ATJE PO SHKOJMË

10
Nov
2024
Shkruan: Avni Dehari

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

(Me rastin e kthimit nga mërgimi).

Po shkojmë Albanë, po shkojmë
Në Dardani, pranvera ime,
Në tokën tonë, që etja për liri
E ka plasaritur, e ka çarë,
Atje ku ti kurrë nuk ke shkelur,
E unë 19 vjet, shekuj për mua,
Veç ëndërr e kam parë!

Po ndahemi Xhemile, po ndahemi…
Për një vit, gruaja ime e shtrenjtë,
Që të jemi prapë bashkë
Në Dardaninë tonë të shenjtë!

Po ndahemi Arbënor, po ndahemi,
Arbënori im i urtë, biri im i mirë,
Që pas një viti të përqafohemi,
Në Dardaninë tonë të lirë!

Po ndahemi Astrit, po ndahemi,
O syrrushi im, i mirë shumë…,
Do ta kujtoj bisedën e mbrëmjeve,
Para se të merrte i ëmbli gjumë:
“Astrit, shumë, shumë të dua!”
“Babi, unë ty edhe një herë më shumë!”.

Po shkojmë, o atje, atje po shkojmë,
Të dashurit, të mirët e mi,
Atje, në Dardani, po shkojmë
Në vendin tonë, si njerëz, në liri!

(Avni Dehari, Berne, 1999).

Atje po shkojmë

Kjo poezi prekëse i kushtohet thellësisht familjes, duke shprehur gëzimin dhe lumturinë e autorit që, pas 19 vitesh jetese në mërgim, kthehet në Kosovën e tij të dashur. Me vargje të mbushura plot me dashuri dhe hare për njerëzit e tij të afërt, kuptojmë se autori dhe bashkëshortja e tij kishin vendosur të ktheheshin përgjithmonë nga Zvicra për të jetuar në atdhe.

Fillimisht, autori duhet të shkonte i vetëm, për të përgatitur një vendbanim të denjë për familjen e tij të shtrenjtë.

Me dashuri dhe emocione të thella, ai përshkruan momentin e kthimit të tij, duke shpresuar në një lumturi të plotë kur të ribashkohej me të dashurit e tij në Kosovën e lirë.

-Vargjet e sinqerta e shumë prindërore sikurse:

“Astrit, shumë, shumë të dua!” “Babi, unë ty edhe një herë më shumë!”, dëshmojnë mallin e autorit, tregojnë, sesa etje dhe nevojë ka babai për të kuvenduar e të jetë afër e pranë fëmijëve të tij, familjes së tij.

Por, koha solli kthesë tragjike për familjen Dehari; pas disa vitesh, dhimbja e mbuloi me të zezë këtë familje. Djemtë e tij të dashur, Arbënori dhe Astriti, humbën jetën në mënyrë të papritur dhe tragjike, duke lënë pas një boshllëk të thellë, që prek çdo varg të jetës së autorit.

Kujtesë:

Astrit Dehari vdiq në burgun e Prizrenit më 5 nëntor 2016. Në atë kohë, qeveria e Kosovës drejtohej nga koalicioni i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Kryeministër ishte Isa Mustafa ndërsa president i vendit ishte Hashim Thaçi nga PDK.
Autori, Avni Dehari, është babai i Astrit Deharit.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 10/11/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk