-Huazuar nga, Gazeta SOT 19 Nëntor 2024-
Prej 35 vitesh, shteti shqiptar, është bërë si një makinë “mësimore”, ku ushtrohen për patentë shoferët e rinj. “Kursantët” në fjalë, sidomos në dy dekadat e fundit, merren nga rruga, me minimalen e njohjes së punëve të shtetit, dhe pa asnjë garanci patriotike e atdhedashurie. Madje shumë prej tyre, të marrë nga pinjollët e ballit kombëtar, apo skotave të tjera, raca e të cilave kurrë nuk diti e nuk deshi të bënte shtet, por vetëm të kullufisë “tasin e groshëve” që i huaji u mbushte për shërbimin që i bënin.
Sali Berisha, alias Arturo–Ui shqiptar, që në ditën e parë të ardhjes në politikë e në pushtet, dhe për 35 vite rresht, nuk ka pushuar asnjë ditë duke djegur e shkatërruar vendin e tij, e duke i përdhosur historinë e lavdishme, shkruar me mund, djersë e gjak pa kursim. Në krye të herës, kur mori çelësat e pushtetit në vitin 1992, luajti me datat historike të 28 e 29 Nëntorit, me synimin, të eleminonte këtë të dytën, 29 Nëntorin e Çlirimit të Atdheut, që është dhe ngjarja më e madhe në historinë dymijë vjeçare të shqiptarëve. Më vonë, kur nuk i “ndezi’ hileja në këtë drejtim, nisi të “krasiste” pjesë-pjesë nga kjo histori e popullit dhe vendit të tij, duke riabilituar tradhëtarët, e mohuar Luftëtarët dhe Dëshmorët e LANÇ. Në një nga përvjetorët e Fitores Botërore mbi nazifashizmin në Francë, Berisha, midis të tjerave tha se Shqipëria ka vetëm 4500 Dëshmorë të LANÇ dhe jo 28 mijë, aq sa kishte raportuar Enver Hoxha në Konferencën e Paqës së Parisit në vitin 1946, e që ishte marrë në konsideratë nga gjithë përfqaësuesit e shteteve fituese të L2B.
Të dyja këto tentativa antikombëtare, përveç dhjetra e dhjetra të tjerave kësisoj, e thonë qartë se Sali Berisha nuk mund të jetë shqiptar. Se normalisht, çdo shqiptar në origjinë, me çfarëdo pikëpamjesh të jetë ngjizur, vendin e tij do të mundohej ta zbukuronte e reklamonte, edhe më shumë se sa mund të jetë, por kurrsesi ta zhveshë nga meritat e fituara e të pranuara nga të tjerët. Vetëm ky veprim faqe botës, verteton se Berisha nuk ishte e nuk është asnjë gram nga raca jonë shqiptare, qoftë dhe i zakonshëm, pa bërë fjalë për një atdhetar që kishte marrë përsipër të drejtonte shtetin dhe vendin e tij.
Por turrin e tij kundër LANÇ, Luftëtarëve dhe Dëshmorëve të saj, Berisha e vijoi më tej, duke rehabilituar tradhëtarët e duke mohuar Heronjtë e Dëshmorët, madje duke i quajtur ata vrasës e terroristë. Ai arriti që me shpurën e tij antikombëtare, ta interpretojë Luftën Çlirimtare si luftë civile. Për të mbërritur tek ditët e fundit, ku ndërsa kremtohej 80 Vjetori i Çlirimit të Kryeqytetit, i drejton mesazh një grupi të fandaksur, që vajtonin me oiii, një masakër, e cila na qenka bërë në ditët e çlirimit të Tiranës. Këtë episod mashtrues në fakte, e pati marrë nga Çelo Hoxha, i ngarkuari me punë në krye të Institutit të Krimeve të Komunizmit, institut të cilin e pati krijuar vetë Sala, por miratuar edhe nga kolegu rozë-mavi, që mori pushtetin në vitin 2013. Sipas këtij episodi mad – in “Çelo-Hoxha”, gjatë luftës për çlirimin e Kryeqytetit, kur partizanët hynë në Tiranë, gjetën e vranë disa intelektualë e ish ushtarakë në Hotelin “Bristol” në mes të Tiranës. Për këtë rast, në një shkrim replikë me Çelon e Institutit famëkeq, pata kërkuar që autori të na jepte emrat e të vrarëve. Por Çela nuk i dha, ngase nuk i dinte, apo nuk donte t’i jepte. Këtë pyetje do t’i drejtoja edhe Saliut: Kush ishin këta intelektualë dhe ish ushtarakë që u gjendën të vrarë në bodrumet e “Bristolit” të Kryeqytetit? E kërkoj këtë detaj, sepse pasi të njohim emrat e të vrarëve, do të zgjidhet edhe enigma, nëse vrasja ishte masakër, apo dënim i merituar! Në hotelin “Bristol” në qendër të Kryeqytetit, në kohën e pushtimit nazifashist hynin vetëm pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre. Të vrarët në fjalë, me siguri ishin “sivëllezërit” e gjërmanëve, që kishin luftuar krah tyre kundër forcave partizane. Mirëpo në luftë, plumbi që del nga gryka e pushkës së çlirimtarit, nuk mund ta dallojë gjermanin nga shqiptari, nëse kanë të njëjtën veshje, të njëjtën pushkë e të njëjtin qëllim.
