1. LAKMIA
– A shkojmë të luftojmë kundër lakmisë? – i tha njëri fqinjit.
– Më vjen keq, lakminë e kam teze, nuk mund të luftoj, – kundërshtoi i dyti.
2. DORË E DYTË
– A kanë dallim këmishët e ndërtimtarëve me këmishët e arsimtarëve dhe të ministrave? – e pyeti gazetari shitësin e mallit të dorës së dytë, siç thuhet anglisht sekondhand.
– Këmishët e ndërtimtarëve janë të grisura në mëngë, këmishët e arsimtarëve janë të grisura në jakë, ndërsa këmishët e ministrave janë të grisura në bërryla, – u përgjigj shitësi i rrobave të dorës së dytë.
3. STALLA E BAGËTISË
Disa kureshtarë shkuan për të vizituar bagëtinë në stallë, atëherë fermeri pyeti nëse ndonjëherë kanë parë stallë më të pastër:
– Patjetër, salla e Kuvendi Republikan është më e pastër se stalla e bagëtisë, – u përgjigj një vizitor.
4. BARIU
– S’dëshiroj të bëhem poet si baca, që nuk ka lexuar asnjë përrallë të Grimit, – tha vogëlushi para prindërve.
– Të lumtë, biri im, çka dëshiron të bëhesh? – e pyeti e ëma.
– Dëshiroj të bëhem bari dhe me libër në dorë të kullosë bagëtinë, – tha i biri duke thumbuar vëllain e tij që thurte vargje, por që nuk lexonte.
5. VRAPIMI
– Mos po të ndjek ndokush, që po vrapon kaq shpejt? – e pyeti njëri fqinjin kur e pa duke vrapuar në drejtim të shtëpisë.
– Po vrapoj, sepse e kam harruar telefonin në shtëpi, po ma lexoi gruaja, më piu e zeza, – tha hallexhiu duke vrapuar me një frymë.
6. GJUHËTARI
– A ka gabime në fjalinë e klerikut fetar “Majmunat në shkollë”? – e pyeti gazetari gjuhëtarin.
– Klerikët nuk kanë haber për botën shtazore, prandaj nëse e ka fjalën për kafshët, duhet shkruar majmunët në shumës, nëse e ka fjalën për fyerjen e njerëzve, që i quan majmunë, atëherë duhet shkruar: “Majmunët” në shkollë, – u përgjigj gjuhëtari.
7. SHKRIMTARI TITIST
Një ditë gazetari në takim me Sinan Hasanin, i cili ka shkruar me dhjetëra romane, që konsiderohet një ndër romansierët e parë në Kosovë, e pyeti pse e quajnë shkrimtar titist.
– E, kështu ndodh, pasi që një kohë të gjatë kam qenë në shërbim të titizmit jugosllav, – u përgjigj Hasani kokulur.
– Me siguri në pamfletin tuaj “Të vërtetat dhe mashtrimet” e keni lavdëruar sistemin jugosllav? – ndërhyri gazetari.
– Jo vetëm që e kam lavdëruar sistemin jugosllav, por edhe demonstratën për Kosovën Republikë e kam quajtur kundërrevolucionare, e cila u bë shkaktare e shkatërrimit të Jugosllavisë, siç thuhet me sistem e me armatë, – u përgjigj shkrimtari titist.
8. BANESAT NË SHITJE
– Ia pamë sherrin shiut me stuhi, pas rrëzimit të minares askush nuk dëshiron të banojë pranë xhamisë, – u ankua kompania për shitjen e banesave.
– Njëmend xhamitë e vjetra kanë qenë të shkurtra dhe të trasha, megjithatë kanë qenë më të forta, kurse sot xhamitë estetike po e rrezikojnë jetën e njerëzve, – shtoi një tjetër.
9. ANKIMI
– Zot, ndonëse në qytetin tim gjenden 12 xhami me minare qiellore dhe natë e ditë lutemi, prapëseprapë shtrëngata dhe tërmeti po na i shkatërrojnë shtëpitë, – u ankua një besimtar pas tërmetit.
– Eee, natyra i ka ligjet e veta, prandaj u lute s’u lute, tërmeti ndodh, – ia ktheu Zoti.
10. PARAGJYKIMI
– Xhaxha, a dëgjove që baca ka parë shfaqjen e reve me mbishkrimin arab “Allah”? – e pyeti nipi xhaxhain.
– As gjyshi ynë nuk e ka ditur arabishten, nga e mësoi baca yt arabishten, he iu qorrofshin sytë?! – ia ktheu me zemërim xhaxhai.
Suedi, 9 maj 2024
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!