ARBASANI, JO SLLAVOSANI, SERBOSANI APO GREKOSANI

26
Jan
2023

Shkruan: Dr.Prof. Abdulla Mehmeti
Kundërpropagandë
Ky shkrim publikohet për opinionin lexues, studiuesit e ri të historisë dhe të tjerë, për t’i kundërshtuar tezat joshkencore, shoviniste dhe armiqësore kundër popullit shqiptar dhe autoktonisë së tij në Maqedoni, si kundërpërgjigje edhe ndaj qarqeve pseudoshkencore, shoviniste dhe raciste, të tipit të autorëve të “Enciklopedisë Maqedonase” (2009) nga (Pseudo) Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë, të cilët kanë sajuar teza të rrejshme dhe kanë përhapur propagandë të njëjtë sikurse më herët Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, kinse shqiptarët nuk janë autoktonë në këto hapësira, “kanë zbritur nga malet pas shekullit të 17-të dhe ua kanë pushtuar tokat dhe vendbanimet banorëve vendës sllavë” (sipas tyre), se “shqiptarët e kanë prejardhjen prej romëve dhe çerkezëve”, “janë prodhim dhe mbetje të Perandorisë Osmane” dhe marrëzi të tjera të këtij lloji.
Sikur të ishte për së afërmi (qoftë edhe në ëndërr) kështu siç kanë propaganduar me dekada këta “gjeni të shkencës dhe të historisë”, vendbanimi antik me emrin Arbasani (si edhe shumë të tjerë në Maqedoni dhe gjithë hapësirën e Gadishullit Ilirik), ky vendbanim nga periudha antike nuk do ta kishte emrin në gjuhën shqipe, por do të quhej, sipas “banorëve vendës sllavë”: Sllavosani, Makedosani, Serbosani, Grekosani, Turkosani, Bullgarosani, apo me emër tjetër të ngjashëm, jo kështu siç e ka pasur emrin shekuj me radhë në gjuhën shqipe: ARBASANI.
(26 janar 2023)
——————————————————————————–
Shpalime historie
KATUNDI I LASHTË SHQIPTAR ARBASANI NË MAQEDONINË LINDORE
Shpjegime hyrëse
1. Vendbanimet e lashta shqiptare, pas dëbimit të banorëve autoktonë nga regjimet e huaja okupatore, gjatë dy shekujve të fundit të kolonizuara me banorë sllavë, sot të zbrazura plotësisht.
2. Përderisa studiuesit eminentë, vendës dhe të huaj, kanë thënë se, emri Arbasan rrjedh nga etnonimi mesjetar i shqiptarëve, Arbër-Arbanë (nga të huajit: Arbanasi, Albani, Albanci, Arvaniti, Arnauti etj.), historiografia zyrtare dhe disa studiuesit nga Maqedonia vazhdojnë edhe sot të thonë se Arbasani është një vendbanim i lashtë sllav (maqedonas ortodoks).
3. Afër katundit Arbasani ndodhet lokaliteti arkeologjik “te Kisha” – një kishë mesjetare dhe nekropol. Menjëherë pranë fshatit nga ana verilindore shihen mbetjet e mureve të një kishe, të ruajtur deri në 2 metra lartësi, mbi të cilat dallohen gjurmë pikture. Rreth kishës ka varre të ndërtuara me pllaka guri, që janë karakteristikë e varrezave ilire.
4. Lokaliteti arkeologjik “Keramidnica” — vendbanim dhe nekropol nga antikiteti i vonshëm. Një kilometër në perëndim të katundit Arbasan, në tokat e një kooperativës janë gjetur fragmente enësh qeramike dhe materiale ndërtimi. Këtu është gjetur (gërmuar) fragmenti i një shtylle mermeri, që i përket antikës së vonshme.
5. Analogji etimologjike: Arbasan – Elbasan; Arba-san, Alba-san, Elba-san.
* * *
ARBASANI
Arbasani (maqedonisht: Арбасанци, lexo: Arbasanci) – katund në rajonin e Ovçe Poles (Shqip: Fusha e Dhenve), në Komunën e Shën Nikollës, afër qytetit të Shën Nikollës.
Gjeografia dhe vendndodhja
Katundi ndodhet në rajonin e Ovçe Poles, në skajin lindor të territorit të Komunës së Shën Nikollës (Sveti Nikolla) dhe me një kufi të vogël e prek zonën e Komunës së Probishtipit. Fshati është kodrinor, në një lartësi prej 490 metra. Nga qyteti i Shën Nikollës është më shumë se 15 kilometra largësi.
