tregim
Pisk i vapës, qetësi. Zukasin mizat, duke vezulluar tufa-tufa në ajrin e ndezur flakë. Kalimtarët e rrallë çapitin në rripin e ngushtë të hijes, që lëshonin muret e shtëpive të vogla ngjyrë gri, koteshin rreth sheshit të fshatit Kavado në provincën Santandër. Ky fshat ngjante me shumë e shumë fshatra spanjollë e baskë. Dikur, kur vishej me rroba kombëtare, ai, me siguri, ish më i bukur, po edhe tani kish aq bukuri spanjolle, diell të ndritshëm e vizatoheshin qartë konturet e maleve dhe siluetat e njerëzve të zeshkët.
Brenda në një shtëpi, përveç zukatjes së mizave, dëgjohej një gumëzhitje monotone. Atje ishte shkolla. Nga brenda ajo ngjante me çdo shkollë tjetër në botë. Muret e ngrysur e të trishtuar – guaska e shkollës – nuk kanë për të ndryshuar, derisa vetë shoqëria të flakë tej guaskën e saj të vjetër. Banga të ulëta të vendosura në një vijë të drejtë, mbi to kokë fëmijësh me flokë të errët (sfera të zeza mbi katrorë të zinj), dhe në mes, si gjiganti ndërmjet liliputëve, qëndron në këmbë mësuesi i shkollës.
Si edhe të gjithë kolegët e tij në të gjithë globin, ai duhej të bënte mrekulli dijenish e durimi, për të tërhequr vëmendjen e tridhjetë fëmijëve dhe të fuste në mendjet e tyre një pjesë të vogël të njohurive mbi realitetin e gjallë të botës së madhe.
Mësuesin e shkollës së fshatit Kavado e quanin Boldomero Sori. Ai ish i qetë, i thjeshtë dhe i mirë. Të gjithë thoshin: “Shumë i ndërgjegjshëm”. Në botën e ngushtë të fshatit përpikëria e tij ish bërë proverbiale. Sikur të qëllonte ndonjëherë të vonohej në mësim, njerëzit do të thoshin: “Me sa duket, na është prishur sahati”.
Në pikëpamjet e tij kish aq ndershmëri të pastër, sa edhe në gjithë jetën e tij; prandaj bindjet e mësuesit Baldomero nuk u pëlqenin të gjithëve, sidomos pikëpamjet e tij për solidaritetin dhe bashkëpunimin njerëzor. Ndonjë thoshte për të: “Ai është i kuq!” Por edhe ata që thellë në shpirt, në atë shpirtin e tyre prej skllavi të shtypur, çuditeshin se si mund të jesh “i kuq” dhe njëkohësisht i ndershëm, padashur e respektonin Balmero Sorin.
Një qëndrim krejt të ndryshëm mbanin ndaj tij dy figura drejtuese të fshatit, që mbanin raso të zezë, famullitari dhe vikari i tij. Të dy e urrenin mësuesin e shkollës për bindjet e tij satanike për lirinë dhe mirëqenien shoqërore, për më tepër e urrenin ngaqë Baldomeri ishte njeri pa njolla.
Prifti dhe vikari kishin organizuar në shkollë mbikëqyrjen, duke e ditur se shkolla është punishte ku formohet mendimi i brezit të ri, se ajo duhet mbajtur fort në duar, në qoftë se nuk do të të shpëtojë nga duart e ardhmja.
Jo shumë vite më parë, në Spanjë na ishte një njeri me emrin Francisko Ferrera, që kërkonte të çlironte shkollën nga hija e varrit të kishës, duke ia lënë përgjysmë thirrjen e tij të fundit përpara vdekjes, që shprehte gjithë kuptimin e jetës së tij: “Rroftë shkolla!”
Pas kësaj fitoreje, kleri spanjoll u sul me egërsi kundër shkollës, duke pasur edhe përkrahjen e dinastisë mbretërore (galeria e portreteve të saj përbënte koleksionin më të pasur të të degjeneruarve të poshtër të epokave të ndryshme), ndërsa më vonë edhe përkrahjen plot zell të diktaturës fashiste. Atje ku sundojnë ushtarakët, sundojnë edhe priftërinjtë. Dhe të gjithë këta zotërinj me forca të bashkuara të kujtojnë kohët e inkuizicionit. Ç’është e vërteta, gojëtarët e shkathtë, që përpiqeshin të bindnin popullin spanjoll se për shkak të ligjit të pakundërshtueshëm të progresit ai çdo ditë e më tepër do të bëhej më i lumtur dhe më i lirë, duhej të zotëronin një zhdërvjelltësi të jashtëzakonshme për të pasur sukses në këtë komedi të gjysmuar.
Pra, famullitari dhe vikari, hija e tij, e urrenin mësuesin e sinqertë dhe “tepër të pavarur” armik ky dyfish i rrezikshëm për ta, sepse gëzonte respektin e të gjithëve. Por as në qëndrimin e tij, as në fjalët e tij ata nuk shihnin ndonjë komplot të hapur dhe për t’ qëruar hesapet me të, vendosën t’i thurin intrigë.
Në Spanjën e shumëvuajtur priftërinjtë kishin të drejtë të hynin në shkollë për të vëzhguar mësuesin dhe nxënësit.
Atë ditë, për të cilën dua t’ju tregoj, në kohën e mësimit, dera e shkollës u hap papritur dhe në prag u dukën dy figura të zeza. Ata u futën në klasën e rënë në qetësi, u ulën dhe nisën të dëgjojnë.
Sori, pa u turbulluar, vazhdoi i qetë mësimin. Në bankë ishte ngritur në këmbë Huanitua i vogël. I trembur nga ardhja e priftërinjve, apo nga që nuk e dëgjoi mirë shpjegimin e mësuesit, ai murmuriste i humbur:
– Drejtësi… barazi… barazi…
Prifti kërceu nga vendi dhe duke iu drejtuar fëmijës, thirri me zë të lartë:
– Ç’është kjo?
Huanito, i tromakosur, u ngatërrua më keq, e mbylli gojën fare dhe heshti. Ruisi katërmbëdhjetëvjeçar, nxënës më i mirë i shkollës, mendoi të tregonte se ai e kish dëgjuar mësuesin me vëmendje dhe i kish kuptuar të gjitha. Ai ngritit dorën dhe si u ngrit në këmbë, shqiptoi qartë:
– Zotëri Kyré, të gjithë njerëzit janë të barabartë.
– Nuk është e vërtetë! – klithi njeriu me raso të zezë dhe iu hodh Ruisit, duke tundur grushtin para fytyrës së tij.
– Nuk është e vërtetë! Kjo është në kundërshtim me mësimet e kishës së shenjtë. Për barazinë e njerëzve nuk bëhet asnjë fjalë në librat e shenjta. Ndërsa apostulli i shenjtë Pavel ka shpallur në emër të perëndisë se njerëzit kanë qenë, janë dhe do të jenë për jetë të jetëve të pabarabartë.
Prifti klithte aq fort, sa nga mundimi i kërcyen damarët në tëmbla, buzët ju mbushën me flluska pështyme; vikari, në heshtje tmerri, lutej me duar të drejtuara nga qielli.
Mësuesi ju afrua dhe me zë të qetë e të fortë, i tha:
– Më lejoni, zotëri Kyr!
– Çfarë t’ju lejoj? Çfarë? – ulëriti prifti. – T’ju lejoj të përhapni gënjeshtra? T’u zgjoni iluzione fëmijëve të paarsyeshëm? Si guxoni të flisni për barazi? Ju përhapni mësime të rreme, që fyejnë perëndinë tonë! A e kuptoni këtë? Fëmijë, dëgjomëni me vëmendje! Mësuesi juaj ju ka gënjyer!
– Heshtni! – tha mësuesi dhe u zbeh në fytyrë. Ai e vështronte drejt në sy priftin, kurse duart i dridheshin. Por Kyre ulëriu me ton të dëshpëruar:
– Ju gënjeni! Gënjeni! Edhe fëmijët i mësoni të gënjejnë. Ju shpifni për kishën e shenjtë!… Drejtësi!… Pa më thoni, nga e gjetët ju drejtësinë! Të krishterëve nuk u lejohet të flasin për drejtësinë. Kjo nuk u takon. Një drejtësi ka në botë – t’i bindemi vullnetit të perëndisë. I krishteri duhet të flasë vetëm për besim dhe dashuri.
Dhe fjalën “dashuri” ai e përplasi në fytyrën e mësuesit me aq urrejtje të tërbuar, sa Baldomero Sori u praps dhe i zbehtë vështroi priftin me sytë e shqyer. Fëmijët kërcyen përpjetë dhe vinin rrotull të trembur. Mësuesi, duke e parë se po e merrnin më qafë, thirri:
– I poshtër!
Sa i doli kjo fjalë nga goja, vikari ju hodh mësuesit, e mbërtheu nga duart, kurse Kyre u mat ta qëllonte. Por me sa dukej, vikari nuk e mbante mësuesin fort: ushtuan njëri pas tjetrit dy të shtëna. Kyre u platit në dysheme dhe s’luajti më nga vendi; edhe vikari ra dhe po përpëlitej.
Mësuesi e mblodhi veten, vështroi përreth me një shikim të egër, qëlloi për të tretën herë dhe ra i vdekur pranë këtyre njerëzve.
Kështu vdiq më 1926 në këtë vend të madh mësuesi i shkollës, që guxoi t’u flasë fëmijëve për drejtësinë.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!