Si për të përforcuar deklaratat nazifashiste të Berishës për LANÇ, ia ku kemi po atë ditë, edhe një prononcim të “vogël” të ish diplomatit, Shaban Murati, i cili, midis të tjerave, në ditën e çlirimit të Tiranës, thotë e shkruan se “Tek ne nuk ka patur luftë çlirimtare të qyteteve, sepse gjermanët ikën vetë nga qytetet . . . ndoshta ka patur në Tiranë. . . !” Thotë “ndoshta”, sepse lufta për çlirimin e Tiranës vijoi të paktën për 19 ditë papushim, dhe Shaban Murati nuk mund as ta mohonte, e as ta vertetonte, sepse kur ndodhi kjo ngjarje historike, ai ishte vetëm dy muajsh e gjysëm.
Por “qershinë e zezë” mbi tortën po të “zezë”, të mashtrimit e të shpifjes për LANÇ dhe Luftëtarët e Dëshmorët e saj, e vendos intelektuali dhe ish deputeti i Saliut, Ridvan Peshkëpia, i cili përforcon ligjëratën e ustatit të tij, duke thënë tekstualisht: “Një derr mbetet derr edhe po ta lyesh me buzëkuq; dhe një partizan mbetet një kriminel, edhe po ta shpallësh hero”. Më tej ish deputeti salian, mbyll ligjërimin me “shprehjen finale” të huazuar nga nazistët: “Një komunist i mirë është vetëm një komunist i vdekur”. . . .
Deklarata të tilla, në ditë të zakonshme e sidomos në ditë përkujtimore të LANÇ , janë deklarata të hapta nazifashiste. Këta nazifashistë, me në krye “Arturo – Uin shqiptar-Berisha, jetojnë midis nesh, së bashku me ne, me Veteranët e Luftës, me Familjet e Dëshmorëve, e madje rrinë e kuvendojnë e pinë kafe në një tavolinë me pseudosocialistët, që pretendojnë se janë mbrojtës të zjarrtë të LANÇ dhe veprës së Dëshmorëve e Heronjve të Atdheut.
Janë pikërisht socialistët mavi me të mavijosurin Rama, të cilët na kanë krijuar e drejtojnë shtet – zullapin, pa kemi Berishën me shokë që llapin! Madje akoma më tej, që kërcënojnë haptazi jetën e komunistëve dhe të ish partizanëve çlirimtarë.
LANÇ dhe Heronjtë e Dëshmorët e saj i mbron vepra e tyre e madhe, ajo e Çlirimit të Atdheut. Historia e kësaj Lufte është skalitur në historinë e shkruar, dhe sidomos në memorien e pashuar të popullit. Kjo histori i duhet edhe pushtetarëve e sidomos Shtetit, i cil nuk duhet të lejojë antishqiptarët të llapin, nëse vërtet nuk dëshiron të bëjë “zullapin”!
Do t’i lutesha SPAK-ut, t’ia gjejë vendin që meriton këtij korbi të zi sterrë, me emrin Berisha, alias Arturo – Ui, i cili prej një viti, na ligjëron si të ishte Adolf Hitleri, nga frëngjia e katit të tetë të pallatit të tij. Të paktën të shpëtojmë prej këtij korbi, dhe prej laraskave vjedhacake, që i rrinë poshtë dritares, në pritje të ndonjë llokumeje nga “demokracia” borgjezo-saliniane.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!