Katundi ndodhet në afërsi të Stanulovcit në jug dhe katundit Burilovë në jugperëndim. Në perëndim të fshatit shtrihet një pllajë në lartësinë prej 450 metra, e cila është e tokë e punueshme. Në lindje të shtëpive të fshatit ngrihet toka e përbërë nga shkrepave eruptivë, e cila është e mbuluar me pyje dhe kullota. Në katund kishte tre burime, të cilat ishin ndërtuar në kroje, të cilët quheshin Stara çeshma (Kroi i vjetër), Çumçe dhe Vishna. Më tej nga katundi janë burimet më të vogla, Mllaka dhe Dimiskin.
Fshati ka një tërësi kompakte dhe është i zgjatur në drejtimin veriperëndim-juglindje. Dallohen Mëhalla e Epërme dhe Mëhalla e Poshtme (maqedonisht: Gorno dhe Dolno Maalo).
Katundi pothuajse nuk lidhet me asnjë rrugë moderne, lidhet vetëm përmes një rruge të vjetër tokësore përmes fushave.
Historia
Arbasani është një vendbanim (katund) i vjetër, i cili ka qenë gjithmonë aty ku ndodhet edhe sot. I vjetër është edhe emri i tij, prejardhjen e të cilit vendasit (banorët e sotëm) nuk e dinë. Në katund janë ruajtur vetëm emrat e familjeve të lashta maqedonase, që nuk dihet saktë kur kanë ardhur në këtë katund, i cili në lashtësi ka qenë i banuar me shqiptarë autoktonë.
Nga burimet e shkruara dihet se sebastokratori* Dejan ia ka dorëzuar katundin në pronësi të manastirit “Shën Mëria” në Arkhiljevic, ndërsa perandori Dushan e konfirmoi të njëjtën gjë në vitin 1355. Megjithatë, disa studiues besojnë se këtu bëhet fjalë për katundin Arbanasi në rrethinën e Kumanovës, jo për katundin Arbasani.
Në shekullin e 19-të, Arbasani ishte pjesë e Kazasë së Shtipit në Perandorinë Osmane.
Ekonomia
Territori i katundit Arbasan nuk është shumë i madh, ka një sipërfaqe prej 6.4 km2. Dominohet nga kullotat në një sipërfaqe prej 442,1 hektarësh, 185 hektarë janë tokë e punueshme dhe vetëm 9,2 hektarë janë pyje.
Fshati në thelb ka një funksion bujqësor dhe blegtoral
Gjatë periudhës osmane, në Arbasan e kishte çifligun e tij njëfarë Haxhi Memeti nga Shtipi, ndërsa pjesa tjetër e tokës ishte e fshatarëve. Rreth vitit 1910 Haxhi Memeti e shiti çifligun dhe vendasit i blenë arat edhe në atarin e katundit fqinj Burrilovë (Burilovci).
Popullsia
Katundi është i vogël dhe në vitin 1961 kishte gjithsej 163 banorë, kurse në vitin 1994 vetëm katër banorë, popullsi maqedonase. Sipas regjistrimit të vitit 2002, në fshatin Arbasan jetonte vetëm 1 banor maqedonas.
Arbasani në dekadat e fundit ishte një fshat i pastër ortodoks maqedonas. Sipas burimeve historike edhe për vendbanimet tjera të këtij rajoni, dëbimi i banorëve vendës shqiptarë ka ndodhur disa herë, më 1978, 1913 dhe më i fundit gjatë sunimit të Mbretërisë Jugosllave (regjimit serb), duke sjellë kolonë të ri sllavë në këtë rajon, mes viteve 1930 – 1940.
Sipas hulumtimeve të Jovan Trifunoskit, në vitin 1957/58, familjet në fshat janë vendase*:Tuklerci (2 shtëpi), Zonevci (6 shtëpi), Veselinovci (1 shtëpi), Trenchevci (4 shtëpi), Tripçevci (3 shtëpi), Brdarci (2 shtëpi), Ançevci (4 shtëpi), Ançevci (4 shtëpi). ) dhe Temelkovci (1 shtëpi), të gjitha familjet, sipas Trifunovskit, janë autoktone, tre familjet e para vijnë nga i njëjti paraardhës.
Kolonët: Shopovci* (2 shtëpi), nuk e dinë saktësisht se nga kanë ardhur, por sipas emrit mund të supozohet se janë nga rrethina e Krivopallankës apo Kratovës.
* Shopët janë banorët e lashtë (ilirë të Trakisë veriperëndimore), të asimiluar më vonë në sllavë (bullgarë, serbë, maqedonas), në rajonin e Moravës së Poshtme, mes Serbisë dhe Bullgarisë së sotme.
** Katundi Arbasani ka mundësi të jetë quajtur Arbanasi (Arba-sani/nasi), por nuk kemi arritur të sigurojmë burime të besueshme për këtë.
(25 janar 2023)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 26/01/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk