Shkruan: Syrja Etemi
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe! Në arealin e këngëve folklorike shqiptare të Pollogut (të Epërm dhe të Poshtëm), një vend të rëndësishëm zë edhe figura e njohur e Avni Elmazit. Më së pari të shohim kush është ky personazh, për të cilin do t’i referohem të dhënave nga referati përkujtimor i z.Ibraim Ibraimi – zv. president i Shoqatës Atdhetare të mërgimtarëve shqiptarë : “Ilirida”- Itali:
Avni Elmazi lindi me 10.07. 1950 në fshatin Sërmnovë të Gostivarit. U shkollua në vendlindje, ndërsa Normalen e mbaron në Gostivar. Punoi si mësues në fshatin Tërnovë dhe fshatin Padalishtë nga viti 1968 deri në vitin 1971, prej nga bie në burg- ku përjetoi kthetrat e robërisë edhe si individ, por edhe në planin gjithëkombëtar. I frymëzuar nga ai zgrip i vuajtjes së burgut, aty shkruan librin: “Shtëpia e ferrit”. Me të dalë nga burgu, Avniu filloi aktivitetin e tij me shokët dhe celulat, të cilat i formoi paraprakisht. Ai me veprimtarinë e tij atdhetare, nuk u përqendrua vetëm në Gostivar, por edhe në qytetet tjera të Maqedonisë, madje, në Kosovë, por edhe në diasporë. Gati si të gjithë shqiptarët ku jetojnë, përt shkaqe të vështira ekonomike, edhe Avniu detyrohet të merr rrugën e kurbetit. Kështu ai migron me punë të përkohshme në Itali dhe, menjëherë inkuadrohet në aktivitete patriotike, duke u inkuadruar në Shoqatën: “Familja ndihmon familjen”, ku Avniu e ndihmonte një familje 12 anëtarëshë në Kosovë. Por, kjo, për fat të keq, nuk zgjati shumë, mbasi më 12 shtator të vitit 1992, Avniu vdiq në një aksident në vendin e tij të punës- në Itali.
Por, në vazhdim të shohim se ç’thotë kënga kushtuar Avni Elmazit:
Ç’NA U BA NAMI NË Ç’AT MAL
(Variant)
O, ç’na u ba nami, shok’ në ç’at mal-e
Luft po bante, o nji çoban-e.
.
Luft po bante nji gjal i ri-e
As pa pushk’ gjali pa allti-e.
.
As pa pushk’ gjali pa allti-e
Kish me vejti nja di çen t’zi-e.
.
Kish me vejti nja di çen t’zi-e
Se n’ Kunov’ sot bani vaki-e.
.
Se n’ Kunov’ sot bani vaki-e
Avni Elmazi nji gjal i ri-e.
.
Avni Elmazi nji gjal me shkoll-e
Aj nji dit-o me dhen po shkon-e.
.
Aj nji dit-o me dhen ka shku-e
Larg katundit kona largu-e.
.
Larg katundit kona largu-e.
N’do livadhe dhent i ka l’shu-e.
.
N’do livadhe dhent i ka l’shu-e
Mir sinorin s’e ka qellu-e.
.
Mir sinorin s’e ka diktu-e
N’kufi t’huj gjali ka qellu-e.
.
N’kufi t’huj gjali ka qellu-e
Tan’ Kunova në kam jan çu-e.
.
Tan Kunova po bërtet-e
Aj Zorani me shok’t e vet-e.
.
Aj Zorani me shok’t e vet-e
Po don gjalit me ja mar dhent-e.
.
Po don gjalit me ja mar dhent-e
Kishin mar-o en arm me vet-e.
.
Kush dajak-o kush me pushk-e
Avni Elmazin e kajn rethu-e.
.
Ki Zorani za i ka l’shu-e
-Xhi ke lip, gjal-o n’vend të huj-e.
.
N’vend te huj ti pse ke hij-e
A kujtove se ash Shipni-e
.
S’a Shipni, gjal-o as Turki-e
Ash Kunova kejt kauri-e.
.
Kejt Kunova n’kam jan çu-e
Gjalin vet e kan rethu-e.
.
Gjalin vet e kan rethu-e
Kush me shat’ e kush me pushk-e.
.
Avni Elmazi u paska than-e:
-Ma kadal-tha çika Zoran-e!
.
-Ma kadal-tha çika Zoran-e!
Se un’ s’jam, besa nji çoban-e.
.
Se un’ jam nji m’sus i ri-e
Ashtu sot-o bani vaki-e.
.
Ashtu sot-o bani vaki-e
Mir’ kufinin un’ nuk e di-e.
.
Hiç për gjalin shkiet s’kan ngju-e
Bajn huxhum me e sulmu-e.
.
Avni Elmazi n’kam u çu-e
Bani menden me liftu-e:
.
Huxhum bani me nji shkop-e
Nji her sell në vend po i r’zon-e.
.
Si na ndodhi kjo vaki-e
Shkoj haberi në milici-e.
.
N’milici-o në Gostivar-e
Pi Sermnove e kan mar-e.
.
N’Idrizov’ gjalin e kan çu-e
Tremdhet vjet gjalin e kan denu-e.
.
Avni Elmazi nji fjal po e flet-e:
-Për hapsan-e hiç s’ kam dert-e.
.
Për hapsan-e hiç s’kam gajle
Nuk e lash katundin m’e mar-e.
.
Nuk e lash katundin m’e mar-e
Oj, i zbardha ftirën-o tan shiptar’ve.*
Këndon: Neset Neziri, f.Sllatinë, Tetovë
Lindur në vitin 1960
PAK DETALE KOMPLEMENTARE
Këngëtari në fjalë (Neset Neziri), këtë këngë e ka mësuar në vitet 1976-77 kur ka qenë nxënës i shkollës së mesme në Gostivar. Këtë këngë, së pari herë e ka dëgjuar nga kolegu i tij Mexhedi Rexhepi nga fshati Berikovë e Kërçovës, i cili, edhe ky ka kënduar dhe i ka ra sharkisë. Ai, pra, Neseti, pasi e mëson këngën, pastaj e ka kënduar bashkë me shokun e shkollës.
Edhe një detal tjetër me rëndësi për ngjarjen dhe protagonistin e këngës, është edhe momenti kur Neseti me grupin muzikor-folklorik të fshatit Sllatinë, duke kënduar në një sobë sllatinase, aty ka ndodhur edhe një bashkëfshatar i tij me emrin Memetali Bajrami, i cili paska pas ndodhur në burgun e Idrizovës bashkë me Avni Elmazin. Në përfundim të këngës, ky, me lot në faqe shprehet në mes të sobës: “Hallall u koft, be gjema! E kini kundau këjkën bash ashtau si ma ka kallxau vakijën vet Avnia!” Nga aty kuptohet se, edhe Ape Memetali e paska pas shok burgu atdhetarin e shquar të kësaj kënge.
Në lidhje me këtë këngë apo personazh të saj, më 26 janar të vitit 2021, një të dhënë interesante më ka dhënë edhe këngëtari kërçovar, Bexhet Jagodini, duke deklaruar se: “Unë në vitet 86 apo 87 në një dasmë në Sebicë – te familja Ipçe, kam kënduar këngën në fjalë, por pa e ditur se “heroi” i këngës është po në këtë sobë, por vetëm që hudhi një shumë të bukur parash – si “bakshish”, dhe mbasi mbarova këngën”, thotë ky këngëtar, “vet Avniu m’u prezentua dhe nxorri nga brezi hallkat e qenit besnik të tufës së tij, që e ka mbrojtur heroin e këngës”.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!