ASTRIT SULI – LEGJENDA QË S’VDES

27
May
2025
Autori: Genc Sefa – Lushnja

(Cikël poetik për Dëshmorin e Atdheut,
nga Luzaj i Beratit – Astrit Hekuran Suli)

Pjesa I – Legjenda që s’vdes
Kur shkrepi rrufeja mbi shpat të Tomorrit,
Kur u drodh gjithë fusha si prej meteorit,
Lindi një djalë me flakë në gji –
Me emrin Astrit, si rrufe për liri.

Në djep të lisit, ku ninullat janë kushtrim,
U rrit me këngët që s’flenë në agim;
Nga fisi i Sulajve, burrë i një flamuri –
Me gjakun e vet mbrojti nderin e truallit.-

Punonte ditë e natë – me shpirt të përvëluar,
Në gurët e mërgimit, me mall të pashuar;
Por, kur pa në ekran plagën e Kosovës,
U ngrit si stuhi – biri i Sulovës!

Në mes të lokalit, fjalët s’mund t’i kapërdijë,
Kur u tallën me gjakun e fisit të tij,
Ai s’u përkul – por grushtin e ngriti,
Si rrufeja mbi male, fuqishëm goditi!

Në Burrel me shokët, si ujë mali i kthjellët,
Stërvitej si shqiponjë – me trup zhdërvjellët.
“Jam mirë,” – shkroi ai, – “por zemra s’më rri e qetë,
Se liria s’vjen me fjalë – por me gjak të vërtetë.”

Në Gorozhup të lavdisë, mes lisash e rreze,
Ku shpërtheu kufiri si një dritë rrufeje,
Ai rendi pa trembje – me pushkë e me besë,
Në vatrën e flakës, në ballë të epopesë.

Kur bubulloi mali, gjëmoi dhe lugina,
Në vijën e zjarrit, u hodh si vetëtima.
Plumbi e gjeti ku thyhej ai kufi –
Ra si një lis, por s’u tret në përjetësi.

E varrosën shokët në tokë të lirisë,
Me armën në gjoks dhe Flamur në ballë;
Në zemrën e malit, me këngë trimërie,
Ku gjaku i tij u bë kushtrim i gjallë.

Në një epitaf, si amanet shenjtërie,
Shënuan emrin – një yll në përjetësi;
Në malet e lirisë, në gur të historisë,
U gdhend kujtimi me nder e dhimbshuri.

Në Landovicë e pa dritën e parë,
Por zemra s’i fjeti në gurin e tharë;
Nga Prizreni i lavdisë në Luzaj u kthye –
Aty ku “Nënë” thiri me mall e shpirt të vrarë.

Në Luzaj pushon, por fjala s’e tret –
Në çdo lis e krua rri zëri i vërtetë.
Në rrëfim të babait, nën dritën e hënës,
Astriti rron – si hyjni në lotin e nënës.

Pjesa II – Amaneti i Astritit
(Epilog mbi varrin e një trimi)

Unë jam zëri i malit, zjarri që s’u shua –
Frymë e kësaj toke, kur liria gjëmon.
O ti që kalon pranë këtij varri të qetë –
Mos hesht! Se ky dhe flet me gjuhën tonë.

Mos qaj! Se s’jam i vdekur – jam zë që s’harrohet,
Jam zjarri që digjet, por kurrë nuk shterohet.
Nga ky trup i rënë u ngjiz një betim –
Që s’e prek as vdekja – është flamur në amshim.

Nga ky dhe i heshtur flet shpirti i burrit:
S’ka liri pa lot, as pa mallin e flamurit.
Mbaji gjallë legjendat, me zemrën që tretet –
Se jam zë që s’vdes, jam dhe mbja që mbetet.

Prandaj, o bir i tokës – ec me ballin nalt!
Mos harro gjakun – liria s’është falë.
Unë jam në gur, në erë, në çdo trokitje zalli –
Jam ai që s’vdes, por ngrihet në majë mali!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Ish-ushtarak, bashkëluftëtar i Heroit
në “Operacionin Shigjeta” në UÇK .
Vazhdues i amanetit në UÇPMB
dhe në Lagjen e Trimave në Kumanovë.
I robëruar në emër të Atdhedashurisë

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 27/05/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk