BE e ka ndëshkuar Kosovën me masa kufizuese, pavarësisht progresit dhe reformave të Qeverisë Kurti

20
Mar
2025
Shkruan: Gëzim Mekuli/ Njohës i shkencave të medieve dhe retorikës/

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Bashkimi Europian e ka ndëshkuar Kosovën me masa kufizuese, pavarësisht progresit të madh demokratik dhe reformave të Qeverisë Kurti. Ky vendim jo vetëm që bie ndesh me vlerat e vetë BE-së, por gjithashtu sinjalizon një qasje të padrejtë dhe të rrezikshme ndaj Ballkanit Perëndimor. Pse? Si është e mundur që Kosova, vendi që ka bërë hapa të dukshëm në luftën kundër korrupsionit, në lirinë e medias, në sundimin e ligjit dhe që ka një qeveri legjitime me mbështetje të madhe popullore, vazhdon të penalizohet, ndërsa Serbia, vendi që promovon nacionalizmin agresiv dhe refuzon të ballafaqohet me të kaluarën e saj gjenocidale, vazhdon të favorizohet?

Lexoni edhe:
Diferenca mes LVV-së dhe partive opozitare, dëshmon se prapë ka një opozitë të dobët

-Kosova ka regjistruar ngritjen më të madhe demokratike sipas indekseve nderkombëtare. Liria e medias, lufta kundër korrupsionit dhe fuqizimi i institucioneve janë arritje të qarta. Por përse këto arritje nuk vlerësohen nga Brukseli? A mos vallë BE-ja po vepron sipas logjikës së fuqisë e jo sipas parimeve?

Rreziku nga grupi i Millan Radoiçiq dhe hipokrizia e BE-së

Një nga rreziqet për stabilitetin dhe sigurinë në rajon mbetet grupi i Millan Radoiçiq, një paramilitar serb i akuzuar për krime të rënda, i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi. Pavarësisht pranimit të fajësisë së tij, asnjë masë konkrete nuk është marrë kundër tij. Pse BE-ja nuk ka kërkuar arrestimin e tij? Pse nuk ka vendosur sanksione ndaj Serbisë që vazhdon të mbrojë terroristët? Pse e vetmja masë konkrete që Brukseli ka marrë së fundmi ka qenë ndëshkimi i padrejtë i Kosovës? A nuk është ky një turp i madh për diplomacinë europiane?

Duhet thekson se problemi nuk qëndron vetëm te individët si Millosheviq, Vuçiç apo Radoiçiq, por te i gjithë sistemi politik, mediatik, arsimor dhe fetar në Serbi, që po prodhon dhe riprodhon Millosheviqa, Vuçiça apo Radoiçiqa, pra këtë lloj ideologjie nacionaliste dhe destabilizuese.

Dhe BE-ja ka një qasje burokratike dhe tepër të butë ndaj Serbisë, duke e trajtuar si një “partner” të rëndësishëm, edhe pse është e qartë se ky shtet po luan një rol të dëmshëm për stabilitetin rajonal. Nuk ka asnjë mekanizëm të vërtetë presioni mbi Serbinë për të ndalur propagandën nacionaliste, për të dënuar kriminelët e luftës, apo për të ndalur ndërhyrjet në Kosovë, Bosnje e Mal të Zi.

Nëse historia na mëson diçka, është se çdo 50-60 vjet Serbia shkakton një krizë të madhe në Ballkan. Për fat të keq, BE-ja nuk po tregon as vullnet politik dhe as fuqi për ta parandaluar këtë cikël të rrezikshëm.

Dialogu BE-Serbi-Kosovë: Një farsë apo mundësi reale?

Dialogu i udhëhequr nga BE ka dështuar vazhdimisht për shkak të dyfytyrësisë së Brukselit. Serbia vazhdon të mos zbatojë asnjë përkushtim të saj, por nuk ndëshkohet. Nga ana tjetër, Kosova, që ka treguar gatishmëri për kompromis, dënohet. Pse nuk ka asnjë presion mbi Serbinë që të ndalë qasjen e saj agresive? Pse BE-ja vazhdon të trajtojë Kosovën si fajtore, kur është Serbia ajo që organizoi sulme terroriste në Republikën e Kosovës?

Si mund të besohet në një proces ku agresori shpërblehet dhe viktima ndëshkohet? Nëse BE-ja nuk beson në parimet e veta demokratike dhe nuk ka guxim të ndëshkojë Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve, atëherë si mund të besohet se ky dialog do të sjellë një marrëveshje afatgjatë? Apo ndoshta, qëllimi i vetëm i Brukselit është të menaxhojë tensionet pa një zgjidhje të qartë, duke e lënë Kosovën peng të lojërave politike të Serbisë? Kjo qasje e BE-së nuk është vetëm e padrejtë, por edhe vrastare për besimin në demokracinë dhe stabilitetin e rajonit.

Serbia dhe flamujt e saj, por jo të Europës

Shikoni protestat e fundit në Serbi që nxorën në pah një realitet tronditës. Mbi 100,000 serbë protestuan, por asnjë flamur i BE-së nuk ishte i pranishëm. Kjo tregon qartësisht se Serbia nuk e sheh Europën si aspiratë, por vazhdon të ushqehet me iluzione ruse dhe nacionalizëm agresiv. Nëse Serbia nuk e do Europën, pse Europa vazhdon ta tolerojë dhe favorizojë? Pse Brukseli mbyll një sy para lidhjeve të Serbisë me Rusinë dhe strukturat kriminale, ndërsa i imponon masa kufizuese një vendi si Kosova, që ka treguar qartë se ka zgjedhur rrugën europiane?

Të nderuar,

Kosova nuk është në Azi apo Afrikë. Kosova është në Europë dhe ka treguar me vepra se i përket botës demokratike. BE-ja duhet të zgjohet nga kjo hipokrizi dhe të ndalë trajtimin e pabarabartë të dy vendeve. Nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet për aq kohë sa BE-ja vazhdon të lejojë Serbinë të sillet si agresor pa pasoja. Kosova nuk do të pranojë të trajtohet si fajtore, kur e vërteta dhe faktet tregojnë se ajo është viktima e politikave agresive të Serbisë.

Koha është për veprime konkrete. BE-ja duhet të heqë masat kufizuese ndaj Kosovës, të ndëshkojë Serbinë për lidhjet me terroristët dhe të trajtojë Kosovën me dinjitetin që meriton si një demokraci e re dhe europiane!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 20/03/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk