur nga Epiri, lindi në Livorno të Toskanës dhe u rrit në komunitetin arbëresh atje. Fliste shqip, greqisht, frëngjisht dhe italisht. Shkroi tragjedi, drama, tregime, romane romantike dhe poema. Në 1851 botoi një ese feministe që synonte nënat e reja (Discorso di una donna alle giovani maritote del suo paese). Një nga temat në veprën e saj ishte lufta për pavarësinë e Greqisë nga sundimi i Pernadorisë Osmane.
Angelika u martua me politikanin italian, Giampaolo Bartolomei, dhe pas kësaj martese Angjelika e mbajti edhe mbiemrin e burrit të saj.
Lindi nga prindër me prejardhje shqiptare; babai i saj Panajoti vinte nga Janina e Epirit, që në moshën njëzetvjeçare e kishte lënë qytetin e tij për t’u transferuar në Livorno, një qytet port në zhvillim të madh, për të ndërmarrë veprimtari tregtare. Nëna e saj, Dorothea ishte një arvanitase nga Lakedamonia e Moresë.
E ardhur nga një familje e pasur, ajo studioi me mësues të njohur në mjedisin Leghorn si De Coureil dhe filloi të improvizonte vargje që nga mosha rinore.
Angelika përktheu në italishte veprat e Uilliam Shekspirit, Viktor Hugos dhe të poetëve francezë e grekë*.
Salloni i saj letrar tërhoqi intelektualë të shquar të kohës, duke përfshirë Ugo Foscolo, Lord Bajron, Alessandro Manzoni, Andreas Kalvos, Alphonse de Lamartine, Giovanni Battista Niccolini, Giuseppe Mazzini dhe Firmin Didot etj.
Për herë të parë opinionin lexues shqiptar për këtë figurë të shquar e ka njoftuar studiuesi i shquar shqiptar nga Çamëria, i cili jeton dhe krijon në Gjermani, Niko Stillo, në vitin 2009.
Figura e shquar e kësaj femre shqiptare do të duhej të zinte vend të rëndësishëm në historinë e kulturës dhe letërsisë shqiptare të shekullit nëntëmbëdhjetë, sidomos me krijimet e saj letrare dhe përkthimet e mrekullueshme, por deri më sot ka mbetur në harresë dhe gati e panjohur për lexuesit dhe opinionin shqiptar.
(23. 10. 2023)
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!