1. ROMANSIERI
– Kush është romansier i parë në Kosovë? – e pyeti arsimtar nxënësin.
– Për nga sasia është Sinan Hasani, për nga cilësia është Adem Demaçi, – u përgjigj nxënësi.
2. ZGJIMI
– Doktor, gjithmonë jam zgjuar në ora gjashtë të mëngjesit, ka një muaj që zgjohem gjysmë ore më vonë, prandaj kërkoj shërim, dua të zgjohem me kohë për shkak se bagëtia nuk pret, – u ankua një bari para neurologut.
– Ti ke luajtur mendsh, askush tek unë nuk ankohet që fle deri në mesditë, kurse ti ankohesh për gjysmë ore gjumë, – ai ktheu neurologu i befasuar.
3. VIZITA E KOSOVARIT
Një plak nga Kosova tregoi që po shkonte në Tiranë të vizitojë shtëpinë e Enver Hoxhës, që e kanë dashur më shumë se shumë, ndërkaq një komentues e kishte këshilluar të mos lodhet kot, se në ferr gjendet, prandaj plaku ia ktheu:
– Baca Enver gjendet në zemrat e mbarë popullit shqiptar, ku i thuhet bukës bukë dhe ujit ujë. Sa i përket ferrit, mbaje për vete, o besimtar i dreqit.
4. TRADHTIA
“Rreth 70% e burrave në Shqipëri kanë lidhje dashurie jashtëmartesore, apo më mirë të themi që i tradhtojnë gratë e tyre”, tha detektivja private. Ndërkaq përkthyesi në gjuhën frënge e komentoi kështu: “Rreth 30% e burrave në Shqipëri kanë lidhje dashurie jashtëmartesore, apo më mirë të themi që i tradhtojnë gratë e tyre”.
– Jo, 30%, por 70%, – ndërhyri detektivja private, që e kuptonte gjuhën shqipe.
5. DELET
– Unë i dua delet, por i urrej derrat, – tha kryetari i bashkisë kur e pa delet në fermën e fshatit.
– Të lumtë, zotëri kryetar, je më i miri, – e përgëzoi një fshatar.
– Mos u ngut mik, kryetari e ka fjalën për qytetarët e urtë si delet që e duan, ndërsa i urren derrat opozitarë që nuk e duan, – e qortoi miku i tij.
6. URREJTJA
Kur arsimtari e pyeti nxënësin si bëhet mohimi i fjalisë “Serbët e kanë dashur Jugosllavinë më shumë se veten”, nxënësi përgjigjet:
– Shqiptarët e kanë urryer Jugosllavinë më shumë se kroatët dhe sllovenët”.
7. DOKUMENTARI
– Cili film dokumentar të ka bërë më së shumti përshtypje? – e pyeti gazetari tiranasin.
– Dokumentari i Lekë Zogut, kur në grindje me nusen njëri-tjetrit i thonë që janë me shkollë fillore, – u përgjigj tiranasi.
8. LAVDËRIMI
– Bija ime në fillim thoshte që burri i saj ka mbaruar universitetin, tani që është ndarë, thotë që nuk e ka mbaruar as shkollën e mesme, – tregoi e ëma.
– Moj motër, universiteti më i mirë është dashuria, – ia ktheu me keqardhje motra e saj.
9. MAJMUNI
– Tungjatjeta, daja majmun! – e përshëndeti një vizitor në shenjë dashamirësie majmunin në kopshtin zoologjik.
– Kujdes, nuk jam daja… jam stërgjyshi yt, – ia ktheu majmuni vizitorit që e befasoi me përgjigje të drejtë.
10. NË VARREZA
Dy të vdekur në varre fqinje po e dëgjojnë bisedën e njerëzve: “I ndjeri në këtë varr është besimtar, prandaj gjendet në xhenet, ndërsa ai tjetri është i pafe, prandaj gjendet në xhehenem”.
– “Koleg, a po i dëgjon se si po më nderojnë dashamirët? – i tha i pari të dytit.
– “Të gjorët, nuk e dinë që në varr jemi njësoj, pasi që xheneti dhe xhehenemi shkojnë bashkë”, – ia ktheu i dyti.
Suedi, 9 mars 202
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!